Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 87

87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.

Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.

Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)

Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".

Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".

Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)

Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".

Psalmet 90

90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.

Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.

Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.

Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.

Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.

Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.

10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.

11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?

12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.

16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.

17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.

Psalmet 136

136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;

19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Osea 1:1-2

Fjala e Zotit që iu drejtua Oseas, birit të Beerit, në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias, mbretit të Judës, në ditët e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit.

Kur Zoti filloi t’i flasë Oseas, Zoti i tha atij: "Shko, merr për grua një prostitutë dhe ki fëmijë të kurvërisë, sepse vendi po kurvërohet duke u larguar nga Zoti".

Kështu ai shkoi dhe mori për grua Gomeren, bijën e Diblaimit, e cila u mbars dhe i lindi një djalë.

Atëherë Zoti i tha: "Vëri emrin Jezreel, sepse brenda një kohe të shkurtër unë do të marr hak për gjakun e derdhur në Jezreel mbi shtëpinë e Jehut dhe do t’i jap fund mbretërimit të shtëpisë së Izraelit.

Po atë ditë do të ndodhë që unë do të thyej harkun e Izraelit në luginën e Jezreelit".

Ajo u mbars përsëri dhe lindi një vajzë. Atëherë Zoti i tha Oseas: "Vëri emrin Lo-ruhamah, sepse nuk do të kem më mëshirë për shtëpinë e Izraelit, por do t’i heq të gjithë.

Përkundrazi do të kem dhembshuri për shtëpinë e Judës dhe do t’i shpëtoj me anë të Zotit, Perëndisë së tyre; nuk do t’i shpëtoj me harkun as me shpatën apo me betejën, as me kuajt ose me kalorësit".

Kur zvordhi Lo-ruhamahen, ajo u mbars dhe lindi një djalë.

Atëherë Zoti i tha Oseas: "Vëri emrin Lo-ami, sepse ju nuk jeni populli im dhe unë nuk jam Perëndia juaj.

10 Megjithatë numri i bijve të Izraelit do të jetë si rëra e detit, që nuk mund të matet as të llogaritet. Dhe do të ndodhë që në vend që t’u thuhet atyre: "Ju nuk jeni populli im," do t’u thuhet atyre: "Jeni bijtë e Perëndisë së gjallë".

11 Pastaj bijtë e Judës dhe bijtë e Izraelit do të bashkohen tok, do të zgjedhin për veten e tyre një prijës të vetëm dhe do të dalin jashtë vendit të tyre, sepse e madhe do të jetë dita e Jezreelit".

"U thoni vëllezërve tuaj: "Ami," dhe motrave tuaja "Ruhamah".

Veprat e Apostujve 20:1-16

20 Si pushoi trazira, Pali i thirri dishepujt pranë vetes, i përqafoi dhe u nis për të vajtur në Maqedoni.

Dhe si i përshkoi ato krahina dhe u dha shumë këshilla, shkoi në Greqi.

Dhe mbasi kaloi atje tre muaj, duke qenë se Judenjtë kishin kurdisur një komplot kundër tij kur përgatitej të lundronte për në Siri, vendosi të kthehet nga ana e Maqedonisë.

Dhe deri në Azi e përcollën Sopatri nga Berea, Aristarku dhe Sekundi nga Thesaloniki, Gai nga Derba dhe Timoteu, dhe Tikiku e Trofimi nga Azia.

Këta ishin nisur para nesh dhe na prisnin në Troas.

Kurse ne u nisëm nga Filipi, pas ditëve të të Ndormëve, dhe për pesë ditë i arritëm në Troas, ku qëndruam shtatë ditë.

Ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjati fjalën deri në mesnatë.

Dhe në sallën ku ishim mbledhur kishte shumë llamba.

Një djalosh me emër Eutik, që ishte ulur në parvazin e dritares, e zuri një gjumë i rëndë; dhe, ndërsa Pali e çoi fjalën gjatë, e zuri gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur.

10 Por Pali, si zbriti, ra mbi të, e përqafoi dhe tha: “Mos u shqetësoni, se shpirti i tij është në të.”

11 Atëherë u ngjit përsëri lart, e theu bukën dhe hëngri; dhe, pasi foli gjatë deri në të gdhirë, u nis.

12 Ndërkaq e prunë djalin të gjallë, dhe u ngushëlluan jo pak.

13 Kurse ne, që kishim hipur tashmë në anije, lundruam për në Asos, ku kishim ndër mend të merrnim Palin, sepse kështu kishte caktuar, mbasi donte vetë të shkonte më këmbë.

14 Kur na arriti në Asos, e morëm dhe arritëm në Mitilinë.

15 Lundruam prej andej dhe të nesërmen arritëm përballë Hiosit; një ditë më pas arritëm në Samo dhe, pas një ndalese në Trogjili, arritëm të nesërmen në Milet.

16 Sepse Pali kishte vendosur të lundronte pa u ndalur në Efes, që të mos humbiste kohë në Azi; sepse nxitonte që të ndodhej, po të ishte e mundur, në Jeruzalem ditën e Rrëshajëve.

Luka 4:38-44

38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.

39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t’u shërbejë.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.

41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë.” Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.

42 Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.

43 Por ai u tha atyre: “Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.”

44 Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.