Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 72

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

Psalmet 119:73-96

73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.

74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.

75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.

76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.

77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.

78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.

79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.

80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.

81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.

82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".

83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.

84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t’u vish hakut atyre që më ndjekin?

85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.

86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.

87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.

88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.

89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.

90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.

91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.

93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.

94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.

Jobi 42

42 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe tha:

"E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.

Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.

Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh.

Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh.

Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin".

Mbas këtyre fjalëve që Zoti i drejtoi Jobit, Zoti i tha Elifazit nga Temani: "Zemërimi im u ndez kundër teje dhe kundër dy miqve të tu, sepse nuk keni folur drejt për mua, ashtu si ka bërë shërbëtori im Job.

Tani, pra, merrni me vete shtatë dema dhe shtatë desh, shkoni te shërbëtori im Job dhe ofroni një olokaust për veten tuaj. Dhe shërbëtori im Jobi do të lutet për ju; dhe kështu për respektin që kam për të nuk do t’ju trajtoj sipas marrëzisë suaj, sepse nuk keni folur drejt për mua, si ka bërë shërbëtori im Job".

Elifazi nga Temani, Bildadi nga Shuahu dhe Tsofari nga Naamathi shkuan dhe vepruan ashtu si kishte urdhëruar Zoti; dhe Zoti tregoi kujdes për Jobin.

10 Mbasi Jobi u lut për miqtë e tij, Zoti e ktheu në gjendjen e mëparshme; kështu Zoti i dha Jobit dyfishin e tërë atyre që kishte zotëruar.

11 Tërë vëllezërit e tij, tërë motrat e tij dhe tërë të njohurit e tij të mëparshëm erdhën ta takonin; hëngrën bashkë me të në shtëpinë e tij; i dhanë zemër dhe e ngushëlluan për të gjitha fatkeqësitë që Zoti kishte dërguar mbi të; pastaj secili prej tyre i dha një monedhë argjendi dhe një unazë ari.

12 Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para, sepse ai pati katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarë.

13 Pati gjithashtu shtatë bij dhe tri bija;

14 e quajti të parën Jemimah, të dytën Ketsiah dhe të tretën Keren-Hapuk.

15 Në tërë vendin nuk kishte gra aq të bukura sa bijat e Jobit; dhe i ati u la atyre një trashëgimi midis vëllezërve të tyre.

16 Mbas kësaj Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë e tij dhe bijtë e bijve të tij për katër breza.

17 Pastaj Jobi vdiq plak dhe i ngopur me ditë.

Veprat e Apostujve 16:16-24

16 Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj.

17 Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: “Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit.”

18 Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: “Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj.” Dhe fryma doli që në atë çast.

19 Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve;

20 dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: “Këta njerëz, që janë Judenj, e turbullojnë qytetin tonë,

21 dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t’i pranojmë dhe t’i zbatojmë.”

22 Atëherë turma u lëshua e gjitha bashkë kundër tyre: dhe pretorëve, ua grisën atyre rrobat dhe urdhëruan t’i rrahin me kamxhik.

23 Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t’i ruajë me kujdes.

24 Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.

Gjoni 12:20-26

20 Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë.

21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: “Zot, duam të shohim Jezusin.”

22 Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit.

23 Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet,

24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!

25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.

26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.