Book of Common Prayer
72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
3 Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.
4 Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.
10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.
11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.
12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.
15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.
16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.
17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.
18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.
19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.
20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.
1 Ishte një njeri nga Ramathaim-Tsofini, nga zona malore e Efraimit, që quhej Elkanah; ishte bir i Jerohamit, bir i Elihut, bir i Tohut dhe bir i Efraimitit Tsuf.
2 Ai kishte dy gra: e para quhej Ana dhe tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte.
3 Çdo vit ky njeri nisej nga qyteti i tij për të adhuruar dhe për t’i ofruar flijime Zotit të ushtërive në Shiloh, ku gjendeshin dy bijtë e Efraimit, Hofni dhe Finehasi, priftërinj të Zotit.
4 Kur i vinte dita Elkanahut të ofronte flijimin, ai kishte zakon t’u jepte pjesën që u takonte gruas së tij Penina dhe pjesët gjithë bijve dhe bijave të tij;
5 por Anës i jepte një pjesë të dyfishtë, sepse e donte Anën, megjithëse Zoti ia kishte mbyllur barkun.
6 Por shemra e saj e ngacmonte vazhdimisht për ta zëmëruar, sepse Zoti ia kishte mbyllur barkun.
7 Kështu ndodhte çdo vit; sa herë që Ana ngjitej në shtëpinë e Zotit, Penina e ngacmonte; prandaj ajo qante dhe nuk hante më.
8 Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?".
9 Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit.
10 Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë.
11 Pastaj lidhi një kusht, duke thënë: "O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t’i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t’ja jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij".
12 Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj.
13 Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur.
14 Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!".
15 Por Ana u përgjegj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frym dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit.
16 Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qënë dhëmbja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani".
17 Atëherë Eli iu përgjegj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove".
18 Ajo u përgjegj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar.
19 Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të.
20 Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit".
3 Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin,
2 i cili është besnik ndaj atij që e bëri, ashtu si qe edhe Moisiu në tërë shtëpinë e tij.
3 Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia.
4 sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.
5 Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për të dëshmuar për të gjitha gjërat që duheshin thënë,
6 por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.
2 Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.
3 Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.
4 Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.
5 I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.
6 Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.
7 Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,
8 që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.
9 Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.
10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.
11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.
13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.
14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.
15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.
16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.
17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?
18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.
19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.
20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.
25 Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit.
26 Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: “Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai.”
27 Gjoni u përgjigj dhe tha: “Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.
28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij".
29 Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar!
30 Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.