Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 78

78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.

Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.

Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,

nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.

Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,

me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,

dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;

dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.

Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,

10 nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,

11 harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.

12 Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.

13 Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.

14 Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.

15 I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.

16 Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.

17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,

18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.

19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?

20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t’i japë bukë dhe mish popullit të tij?

21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,

22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.

23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,

24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.

25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.

26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,

27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.

28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.

29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.

30 Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,

31 kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.

32 Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.

33 Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.

34 Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.

35 Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.

36 Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.

37 Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.

38 Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,

39 duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.

40 Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!

41 Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.

42 Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,

43 kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;

44 i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.

45 Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t’i hanin dhe bretkosa që t’i shkatërronin.

46 Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.

47 I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.

48 Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.

49 Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.

50 I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.

51 I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.

52 Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.

53 I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.

54 Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.

55 I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.

56 Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.

57 U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;

58 provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.

59 Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.

60 Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;

61 dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.

62 Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.

63 Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.

64 Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.

65 Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.

66 I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.

67 Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,

68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.

69 Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.

70 Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,

71 dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.

72 Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.

Levitiku 26:1-20

26 "Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Do të respektoni të shtunat e mia dhe do të respektoni shenjtëroren time. Unë jam Zoti.

Në rast se silleni simbas statuteve të mia, në se respektoni urdhrat e mia dhe i zbatoni në praktikë,

unë do t’ju jap shirat simbas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre.

Të shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t’ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqia dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj.

Ju do t’i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.

Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.

Unë do të kthehem nga ju, do t’ju bëj pjellorë dhe do t’ju shumzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen time me ju.

10 Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t’i bërë vend prodhimit të ri.

11 Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t’ju përzë.

12 Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im.

13 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, që të mos ishit më skllevërit e tij; e kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart.

14 Por në rast se nuk më dëgjoni dhe nuk zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet e mia,

15 në rast se përçmoni statutet e mia dhe shpirti juaj hedh poshtë dekretet e mia, duke mos zbatuar në praktikë të gjithë urdhërimet e mia, duke shkelur besëlidhjen time,

16 edhe unë do ta bëj këtë për ju: do të çoj kundër jush tmerrin, ligështimin dhe ethet, të cilët do të konsumojnë sytë tuaj dhe do ta bëj jetën tuaj të meket; dhe do ta mbillni kot farën tuaj, sepse do ta hanë armiqtë tuaj.

17 Do ta kthej fytyrën time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t’ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t’ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush.

18 Dhe në qoftë se edhe mbas kësaj nuk më dëgjoni, unë do t’ju dënoj shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja.

19 Do ta thyej kryelartësinë e forcës suaj, do ta bëj qiellin tuaj si hekur dhe tokën tuaj si bakër.

20 Forca juaj do të konsumohet më kot, sepse toka juaj nuk do të japë më prodhimet e saj, dhe drurët e fushës nuk do të japin më frutat e tyre.

1 Timoteut 2:1-6

Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit,

për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.

Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,

i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës.

Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri,

i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar,

Mateu 13:18-23

18 Juve pra kuptoni shëmbëlltyrën e mbjellësit.

19 Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës.

20 Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim;

21 por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.

22 Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme.

23 Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish.