Book of Common Prayer
33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.
2 Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.
3 Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.
4 Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.
5 Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.
6 Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.
7 Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.
8 Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.
9 Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.
10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.
11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.
12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.
13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.
15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.
16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.
18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.
20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.
3 Pastaj Moisiu u ngjit drejt Perëndisë; dhe Zoti i thirri nga mali, duke i thënë: "Kështu do t’i thuash shtëpisë së Jakobit dhe këtë do t’u njoftosh bijve të Izraelit:
4 "Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje.
5 Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja.
6 Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’u thuash bijve të Izraelit"".
7 Atëherë Moisiu dërgoi e thirri pleqtë e popullit, dhe u tha tërë këto fjalë që Zoti kishte urdhëruar të thoshte.
8 Dhe tërë populli u përgjigj bashkë dhe tha: "Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti". Kështu Moisiu i raportoi Zotit fjalët e popullit.
16 Ditën e tretë, sa u bë mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima; mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh.
17 Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi për ta çuar përballë Perëndisë; dhe ata qëndruan në këmbët e malit.
18 Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre, dhe tërë mali dridhej fort.
19 Ndërsa zëri i borisë po bëhej gjithnjë më i fortë, Moisiu fliste, dhe Perëndia i përgjigjej me një zë gjëmues.
20 Zoti zbriti pra mbi malin e Sinait, në majë të tij; pastaj Zoti thirri Moisiun në majë të malit dhe Moisiu u ngjit atje.
4 Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë,
5 edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit.
6 Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak.”
7 Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: “Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen.”
8 Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar.
9 Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;
10 ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.