Book of Common Prayer
16 Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti.
2 I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje".
3 Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë.
4 Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t’i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre.
5 Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.
6 Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.
7 Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.
8 Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.
9 Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,
10 sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.
11 Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.
17 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.
2 Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.
3 Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.
4 Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.
5 Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.
6 Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m’i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.
7 Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.
8 Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,
9 nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.
10 Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë.
11 Tani në kanë rrethuar, ndjekin hapat tona; na ngulin sytë e tyre për të na rrëzuar.
12 Armiku im i përngjan një luani që digjet nga dëshira që të shqyejë, dhe të një luani të vogël që rri në pritë në vënde të fshehta.
13 Çohu, o Zot, përballoje, rrëzoje; çliro shpirtin tim nga i pabesi me shpatën tënde.
14 O Zot, më çliro me dorën tënde nga njerëzit, nga njerëzit e kësaj bote që bën pjesë në këtë jetë, dhe barkun e të cilëve ti e mbush me thesaret e tua të fshehta; bijtë e tyre ngopen dhe u lënë fëmijëve të tyre ato që mbetet nga pasuritë e tyre.
15 Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.
22 Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?
2 O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.
3 Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.
4 Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.
5 Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.
6 Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.
7 Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,
8 duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".
9 Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.
10 Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.
11 Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.
12 Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;
13 ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.
14 Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.
15 Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.
16 Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.
17 Unë mund t’i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.
18 Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.
19 Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.
20 Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.
21 Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m’u përgjigje.
22 Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.
23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.
24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.
25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t’i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.
26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
29 Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.
30 Pasardhësit do t’i shërbejnë; do t’i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.
31 Ata do të vijnë dhe do t’i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.
9 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
2 "Po, unë e di që është kështu, por si mund të jetë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?
3 Në rast se dikush dëshiron të diskutojë me të, nuk mund t’i përgjigjet veçse një herë mbi një mijë.
4 Perëndia është i urtë nga zemra dhe i fuqishëm nga forca, kush, pra, u fortësua kundër tij dhe i shkoi mbarë?
5 Ai vendos malet dhe ato nuk e dijnë që ai i përmbys në zemërimin e tij.
6 Ai e tund dheun nga vendi i tij, dhe kollonat e tij dridhen.
7 Urdhëron diellin, dhe ai nuk lind, dhe vulos yjet.
8 I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit.
9 Ka bërë Arushën dhe Orionin, Plejadat dhe krahinat e jugut.
10 Ai bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të hetohen, po, mrekulli të panumërta.
11 Ja, më kalon afër dhe nuk e shoh, kalon tutje dhe nuk e kuptoj.
12 Ja, ai kap gjahun dhe kush mund t’ia rimarrë? Kush mund t’i thotë: Çfarë po bën??".
13 Perëndia nuk e tërheq zemërimin e tij; poshtë tij përkulen ndihmësit e Rahabit.
14 Si mund t’i përgjigjem, pra, dhe të zgjedh fjalët e mia për të diskutuar me të?
15 Edhe sikur të kisha të drejtë, nuk do të kisha mundësi t’i përgjigjem, por do t’i kërkoja mëshirë gjyqtarit tim.
32 Në të vërtetë ai nuk është një njeri si unë, të cilit mund t’i përgjigjemi dhe të dalim në gjyq bashkë.
33 Nuk ka asnjë arbitër midis nesh, që të vërë dorën mbi ne të dy.
34 Le të largojë nga unë shkopin e tij, tmerri i tij të mos më trembë.
35 Atëherë do të mund të flas pa pasur frikë prej tij, sepse nuk jam kështu me veten time.
34 Atëherë Pjetri hapi gojën dhe tha: “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm;
35 por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai,
36 sipas fjalës që ai u ka dhënë bijve të Izraelit, duke u shpallur paqen me anë të Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve.
37 Ju e dini se ç’ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Gjoni:
38 se si Perëndia vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin prej Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të.
39 Dhe ne jemi dëshmitarë për të gjitha ato që ai bëri në vendin e Judesë dhe në Jeruzalem; dhe se si ata e vranë, duke e varur në një dru.
40 Por Perëndia e ringjalli të tretën ditë dhe e bëri që ai të dëftohet,
41 jo mbarë popullit, por dëshmitarëve të paracaktuar nga Perëndia, neve, që hëngrëm dhe pimë me të, mbasi ai u ngjall së vdekuri.
42 Tani ai na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë se ai është ai që Perëndia e ka caktuar si gjykatës të të gja-llëve dhe të të vdekurve.
43 Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët, që kushdo që beson në të merr faljen e mëkateve me anë të emrit të tij.”
44 Ndërsa Pjetri ende po i thoshte këto fjalë, Fryma e Shenjtë zbriti mbi të gjithë ata që po e dëgjonin fjalën.
45 Dhe të gjithë besimtarët që ishin të rrethprerë, të cilët kishin ardhur me Pjetrin, u mrekulluan që dhurata e Frymës se Shenjtë u shpërnda edhe mbi johebrenjtë,
46 sepse i dëgjonin duke folur gjuhë të tjera dhe duke madhëruar Perëndinë. Atëherë Pjetri filloi të thotë:
47 “A mund ta ndalojë dikush ujin, që të mos pagëzohen këta që kanë marrë Frymën e Shenjtë pikërisht si ne?.”
48 Kështu ai urdhëroi që ata të pagëzoheshin në emër të Zotit Jezus. Ata pastaj iu lutën të qëndronte disa ditë me ta.
37 Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.
38 Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.”
39 Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.
40 Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!.”
41 Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti.” Kurse të tjerë thoshnin: “Vallë nga Galilea vjen Krishti?
42 A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?.”
43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.
44 Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.
45 Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: “Pse nuk e sollët?.”
46 Rojet u përgjigjen: “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.”
47 Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: “Mos u gënjyet edhe ju?
48 Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?
49 Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar.”
50 Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:
51 “Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç’ka bërë ai?.”
52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s’ka dalë kurrë profet.”