Book of Common Prayer
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.
2 Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.
3 Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)
4 Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".
5 Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".
6 Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)
7 Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".
22 Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit
23 dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër.
24 Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.
25 Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit, nëqoftëse bijtë e tu të kenë kujdes sjelljen e tyre dhe të ecin para meje si ke ecur ti".
26 Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim!
27 Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!
28 Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënde dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje.
29 Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: "Aty do të jetë emri im," për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t’u drejtuar nga ky vend.
30 Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal.
11 Prandaj kujtohuni se dikur ju johebrenj në mish, të quajtur të parrethprerë nga ata që e quajnë veten të rrethprerë, sepse të tillë u bënë në mish, nga dora e njeriut,
12 ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë.
13 Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit.
14 Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes,
15 duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen,
16 dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete.
17 Dhe ai erdhi për t’ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër,
18 sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.
19 Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë,
20 të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,
21 mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin,
22 në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë.