Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 63

63 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.

Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.

Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.

Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.

Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.

Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.

Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.

Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.

Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës.

10 Ata do t’i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve.

11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.

Psalmet 103

103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,

shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;

ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.

Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.

Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.

Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.

10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.

11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.

14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.

15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;

16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.

17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,

18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë.

19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.

20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.

21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.

22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!

Jobi 25

25 Atëherë Bildadi nga Shuahu u përgjigj dhe tha:

"Atij i përkasin sundimi dhe terrori: ai sjell paqen në vendet e tij shumë të larta.

A mund të llogariten vallë ushtritë e tij? Dhe mbi kë nuk del drita e tij?

Si mund të jetë, pra, njeriu i drejtë përpara Perëndisë, ose si mund të jetë i pastër një i lindur nga një grua?

Dhe në se edhe hëna nuk shkëlqen dhe yjet nuk janë të pastër në sytë e tij,

aq më pak njeriu, që është një vemje, biri i njeriut që është një krimb!".

Jobi 27:1-6

27 Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha:

"Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin,

deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,

buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme.

Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.

Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia.

Zbulesa 14:1-7

14 Pastaj pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që e kishin të shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.

Dhe dëgjova pastaj një zë nga qielli si ushtima e shumë ujërave dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe; dhe zëri që dëgjova ishte si ai i kitaristëve që u bien qesteve së tyre.

Ata këndonin një këngë të ri përpara fronit, përpara katër qenjeve të gjalla dhe përpara pleqve; dhe asnjë nuk mund ta mësonte kantikun përveç të njëqind e dyzet e katër mijëve, që ishin shpenguar nga toka.

Këta janë ata që nuk janë ndotur me femra; janë në fakt të virgjër. Këta janë ata që ndjekin Qengjit, kudo që të shkojë ai; këta u shpenguan ndër njerezit, që të jenë të parat fruta për Perëndinë dhe Qengjin.

Edhe në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm përpara fronit të Perëndisë.

Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli,

dhe thoshte me zë të madh: “Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave.”

Zbulesa 14:13

13 Pastaj dëgjova nga qielli një zë që më thoshte: “Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t’i ndjekin.”

Mateu 5:13-20

13 “Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t’u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.

15 Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.

16 Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.”

17 “Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t’i shfuqizuar, po për t’i plotësuar.

18 Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.

19 Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t’u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t’i vërë në praktikë dhe do t’ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.

20 Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.