Book of Common Prayer
69 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.
2 Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.
3 Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.
4 Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.
5 O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.
6 Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.
7 Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.
8 Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.
9 Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.
10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.
11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.
12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.
13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.
14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.
15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.
16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.
17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.
18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.
19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.
20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.
21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.
22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.
23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.
24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.
25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,
26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.
27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.
28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.
29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.
30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.
31 Dhe kjo do t’i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.
32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.
33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.
34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.
35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t’i zotërojnë.
36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.
73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.
2 Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.
3 Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.
4 Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.
5 Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.
6 Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.
7 Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.
8 Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.
9 E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.
10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,
11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".
12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.
13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.
14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.
15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.
16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.
17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.
18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.
19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!
20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.
21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,
22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.
23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.
24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.
25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.
26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.
27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.
28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.
1 Në kohën e Asueros, (ai Asuero që mbretëronte nga Indija deri në Etiopi mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina),
2 në atë kohë, kur mbreti Asuero rrinte në fronin e mbretërisë së tij që ishte në kështjellën e Suzës,
3 në vitin e tretë të mbretërimit të tij shtroi një banket për të gjithë princat dhe shërbëtorët e tij; komandantët e ushtrisë së Persisë dhe të Medisë, fisnikët dhe princat e krahinave u mblodhën para tij.
4 Atëherë ai tregoi pasuritë dhe lavdinë e mbretërisë së tij, madhështinë dhe epërsinë e saj për shumë ditë, njëqind e tetëdhjetë ditë.
10 Ditën e shtatë, kur zemra e mbretit ishte e gëzuar për shkak të verës, ai urdhëroi Mehumanin, Bizthan, Harbonan, Bigthan, Abagthan, Zetharin dhe Karkasin, të shtatë eunukët që shërbënin në prani të mbretit Asuero,
11 të sillnin para mbretit mbretëreshën Vashti me kurorën mbretërore, për t’i treguar popullit dhe princave bukurinë e saj; në të vërtetë ajo kishte një pamje të hijshme.
12 Por mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte sipas urdhrit të mbretit që iu njoftua me anë të eunukëve; mbreti u pezmatua shumë dhe zemërimi i tij i ziente përbrenda.
13 Atëherë mbreti pyeti dijetarët që njihnin kohërat (kjo ishte në fakt mënyra e veprimit të mbretit me gjithë ata që njihnin ligjin dhe drejtësinë;
14 me të afërt për të ishin Karshena, Shethari, Admatha, Tarshishi, Meresi, Marsena dhe Memukani, shtatë princa të Persisë dhe të Medisë që pranoheshin të rrinin para mbretit dhe zinin postet e para në mbretëri):
15 "Simbas ligjit çfarë duhet t’i bëhet mbretëreshës Vashti, që nuk zbatoi urdhrin e mbretit Asuero që iu transmetua me anë të eunukëve?".
16 Memukami u përgjigj para mbretit dhe princave: "Mbretëresha Vashti nuk ka vepruar drejt vetëm ndaj mbretit, por edhe ndaj gjithë princave dhe tërë popujve që janë në të gjitha krahinat e mbretit Asuero.
17 Sjellja e mbretëreshës do të merret vesh nga të gjitha gratë që do të nxiten të përçmojnë burrat e tyre dhe të thonë: "Mbreti Asuero kishte urdhëruar që të sillnin para tij mbretëreshën Vashti, por ajo nuk i vajti".
18 Madje që sot princeshat e Persisë dhe të Medisë që kanë marrë vesh sjelljen e mbretëreshës, do t’u flasin gjithë princave të mbretit dhe nga kjo do të lindë shumë përçmim dhe zemërim.
19 Në qoftë se mbretit i duket me vend, le të nxjerrë ai një udhëresë mbretërore që të përfshihet në ligjet e Persisë dhe të Medisë dhe të jetë e parevokueshme, në bazë të së cilës Vashti të mos dalë më në prani të mbretit Asuero; mbreti ti japë pastaj pozitën e saj mbretërore një tjetre më të mirë se ajo.
17 Dhe mbasi kishin kaluar nëpër Amfipoli dhe nëpër Apoloni, arritën në Thesaloniki, ku ishte sinagoga e Judenjve.
2 Dhe Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe tri të shtuna me radhë u paraqiti argumente nga Shkrimet,
3 duke deklaruar dhe duke treguar atyre se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej së vdekurish dhe duke thënë: “Ky Jezusi që unë ju shpall është Krishti.”
4 Disa nga ata besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh Grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të rëndësishme.
5 Por Judenjtë, të cilët nuk kishin besuar, patën smirë dhe morën me vete disa njerëz të këqij nga ata të rrugëve të tregut dhe, si mblodhën një turmë, e bënë rrëmujë qytetin; edhe sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkonin ata për t’i nxjerrë përpara popullit.
6 Por, mbasi nuk i gjetën, e hoqën zvarrë Jasonin dhe disa vëllezër përpara krerëve të qytetit, duke thirrur: “Ata që e kanë bërë rrëmujë botën, kanë ardhur edhe këtu,
7 dhe Jasoni këta i priti; të gjithë këta veprojnë kundër statuteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi.”
8 Edhe nxitën popullin dhe krerët e qytetit, që i dëgjonin këto gjëra.
9 Por ata, mbasi morën një dorëzani nga Jasoni dhe nga të tjerët, i lejuan të shkojnë.
10 Atëherë vëllezërit menjëherë natën i nisën Palin dhe Silën për në Berea dhe ata, sapo arritën atje, hynë në sinagogën e Judenjve.
11 Por këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.
12 Shumë nga ata, pra, besuan bashkë me një numër jo të vogël grash fisnike greke dhe burrash.
13 Por, kur Judenjtë e Thesalonikit morën vesh se fjala e Perëndisë ishte shpallur nga Pali edhe në Berea, shkuan edhe atje dhe e turbulluan turmën.
14 Atëherë vëllezërit e nisën menjëherë Palin në drejtim të detit, por Sila dhe Timoteu qëndruan atje.
15 Ata që i prinin Palit e çuan deri në Athinë; pastaj, mbasi morën porosi për Silën dhe Timoteun që të arrijnë sa më parë tek ai, u kthyen prapa.
36 “Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës.” Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.
37 Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të,
38 që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: “Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?.”
39 Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha:
40 “Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.”
41 Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.
42 Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga,
43 sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.