Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 89

89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.

Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".

"Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:

"Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)

Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.

Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?

Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.

Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.

10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.

11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.

12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.

13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.

14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.

15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;

16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.

17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.

18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.

19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.

20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.

21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.

22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.

23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.

24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.

25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.

26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".

27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.

28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.

29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.

30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,

31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,

32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,

33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.

34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.

35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;

36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,

37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)

38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.

39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.

40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.

41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.

42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.

43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.

44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.

45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)

46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?

47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?

48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)

49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?

50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,

51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.

52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!

Jozueu 1:1-9

Mbas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, ndodhi që Zoti i foli Jozueut, djalit të Nunit, që i shërbente Moisiut, dhe i tha:

"Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit.

Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut.

Territori yt do të shtrihet nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit, nga tërë vendi i Hitejve deri në Detin e Madh, në perëndim.

Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.

Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre.

Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh.

Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.

A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh".

Efesianëve 3:1-13

Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë,

dhe nëse keni dëgjuar për dhënien e hirit të Perëndisë, që më është besuar për ju;

se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë.

Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit,

që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës,

që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit,

shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhunëtisë së hirit të Perëndisë që m’u dha në sajë të fuqisë së tij.

Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit,

dhe për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit;

10 që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushtetëve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë,

11 sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë,

12 në të cilin kemi lirinë dhe hyrjen te Perëndia në mirëbesimin nëpërmjet besimit në të.

13 Për këtë arsye ju lutem që të mos dekurajoheni për shkak të mundimeve të mia që vuaj për ju, e cila është lavdia juaj.

Mateu 8:5-17

Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,

dhe duke thënë: “O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”

Dhe Jezusi i tha: “Do të vij dhe do ta shëroj.”

Centurioni duke u përgjigjur i tha: “Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.

Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t’i them dikujt: "Shko," ai shkon; dhe po t’i them një tjetri: Eja,," ai vjen; dhe po t’i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë," ai e bën.”

10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: “Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.

11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,

12 por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve.”

13 Dhe Jezusi i tha centurionit: “Shko dhe u bëftë ashtu si besove!.” Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.

14 Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.

15 Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t’u shërbejë.

16 Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,

17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona.”