Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 120-127

120 Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj.

O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.

Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?

Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.

I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!

Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.

Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.

121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?

Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.

Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.

Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.

Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.

122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".

Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.

Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,

ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.

Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.

Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.

Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.

123 Drejt teje i ngre sytë e mi, drejt teje që je ulur në qiejtë.

Ja, ashtu si sytë e shërbëtorëve drejtohen te dora e zotërve të tyre dhe sytë e shërbëtores te dora e zonjës së saj, kështu sytë tona drejtohen te Zoti, Perëndia ynë deri sa ai të ketë mëshirë për ne.

Ki mëshirë për ne, o Zot, ki mëshirë për ne, sepse jemi velur jashtë mase me përçmimin.

Shpirti ynë është velur jashtë mase me talljen e arrogantëve dhe me përçmimin e krenarëve.

124 Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:

"Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,

ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;

atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,

atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".

Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.

Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.

Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.

125 Ata që kanë besim tek Zoti janë si mali i Sionit, që nuk mund të lëvizet, por qëndron përjetë.

Ashtu si Jeruzalemi është rrethuar nga male, kështu Zoti rri përreth popullit të tij, tani dhe përjetë.

Sepse skeptri i të pabesëve nuk do të pushojë përjetë mbi trashëgiminë e të drejtëve, që të drejtët të mos i shtyjnë duart e tyre për të bërë të keqen.

O Zot, bëju të mirë njerëzve të mirë dhe atyre që kanë zemër të ndershme.

Por ata që ndjekin rrugë dredha-dredha, Zoti do t’i bëjë që të ecin bashkë me ata që bëjnë paudhësi. Paqja qoftë mbi Izrael.

126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.

Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".

Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.

Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.

Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.

Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.

127 Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet.

Éshtë e kotë që ju të çoheni herët dhe të shkoni vonë për të pushuar dhe për të ngrënë bukën e nxjerrë me punë të rëndë, sepse ai u jep pushim atyre që do.

Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.

Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë.

Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta.

Gjyqtarët 18:1-15

18 Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; po në këtë kohë fisi i Danitëve kërkonte për vete një territor për t’u vendosur, sepse deri në ato ditë nuk i ishte caktuar asnjë trashëgimi midis fiseve të Izraelit.

Bijtë e Danit dërguan, pra, te Tsorahu dhe te Eshtaoli pesë burra trima, që përfaqësonin tërë fisin e tyre, për të vëzhguar dhe për të kontrolluar vendin; dhe u thanë atyre: "Shkoni të vëzhgoni vendin!". Kështu ata arritën në krahinën malore të Efraimit, në shtëpinë e Mikahut, dhe e kaluan natën aty.

Ndërsa ishin pranë shtëpisë së Mikahut, njohën zërin e të riut Levit; atëherë ata hynë në shtëpi dhe e pyetën: "Kush të solli këtu? Çfarë bën në këtë vend? Çfarë ke ti këtu?".

Ai iu përgjegj: "Mikahu më ka bërë këtë dhe atë; më mori në shërbim të tij dhe unë jam prifti i tij".

Atëherë ata i thanë: "Pyet, pra, Perëndinë që të dimë në se rruga që kemi nisur do të jetë e mbarë".

Prifti iu përgjegj: "Shkoni në paqe; rruga që bëni kryhet nën shikimin e Zotit".

Kështu të pesë burrat u nisën dhe arritën në Laish, panë që populli që banonte aty bënte një jetë të sigurt, simbas zakoneve të atyre të Sidonit, një jetë të qetë dhe të sigurt, sepse nuk kishte njeri në vend që t’u vinte ndonjë kufizim dhe t’i qortonte; ata ishin larg nga ata të Sidonit dhe nuk mbanin marrëdhënie me askënd.

Pastaj u kthyen te vëllezërit e tyre në Tsorah dhe në Eshtaol; dhe vëllezërit i pyetën ata: "Çfarë thoni?".

Ata u përgjigjën: "Le të ngrihemi dhe të sulemi kundër atyre njerëzve, sepse kemi parë vendin dhe është me të vërtetë i mrekullueshëm. Pse mbani një qëndrim jo aktiv? Mos nguroni të lëvizni për ta pushtuar vendin!

10 Kur të arrini, keni për të gjetur një popull të sigurt dhe një vend të gjërë, sepse Perëndiae ka dhënë në duart tuaja; është një vend ku nuk mungon asgjë nga ajo që është mbi tokë".

11 Atëherë gjashtëqind burra të familjes së Danitëve u nisën nga Tsorahu dhe nga Eshtoali, të armatosur mirë për luftë.

12 Ata u ngjitën dhe ngritën kampin e tyre në Kirjath-Jearim, në Jude; (prandaj ky vend, që ndodhet prapa Kiriath-Jearimit, quhet edhe sot e kësaj dite kampi i Danit).

13 Që këtej kaluan në krahinën malore të Efraimit dhe arritën në shtëpinë e Mikahut.

14 Atëherë të pesë burrat, që kishin shkuar të vëzhgonin vendin e Laishit, filluan t’u thonë vëllezërve të tyre: "A e dini ju që në këto shtëpi ka një efod, një shtëpi idhujsh, një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë prej metali të shkrirë? Prandaj tani kini parasysh atë që duhet të bëni".

15 Kështu ata u drejtuan nga ajo anë, arritën në shtëpinë e Levitit të ri, në banesën e Mikahut, dhe e përshëndetën.

Veprat e Apostujve 8:1-13

Por Sauli e kishte miratuar vrasjen e tij. Në atë kohë u bë një përndjekje e madhe kundër kishës që ishte në Jeruzalem; dhe të gjithë u shpërndanë nëpër krahinat e Judesë dhe të Samarisë, me përjashtim të apostujve.

Disa njerëz të përshpirtshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të.

Por Sauli po shkatërronte kishën: hynte shtëpi më shtëpi, merrte me vete burra dhe gra dhe i fuste në burg.

Ata, pra, që ishin shpërndarë shkonin rreth e përqark, duke shpallur fjalën.

Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin.

Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte.

Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin.

Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh.

Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh.

10 Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: “Ky është fuqia e madhe e Perëndisë.”

11 Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari.

12 Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan.

13 Besoi edhe Simoni dhe, mbasi u pagëzua, rrinte vazhdimisht me Filipin; dhe, duke parë veprat e fuqishme dhe shenjat që ishin bërë, mbeti i çuditur.

Gjoni 5:30-47

30 Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.

31 Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë.

33 Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës.

34 Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni.

35 Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.

36 Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar.

37 Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij,

38 dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar.

39 Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.

40 Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.

41 Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.

42 Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju.

43 Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit.

44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?

45 Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t’ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj;

46 sepse nëqoftëse ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.

47 Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?.”