Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 75-76

75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.

Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.

Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)

U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!

Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".

Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.

Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.

Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.

Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.

10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.

76 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael.

Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion.

Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela)

Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë.

Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij.

Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur.

Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh?

Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti,

kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela)

10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre.

11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t’i çojnë dhurata të Tmerrshmit.

12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës.

Psalmet 23

23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.

Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.

Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.

Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.

Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.

Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.

Psalmet 27

27 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?

Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë.

Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim.

Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.

Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.

Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.

O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.

Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.

Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.

10 Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.

11 O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi.

12 Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën.

13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!

14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.

Gjyqtarët 5:19-31

19 Mbretërit erdhën dhe luftuan; atëherë luftuan mbretërit e Kanaanit dhe të Taanakit, pranë ujërave të Megidos; por nuk suallën asnjë plaçkë prej argjendi.

20 Nga qielli luftuan yjet, gjatë lëvizjes së tyre luftuan kundër Siseras.

21 Përroi Kishon i përmbysi, përroi i vjetër, përroi i Kishonit. Shpirti im, vepro me forcë!

22 Atëherë thundrat e kuajve trokëllinin me forcë në galop, në galopin e pitokëve të tyre.

23 "Mallkoni Merozin," tha Engjëlli i Zotit, "mallkoni, mallkoni banorët e tij, sepse nuk i shkuan në ndihmë Zotit, në ndihmë të Zotit në mes të trimave të tij!".

24 E bekuar qoftë midis grave Jaela, gruaja e Heberit, Keneut! Qoftë e bekuar midis grave që banojnë në çadra!

25 Ai kërkoi ujë dhe ajo i dha qumësht; në një kupë princash i ofroi ajkë.

26 Me një dorë kapi kunjin dhe me dorën e djathtë çekiçin e artizanëve; e goditi Siseran, i çau kokën dhe ia shpoi tejpërtej tëmthat.

27 Te këmbët e saj ai u këput, ra dhe u dergj pa shpirt; në këmbët e saj u këput dhe ra; aty ku u këput, aty ra i vdekur.

28 E ëma e Siseras shikoi nga dritarja dhe thirri nga hekurat e saj: "Pse qerrja jote po vonon aq shumë të vijë? Pse ecin kaq ngadalë qerret e tij?".

29 Gratë e saj më të urta iu përgjegjën, dhe ajo përsëriti me vete fjalët e saj:

30 "Ata kanë gjetur plaçkë dhe janë duke e ndarë në pjesë. Për çdo burrë një ose dy vajza; për Siseran një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe, një plaçkë me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura, me rroba shumëngjyrëshe dhe të qëndisura nga të dy anët për shpatullat e atyre që bartin tutje plaçkën".

31 Kështu u zhdukshin të gjithë armiqtë e tu, o Zot! Por ata që të duan qofshin si dielli, kur lind me gjithë forcën e tij!". Pastaj vendi pati qetësi për dyzet vjet me radhë.

Veprat e Apostujve 2:22-36

22 Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini,

23 ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.

24 Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë.

25 Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem.

26 Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë.

27 Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.

28 Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde".

29 Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.

30 Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t’u ulur mbi fronin e tij;

31 dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.

32 Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!

33 Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.

34 Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time,

35 derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!".

36 Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.”

Mateu 28:11-20

11 Ndërsa ato po shkonin, ja që disa nga rojtarët arritën në qytet dhe u raportuan krerëve të priftërinjve të gjitha ato që kishin ndodhur.

12 Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t’u japin ushtarëve një shumë të madhe denarësh,

13 duke u thënë atyre: “Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.

14 Dhe në qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos kini merak.”

15 Dhe ata i morën denarët dhe bënë ashtu si i kishin mësuar, dhe kjo e thënë u përhap ndër Judenjtë deri ditën e sotme.

16 Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi

17 dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.

18 Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.

19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,

20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.”