Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 50

50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".

Psalmet 59-60

59 Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje.

Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.

Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime.

Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko.

Prandaj ti, o Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. (Sela)

Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?".

Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.

O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime.

10 Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.

11 Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë.

12 Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.

13 Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela)

14 Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

15 Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar.

16 Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë.

17 O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.

60 O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos.

Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet.

Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos.

Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela)

Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im;

Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje".

Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

10 A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona?

11 Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut.

12 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë.

Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

Jobi 29:1

29 Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:

Jobi 31:1-23

31 "Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?

Cili është fati që më ka caktuar Perëndia nga atje lart dhe trashëgimia e të Plotfuqishmit nga vendet e larta?

A nuk është vallë fatkeqësia për njeriun e çoroditur dhe mjerimi për atë që kryen të keqen?

Nuk i shikon ai tërë rrugët e mia dhe nuk i numëron të gjitha hapat që bëj?

Në rast se kam vepruar me falsitet, ose në rast se këmba ime është shpejtuar të ndjekë mashtrimin,

le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë ndershmërinë time.

Në qoftë se hapat e mia kanë dalë nga rruga e drejtë, dhe në qoftë se zemra ime ka ndjekur sytë e mi, apo në se ndonjë njollë u është ngjitur duarve të mia,

le të mbjell unë dhe një tjetër të hajë, dhe pasardhësit e mi u çrrënjofshin.

Në rast se zemra ime është mashtruar nga një grua dhe kam përgjuar në portën e të afërmit tim,

10 gruaja ime le të bluajë për një tjetër dhe të tjerë u përkulshin mbi të.

11 Sepse kjo do të ishte një mbrapshti, një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët,

12 një zjarr që konsumon deri në Abadon, dhe do të kishte shkatërruar deri në rrënjë gjithë të korrat e mia.

13 Në rast se kam hedhur poshtë të drejtën e shërbëtorit tim dhe të shërbëtores sime, kur po grindeshin me mua,

14 çfarë do të bëja kur Perëndia të ngrihej kundër meje, dhe si do t’i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari?

15 Ai që më ka bërë mua në barkun e nënës, a nuk e ka bërë edhe atë? A nuk ka qenë po ai Perëndi që na ka krijuar në bark?

16 Në rast se u kam refuzuar të varfërve atë që dëshironin dhe bëra të veniten sytë e gruas së ve,

17 në rast se e hëngra vetëm copën e bukës pa i dhënë një pjesë jetimit,

18 (por që në rininë time unë e rrita si një baba, dhe që në bark të nënës sime e kam ndihmuar gruan e ve)

19 në rast se kam parë dikë të vdesë për mungesë rrobash ose një të varfër që nuk kishte me se të mbulohej,

20 në rast se ijet e tij nuk më kanë bekuar, dhe nuk është ngrohur me leshin e qengjave të mi,

21 në qoftë se kam ngritur dorën kundër jetimit, sepse e dija që do të ndihmohesha tek porta,

22 supi im u ndaftë nga shpatulla, krahu im u theftë në bërryl!

23 Sepse fatkeqësia që vjen nga Perëndia më kall drithma, dhe për shkak të madhështisë së tij nuk mund të bëj asgjë.

Veprat e Apostujve 15:1-11

15 Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: “Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni.”

Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.

Ata, pra, si u përcollën nga kisha, kaluan nëpër Feniki dhe Samari, duke treguar kthimin e johebrenjve dhe duke u sjellë gëzim të madh mbarë vëllezërve.

Kur arritën në Jeruzalem, u pritën nga kisha, nga apostujt dhe nga pleqtë dhe treguan për gjërat e mëdha që Perëndia kishte bërë me anën e tyre.

Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: “Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut.”

Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem.

Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: “Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.

Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;

dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.

10 Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?

11 Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata.”

Gjoni 11:17-29

17 Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.

18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

19 Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre.

20 Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.

21 Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,

22 por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë.”

23 Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ringjallet.”

24 Marta i tha: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.”

25 Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.

26 Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?.”

27 Ajo i tha: “Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë”

28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: “Mësuesi është këtu dhe po të thërret.”

29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.