Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 89

89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.

Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".

"Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:

"Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)

Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.

Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?

Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.

Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.

10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.

11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.

12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.

13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.

14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.

15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;

16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.

17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.

18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.

19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.

20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.

21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.

22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.

23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.

24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.

25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.

26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".

27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.

28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.

29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.

30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,

31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,

32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,

33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.

34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.

35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;

36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,

37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)

38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.

39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.

40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.

41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.

42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.

43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.

44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.

45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)

46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?

47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?

48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)

49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?

50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,

51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.

52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!

Gjyqtarët 12:1-7

12 Njerëzit e Efraimit u mblodhën, kaluan në Tsafon dhe i thanë Jefteut: Pse shkove të luftosh kundër bijve të Amonit dhe nuk na thirre të vininn bashkë me ty? Ne do t’i vëmë zjarrin shtëpisë sate bashkë me ty brenda".

Jefteu iu përgjegj atyre: "Unë dhe populli im kemi pasur një grindje të madhe me bijtë e Amonit; dhe kur ju kërkova ndihmë nuk më liruat nga duart e tyre.

Kështu, duke parë se nuk më vinit në ndihmë, vura në rrezik jetën time dhe marshova kundër bijve të Amonit, dhe Zoti m’i dha në duart e mia. Pse, pra, jeni ngritur sot kundër meje për të më luftuar?".

Pastaj Jefteu mblodhi tërë njerëzit e Galaadit dhe u ndesh me Efraimin; dhe njerëzit e Galaadit e mundën Efraimin, sepse këta thonin: "Ju Galaaditët jeni ikanakë të Efraimit në mes të Efraimit dhe në mes të Manasit!".

Njerëzit e Galaadit zunë vatë e Jordanit para se të arrinin ata të Efraimit; kështu kur ndonje nga ikanakët e Efraimit thoshte: "M lini të kaloj," njerëzit e Galaadit e pyesnin: "A je ti një Efraimit?". Në rast se ai përgjigjej: "Jo," Galaaditët i thonin:

"Atëherë thuaj Shiboleth; në rast se ai thoshte "Shiboleth," sepse nuk mund ta shqiptonte si duhet, e kapnin dhe e vrisnin pranë vaut të Jordanit. Në atë kohë u vranë në këtë mënyrë dyzet e dy mijë njerëz të Efraimit.

Jefteu ushtroi funksionin e gjyqtarit gjashtë vjet me radhë. Pastaj Jefteu, Galaaditi, vdiq dhe u varros në një nga qytetet e Galaadit.

Veprat e Apostujve 5:12-26

12 Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit.

13 Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte.

14 Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash,

15 aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.

16 Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin.

17 Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,

18 dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.

19 Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha:

20 “Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete.”

21 Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t’i sjellë apostujt.

22 Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre,

23 duke thënë: “Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda.”

24 Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç’donte të thoshte gjithë kjo punë.

25 Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: “Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin.”

26 Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.

Gjoni 3:1-21

Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i Judenjve.

Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: “Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të.”

Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.”

Nikodemi i tha: “Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?.”

Jezusi u përgjigj: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë.

Mos u mrrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri".

Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma.”

Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: “Si mund të ndodhin këto gjëra?.”

10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?

11 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që pamë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë.

12 Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore?

13 Askush nuk u ngjit në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut që është në qiell.

14 Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut,

15 që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

16 Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.

18 Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

19 Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.

20 Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;

21 por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë.”