Book of Common Prayer
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.
32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2 Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
3 Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.
4 Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)
5 Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
6 Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.
7 Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
8 Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.
9 Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.
10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.
11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.
42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2 Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
6 O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.
7 Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.
8 Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.
9 Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".
10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.
2 Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?
3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.
4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.
5 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
22 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:
2 "A mundet vallë njeriu t’i sigurojë ndonjë përfitim Perëndisë? Me siguri i urti i sjell të mirë vetvetes.
3 Çfarë kënaqësie ka prej saj i Plotfuqishmi, në rast se ti je i drejtë, ose çfarë përfitimi ka në qoftë se ti ke një sjellje të ndershme?
4 Mos vallë nga frika që ka prej teje ai ndëshkon dhe hyn në gjyq me ty?
21 Pajtohu, pra, me Perëndinë dhe do të kesh siguri; kështu do të kesh mirëqënie.
22 Prano udhëzime nga goja e tij dhe shtjeri fjalët e tij në zemrën tënde.
23 Në rast se kthehesh tek i Plotfuqishmi, do të rimëkëmbesh; në qoftë se largon paudhësinë nga çadrat e tua
24 dhe u hedh arin në pluhur dhe arin e Ofirit ndër gurët e përroit,
25 atëherë i Plotfuqishmi do të jetë ari yt, thesari yt prej argjendi.
26 Sepse atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi dhe do të ngresh fytyrën në drejtim të Perëndisë.
27 Do t’i lutesh dhe ai do të të plotësojë dëshirën dhe ti do të realizosh kushtet që ke lidhur.
28 Do të vendosësh një gjë dhe ajo do të dalë mbarë, dhe mbi udhën tënde do të shkëlqejë drita.
29 Kur do të poshtërojnë, ti do të thuash: "Ngritja do të vijë". Ai do të përkrahë të përulurin
30 dhe do të çlirojë edhe atë që nuk është i pafajmë; po, ai do të çlirohet nga shkaku i pastëtisë së duarve të tua".
23 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
2 "Edhe sot vajtimi im është i dhimbshëm; dora ime është e dobët për shkak të rënkimit tim.
3 Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij!
4 Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente.
5 Do të dija fjalët me të cilat do të më përgjigjej, dhe do të kuptoja atë që kishte për të më thënë.
6 A do të më kundërshtonte me forcë të madhe? Jo, përkundrazi do të më kushtonte vëmendje.
7 Atje njeriu i drejtë do të mund të diskutonte me të, kështu gjyqtari im do të më shpallte të pafajshëm përjetë.
26 Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi.
27 Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur Këtëjezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë.
28 Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet.
29 Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.
30 Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve;
31 dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galilea në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit.
32 Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve,
33 duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: "Ti je Biri im, sot më linde".
34 Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje, ai ka thënë kështu: "Unë do t’ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit".
35 Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje".
36 Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje,
37 por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje.
38 Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve,
39 dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut.
40 Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në profetët:
41 "Shikoni, o përbuzës, mrekullohuni dhe do të treteni, sepse unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër, të cilën ju nuk do ta besonit, po t’jua tregonte dikush".”
42 Dhe kur Judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t’u flisnin përsëri për këto gjëra.
43 Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga Judenjtë dhe nga prozelitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnabën, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë.
10 “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;
2 kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.
3 Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.
4 Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.
5 Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve.”
6 Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.
7 Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.
8 Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.
9 Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.
10 Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.
11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.
12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.
13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t’ia dijë për delet.
14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,
15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.
16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.
17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.
18 Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im.”