Book of Common Prayer
40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.
2 Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.
3 Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.
4 Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.
5 O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.
6 Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.
7 Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.
8 Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".
9 E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.
10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.
11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.
12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.
13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.
15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".
16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".
17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.
54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.
2 O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.
3 Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)
4 Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.
5 Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.
6 Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;
7 sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
29 Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:
24 Në qoftë se kam pasur besim tek ari, dhe arit të kulluar i kam thënë: Ti je shpresa ime,,"
25 në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri,
26 në qoftë se kam shikuar diellin kur shkëlqen ose hënën që shkonte përpara duke ndritur, dhe zemra ime u mashtrua tinëz dhe goja ime puthi dorën time;
27 edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.
28 Në rast se jam gëzuar për fatkeqësinë e armikut tim dhe u ngrita, sepse e kishte goditur fakeqësia
29 (por unë nuk e lejova gojën time të mëkatonte, duke i uruar të vdesë me një mallkim);
30 në qoftë se njerëzit e çadrës sime nuk kanë thënë: "Kush mund të gjejë një që nuk është ngopur me mishin e tij?".
31 (përveç kësaj asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit);
32 në rast se i kam mbuluar mëkatet e mia si Adami, duke e fshehur fajin tim në gji,
33 sepse kisha frikë nga turma e madhe dhe përbuzja e familjeve më tmerronte, kështu që rrija i heshtur pa dalë nga shtëpia.
34 Ah, sikur të kisha një që të më dëgjonte! Ja firma ime! I Plotfuqishmi të më përgjigjet! Kundërshtari im të shkruajë një dokument,
35 dhe unë do ta mbaja me siguri mbi shpatullat e mia, dhe do ta mbaja si një diademë
36 do t’i jepja llogari për të gjitha hapat e mia, duke iu paraqitur si një princ.
37 Në qoftë se toka ime bërtet kundër meje dhe brazdat e saj qajnë bashkë me të,
38 në rast se kam ngrënë frytin e saj pa paguar, në rast se u kam nxjerrë frymën e fundit zotërve të saj,
39 në vend të grurit u rritshin ferra dhe barëra të këqija në vend të elbit".
40 Këtu mbarojnë fjalët e Jobit.
12 Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç’shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.
13 Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: “Vëllezër, më dëgjoni!
14 Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.
15 Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:
16 "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t’i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,
17 që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".
18 Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.
19 Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,
20 por t’u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.
21 Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga.”
30 Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar.
31 Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: “Ajo po shkon te varri për të qarë aty.”
32 Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: “Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.”
33 Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit,
34 dhe tha: “Ku e keni vënë?.” Ata i thanë: “Zot, eja e shih!.”
35 Jezusi qau.
36 Atëherë Judenjtë thanë: “Shih, sa e donte!.”
37 Por disa nga ata thanë: “Ky, që i hapi sytë të verbërit, s’mund të bënte që ky të mos vdiste?".
38 Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur.
39 Jezusi tha: “Hiqni gurin!.” Marta, motra e të vdekurit, i tha: “Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh.”
40 Jezusi i tha: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?.”
41 Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: “O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar.
42 Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar.”
43 Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: “Llazar, eja jashtë!.”
44 Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: “Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!.”