Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 101

101 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.

Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.

Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.

Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t’ia di për të keqen.

Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.

Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.

Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.

Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.

Psalmet 109:1-30

109 O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,

sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;

më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.

Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.

Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.

Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.

Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.

Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.

Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.

10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.

11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.

12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.

13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.

14 U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.

15 U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.

16 Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t’u shkaktonte vdekjen.

17 Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.

18 Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;

19 Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.

20 Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.

21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,

22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.

23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.

24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.

25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.

26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,

27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.

28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.

29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,

30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,

Psalmet 119:121-144

121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.

122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.

123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.

124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.

125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.

126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.

127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.

128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.

129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.

130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.

131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.

132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.

133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.

134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.

135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.

136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.

137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.

138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.

139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.

140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.

141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.

142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.

143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.

144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.

Gjyqtarët 13:15-24

15 Atëherë Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Na lejo të të mbajmë dhe të të përgatisim një kec!".

16 Engjëlli i Zotit iu përgjegj Manoahut me këto fjalë: "Edhe sikur të më mbash nuk do ta ha ushqimin tënd; por në rast se ti dëshiron të bësh një olokaust, ofroja Zotit". (Manoahu nuk e dinte se ai ishte Engjëlli i Zotit).

17 Pastaj Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Cili është emri yt që të realizohen fjalët e tua, ne të kemi mundësi të të nderojmë?".

18 Engjëlli i Zotit iu përgjegj: "Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm".

19 Kështu Manoahu mori kecin dhe blatimin e ushqimit dhe ia ofroi Zotit mbi gurin. Atëherë Engjëlli bëri një mrekulli, ndërsa Manoahu dhe e shoqja shikonin;

20 ashtu si flaka ngjitej nga altari në qiell, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Duke parë këtë, Manoahu bashkë me gruan e tij ranë përmbys për tokë.

21 Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më as Manoahut, as bashkëshortes së tij. Atëherë Manoahu kuptoi se ai ishte Engjëlli i Zotit.

22 Manoahu i tha pastaj bashkëshortes së tij: "Ne me siguri do të vdesim, sepse pamë Perëndinë".

23 Por e shoqja i tha: "Po të kishte dashur me të vërtetë vdekjen tonë, Zoti nuk do të kishte pranuar nga duart tona olokaustin dhe blatimin e ushqimit, as do të na kishte treguar tërë këto gjëra, dhe tani nuk do të bënte që të dëgjonim gjëra si këto".

24 Pastaj gruaja lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Sanson. Fëmija u rrit dhe Zoti e bekoi.

Veprat e Apostujve 6

Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.

Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: “Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t’ua besojmë këtë detyrë.

Kurse ne do të vazhdojmë t’i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës.”

Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.

I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.

Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;

10 por nuk mund t’i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.

11 Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: “Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë.”

12 Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.

13 Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: “Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.

14 E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu.”

15 Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.

Gjoni 4:1-26

Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni

(ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),

e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.

Por duhej të kalonte nëpër Samari.

Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.

Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.

Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: “Më jep të pi,”

sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.

Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).

10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!," ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.”

11 Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?

12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?.”

13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,

14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.”

15 Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!.”

16 Jezusi i tha: “Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu.”

17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Unë nuk kam burrë.” Jezusi i tha: “Mirë the: "Nuk kam burrë,"

18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!.”

19 Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet.

20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.”

21 Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.

22 Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.

23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.

24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”

25 Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.”

26 Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!.”