Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 106

106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?

Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.

Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,

me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.

Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.

I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.

10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.

11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.

12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.

13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.

14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.

15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.

16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,

17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.

18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.

19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,

20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.

21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,

22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.

23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.

24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,

25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.

26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë,

27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet.

28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.

29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.

30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.

31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.

32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,

33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.

34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;

35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;

36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;

37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,

38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.

39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.

40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.

41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.

42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.

43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.

44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,

45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.

46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.

47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.

Gjyqtarët 17

17 Në krahinën malore të Efraimit ishte një njeri që quhej Mikah.

Ai i tha nënes së tij: "Një mijë e njëqind siklat prej argjendi që të kanë marrë dhe për të cilat ke thënë një mallkim, që e dëgjova me veshët e mi, ja, i kam unë; ato para i kisha marrë unë". Nëna e tij tha: "Im bir qoftë i bekuar nga Zoti!".

Kështu ai ia ktheu nënes së tij të një mijë e njëqind siklat prej argjendi dhe e ëma tha: "Unë ia shenjtëroj plotësisht nga dora ime këtë argjend Zotit për birin tim, për ta bërë një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë me derdhje prandaj po ta kthej tani".

Pas kthimit të argjendit nënes së tij, e ëma mori dyqind sikla argjendi dhe ia dha shkrirësit, i cili bëri një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë me derdhje metali; dhe këto u vendosën në shtëpinë e Mikahut.

Kështu ky njeri, Mikahu, pati një shtëpi perëndish; bëri një efod dhe një shtëpi idhujsh, dhe shenjtëroi një nga bijtë e tij që i shërbente ai prift.

Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij.

Ishte një i ri nga Betlemi i Judës, nga familja e Judës, i cili ishte Levit dhe banonte në atë vend si i huaj.

Ky njeri u nis nga qyteti i Betlemit të Judës për t’u vendosur aty ku mund të gjente një vend; duke ecur arriti në krahinën malore të Efraimit, në shtëpinë e Mikahut.

Mikahu e pyeti: "Nga po vjen?". Ai u përgjegj: "Jam një Levit nga Betlemi i Judës dhe jam duke kërkuar një vend ku mund të vendosem".

10 Mikahu i tha: "Rri me mua, dhe bëhu ati dhe prifti im; do të të jap dhjetë sikla argjendi çdo vit, rroba dhe ushqim". Atëherë Leviti hyri.

11 Kështu Leviti pranoi të rrinte me atë njeri, që e trajtoi të riun sikur të ishte një nga bijtë e tij.

12 Mikahu e shenjtëroi Levitin; i riu i shërbeu si prift dhe u vendos në shtëpinë e Mikahut.

13 Pastaj Mikahu i tha: "Tani e di që Zoti do të më bëjë të mira, sepse kam një Levit që më shërben si prift".

Veprat e Apostujve 7:44-8:1

44 Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë.

45 Dhe etërit tanë, pasi e morën, e mbartën me Jozueun në vendin që e kishin pushtuar johebrenjtë, të cilët Perëndia i dëboi para etërve tanë; dhe aty qëndroi deri në ditët e Davidit,

46 i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të mund të gjente një banesë për Perëndinë e Jakobit.

47 Por qe Salomoni ai që ia ndërtoi një shtëpi.

48 Por Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut, sikurse thotë profeti:

49 “Qielli është froni im dhe toka stoli i këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të më ndërtonit ju, thotë Zoti, ose cili do të qe vendi i pushimit tim?

50 A nuk i bëri të gjitha këto gjëra dora ime?.”

51 O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.

52 Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;

53 ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!.”

54 Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.

55 Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,

56 dhe tha: “Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë.”

57 Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;

58 dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.

59 Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: “O Zoti Jezus, pranoje frymën time!.”

60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: “O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!.” Dhe, si tha këtë, fjeti.

Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.

Gjoni 5:19-29

19 Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t’i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.

21 Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.

22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,

23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.

24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.

25 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.

26 Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;

27 dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.

28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.