Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 25

25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.

O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.

Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.

O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.

Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.

Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.

Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.

10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.

11 Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.

12 Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t’i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.

13 Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.

14 Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.

15 Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m’i nxjerrë këmbët nga rrjeta.

16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.

17 Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.

18 Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.

19 Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.

20 Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.

21 Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.

22 O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.

Psalmet 9

Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.

Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t’i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.

Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.

Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.

Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.

Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.

Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.

Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi.

Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.

10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.

11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.

12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.

13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,

14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.

15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.

16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)

17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.

18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.

19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.

20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)

Psalmet 15

15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?

Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,

që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.

Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;

nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.

Jobi 12:1-6

12 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

"Pa dyshim ju jeni njerëz të urtë, dhe dituria do të marrë fund me ju.

Edhe unë kam mendje si ju, dhe nuk bie më poshtë se ju; përveç kësaj, kush nuk i di gjërat si këto?

Jam bërë gazi i miqve të mi; unë, të cilit Perëndia i përgjigjej kur i drejtohesha; të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë.

Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët.

Çadrat e cubave përkundrazi janë të qeta dhe e ndjejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë dhe që e hyjnizojnë forcën e tyre.

Jobi 12:13-25

13 Por tek ai gjejmë diturinë dhe forcën, atij i përkasin mendja dhe gjykimi.

14 Në rast se ai shkatërron, askush nuk mund të rindërtojë; në rast se fut në burg dikë, askush nuk mund t’ia hapë.

15 Në rast se i ndal ujërat, çdo gjë thahet; po t’i lërë të lira, përmbytin tokën.

16 Ai zotëron forcën dhe diturinë; prej tij varen ai që mashtrohet dhe ai që mashtron.

17 Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend.

18 Këput verigat e imponuara nga mbretërit dhe lidh me zinxhirë ijet e tyre.

19 I bën që të ecin zbathur priftërinjtë dhe përmbys të fuqishmit.

20 I lë pa gojë ata tek të cilët ka besim dhe i lë pa mend pleqtë.

21 Zbraz përçmimin mbi fisnikët dhe ua liron brezin të fortëve.

22 Zbulon gjërat e thella të fshehura në terr dhe sjell në dritë hijen e vdekjes.

23 I bën të mëdha kombet dhe pastaj i shkatërron, i zgjeron kombet dhe pastaj i mërgon.

24 U heq arsyen sundimtarëve të tokës dhe i bën të enden në vende të shkreta pa rrugë.

25 Ecin verbërisht në terr pa dritë dhe i bën të ecin si të dehur".

Veprat e Apostujve 11:19-30

19 Ndërkaq ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi me Stefanin, arritën deri në Feniki, në Qipro dhe në Antioki, duke mos ia shpallur fjalën asnjë tjetri, përveç Judenjve.

20 Por disa prej tyre me origjinë nga Qipro dhe nga Kirenea, kur arritën në Antioki, filluan t’u flasin Grekëve, duke shpallur Zotin Jezus.

21 Dhe dora e Zotit ishte me ta; dhe një numër i madh besoi dhe u kthye te Zoti.

22 Lajmi i kësaj arriti në vesh të kishës që ishte në Jeruzalem; dhe ata dërguan Barnabën, që të shkonte deri në Antioki.

23 Kur ai arriti, shikoi hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiti të gjithë t’i qëndrojnë besnikë Zotit, me dëshirën e zemrës,

24 sepse ai ishte njeri i mirë, plot me Frymë të Shenjtë dhe besim. Dhe një numër i madh personash iu shtua Zotit.

25 Pastaj Barnaba u nis për në Tars për të kërkuar Saulin dhe, si e gjeti, e çoi në Antioki.

26 Dhe plot një vit ata u bashkuan me atë kishë dhe mësuan një numër të madh njerëzish; dhe, për të parën herë në Antioki, dishepujt u quajtën të Krishterë.

27 Në ato ditë disa profetë zbritën nga Jeruzalemi në Antioki.

28 Dhe një nga ata, me emër Agab, u ngrit dhe nëpërmjet Frymës parathoshte se do të ndodhte në mbarë botën një zi e madhe buke; dhe kjo ndodhi më vonë në kohën nën Klaud Cezarit.

29 Atëherë dishepujt, secili sipas mundësive të tij, vendosën t’u çojnë një ndihmë vëllezërve që banonin në Jude.

30 Dhe këtë ata e bënë, duke ua dërguar pleqve me anë të Barnabës dhe të Saulit.

Gjoni 8:21-32

21 Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: “Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini.”

22 Prandaj Judenjtë thoshnin: “Mos don të vrasë veten, sepse thotë: "Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini"?.”

23 Dhe ai u tha atyre: “Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.

24 Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja.”

25 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti?.” Dhe Jezusi u tha atyre: “Pikërisht atë që ju thashë.

26 Shumë gjëra kam për të thënë e për të gjykuar lidhur me ju; por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe gjërat që kam dëgjuar nga ai, ia them botës.”

27 Ata nuk e kuptuan se ai po u fliste atyre për Atin.

28 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam, dhe se nuk bëj asgjë prej vetvetes, por i them këto gjëra ashtu si Ati më ka mësuar.

29 Dhe ai që më ka dërguar është me mua; Ati s’më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë.”

30 Ndërsa ai thoshte këto gjëra, shumë veta besuan në të.

31 Atëherë Jezusi u tha Judenjve që besuan në të: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi;

32 do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë.”