Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 80

80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.

Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.

O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?

Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.

Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.

O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.

Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.

Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.

10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.

11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.

12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?

13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.

14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht

15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.

16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.

17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.

18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.

19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.

Psalmet 77

77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.

Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.

Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)

Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.

Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.

Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.

A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?

Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?

Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)

10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".

11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,

12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.

13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?

14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.

15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)

16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.

17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.

18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.

19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.

20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.

Psalmet 79

79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.

Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.

Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.

Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.

Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?

Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,

sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.

Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.

Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.

10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.

11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.

12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.

13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.

Gjyqtarët 6:25-40

25 Po atë natë Zoti i tha: "Merr demin e atit tënd dhe demin e dytë shtatëvjeçar, shemb altarin e Baalit që i përket atit tënd, dhe rrëzo Asherahun që i qendron afër;

26 pastaj ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd, në majë të këtij shkëmbi simbas rregullit të caktuar; pastaj merr demin e dytë dhe ofroje si olokaust mbi lëndën e drurit të Asherahut që do të kesh rrëzuar".

27 Atëherë Gedeoni mori dhjetë burra në mes të shërbëtorëve të tij dhe veproi ashtu siç i kishte thënë Zoti; por me qenë se kishte frikë nga shtëpia e atit të tij dhe nga njerëzit e qytetit, në vend që ta bënte këtë punë ditën, e bëri natën.

28 Kur të nesërmen në mëngjes njerëzit e qytetit u ngritën, panë që altari i Baalit ishte shembur, që Asherahu që ndodhej pranë tij ishte rrëzuar dhe që demi i dytë ishte ofruar si olokaust mbi altarin që ishte ndërtuar.

29 Dhe i thanë njeri tjetrit: "Kush e bëri këtë?". Kur pastaj u informuan dhe pyetën, atyre u thanë: "Gedeoni, bir i Joashit, e bëri këtë".

30 Atëherë njerëzit e qytetit i thanë Joashit: "Nxirr jashtë birin tënd dhe të dënohet me vdekje se ka shembur altarin e Baalit dhe ka rrëzuar Asherahun që ndodhej pranë tij".

31 Joashi iu përgjegj të gjithë atyre që ishin ngritur kundër tij: "Ju doni ta mbroni çështjen e Baalit ose ta ndihmoni atë? Ai që do të kërkojë të mbrojë çështjen e tij do të vritet para mëngjesit të ditës së nesërme. Në rast se ai është zoti, le ta mbrojë vetë çështjen e tij, sepse i kanë shembur altarin e tij".

32 Prandaj atë ditë Gedeoni u mbiquajt Jerubaal, sepse u tha: "Le të jetë Baali që të luftojë kundër tij, sepse ai ia ka shembur atij altarin".

33 Tërë Madianitët, Amalekitët dhe bijtë e lindjes u mblodhën, kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në luginën e Jizreelit.

34 Por Fryma e Zotit depërtoi te Gedeoni që i ra borisë; dhe Abiezeritët u thirrën që t’i shkonin pas.

35 Ai dërgoi lajmëtarë edhe në tërë Manasin, i cili u thirr gjithashtu që t’i shkonte pas; dërgoi lajmëtarë edhe te fiset e Asherit, të Zabulonit dhe të Neftalit, të cilët u nisën për të takuar të tjerët.

36 Pastaj Gedeoni i tha Perëndisë: "Në rast se ke ndër mend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë,

37 ja, unë do të vë një gëzof me lesh te lëmi: në rast se do të ketë vesë vetëm mbi gëzofin dhe gjithë vendi rreth e qark do të mbetet i thatë, atëherë do të kuptoj se ke ndërmend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, ashtu si ke thënë".

38 Dhe kështu ndodhi. Të nesërmen në mëngjes Gedeoni u ngrit herët, shtrydhi gëzofin dhe prej tij doli një kupë plot me ujë.

39 Por Gedeoni i tha akoma Perëndisë: Mos u ndeztë zemërimi yt kundër meje; unë do të flas edhe një herë. Më lër ta bëj provën edhe një herë tjetër vetëm. Le të mbetet i thatë vetëm gëzofi dhe të ketë vesë mbi të gjithë vendin rreth e qark".

40 Dhe Perëndia veproi ashtu atë natë; vetëm gëzofi mbeti i thatë, dhe pati vesë mbi të gjithë tokën rreth e qark.

Veprat e Apostujve 2:37-47

37 Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: “Vëllezër, ç’duhet të bëjmë?.”

38 Atëherë Pjetri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.

39 Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë.”

40 Dhe me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: “Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!.”

41 Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta.

42 Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje.

43 Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve.

44 Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët.

45 Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit.

46 Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre,

47 duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.

Gjoni 1:1-18

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.

Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.

Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.

Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.

Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.

Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;

ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.

Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.

10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.

11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,

12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,

13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.

14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje".”

16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.

17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.

18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.