Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 40

40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.

Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.

Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.

O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.

Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".

16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

Psalmet 54

54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.

O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.

Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)

Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.

Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.

Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;

sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.

Psalmet 51

51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.

Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,

Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.

Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.

Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.

Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.

Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.

Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.

Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.

10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.

11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.

12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.

13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.

14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.

15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.

16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.

17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.

18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.

19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.

Eksodi 34:18-35

18 Do të kremtosh festën e të ndormeve. Shtatë ditë me radhë do të hash bukë pa maja, ashtu siç të kam urdhëruar në kohën e caktuar, në muajin e Abibit, sepse në muajin e Abibit ti ke dalë nga Egjipti.

19 Kushdo që çel barkun është imi; është imja çdo pjellë e parë mashkull të të gjithë bagëtisë sate, qoftë e trashë ose e imët.

20 Do të shpengosh me një qengj pjellën e parë mashkull të gomarit; po të jetë se nuk do ta shpengosh, do t’i thyesh qafën. Do të shpengosh edhe çdo të parëlindur të bijve të tu. Asnjeri nuk do të paraqitet para meje duarbosh.

21 Do të punosh gjashtë ditë; por ditën e shtatë do të pushosh: do të pushosh edhe në kohën e lërimit dhe të korrjes.

22 Do të kremtosh festën e javëve, domethënë, të prodhimit të parë të korrjes së grurit dhe festën e të vjelave në fund të vitit.

23 Tri herë në vit do të paraqitet çdo mashkull i juaj para Perëndisë, Zotit, Perëndisë të Izraelit.

24 Sepse unë do të dëboj kombe para teje dhe do të zgjeroj kufijtë e tu, dhe askush nuk do të dëshirojë vendin tënd, kur do të ngjitesh tri herë në vit, për të dalë përpara Zotit, Perëndisë tënd.

25 Nuk do të ofrosh me bukë të mbrujtur gjakun e viktimës së flijuar për mua; flia e festës së Pashkës nuk do të lihet deri në mëngjes.

26 Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, prodhimet e para të fryteve të tokës sate. Nuk do ta gatuash kecin në qumështin e nënës së tij".

27 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shkruaji këto fjalë, sepse mbi bazën e këtyre fjalëve kam përfunduar një aleancë me ty dhe me Izraelin".

28 Kështu Moisiu mbeti aty me Zotin dyzet ditë dhe dyzet net; nuk hëngri bukë as piu ujë. Dhe Zoti shkroi mbi pllakat fjalët e besëlidhjes, dhjetë urdhërimet.

29 Por Moisiu, kur zbriti nga mali i Sinait (duke zbritur nga mali Moisiu kishte në dorë dy pllakat e dëshmisë), nuk e dinte që lëkura e fytyrës së tij qe bërë rrëzëllyese, sepse kishte qenë të fliste me Zotin.

30 Kështu, kur Aaroni dhe tërë bijtë e Izraelit panë Moisiun, ja, që lëkura e fytyrës së tij ishte rrëzëllyese dhe ata kishin frikë t’i afroheshin atij.

31 Por Moisiu i thirri dhe Aaroni dhe tërë krerët e asamblesë u rikthyen tek ai, dhe Moisiu u foli atyre.

32 Pastaj, tërë bijtë e Izraelit u afruan, dhe ai i urdhëroi të bënin të gjitha ato që Zoti i kishte thënë në malin Sinai.

33 Mbasi Moisiu mbaroi së foluri me ta, vuri një vel mbi fytyrën e tij.

34 Por kur Moisiu hynte përpara Zotit për të biseduar me atë, hiqte velin deri sa të dilte jashtë; duke dalë jashtë, u tregonte bijve të Izraelit ato që e kishin urdhëruar të bënte.

35 Bijtë e Izraelit, duke parë fytyrën e Moisiut, shihnin se lëkura e tij rrëzëllente; pastaj Moisiu vinte përsëri velin mbi fytyrën e tij, deri sa hynte të fliste me Zotin.

1 Thesalonikasve 3

Prandaj, mbasi nuk mundëm më të rezistonim, na u duk e pëlqyeshme të të qëndrojmë, të vetëm, në Athinë,

dhe dërguam Timoteun, vëllanë tonë dhe shërbenjës të Perëndisë, dhe bashkëpunëtorin tonë në predikimin e ungjillit të Krishtit, që t’ju fuqizojë dhe t’ju japë zemër në besimin tuaj,

që të mos lëkundet askush në këto pikëllime, sepse ju e dini vetë se për këtë jemi caktuar.

Sepse, edhe kur ishim midis jush, ju parashikuam se do të heqim vështirësi, pikërisht sikurse ndodhi, dhe ju këtë e dini.

Për këtë arsye edhe unë, mbasi nuk rezistoja më, dërgova të marr vesh për besimin tuaj, se mos ju kishte tunduar tunduesi, dhe mundimi ynë të kishte shkuar kot.

Por tani që u kthye Timoteu prej jush dhe na solli lajme të mira për besimin dhe dashurinë tuaj, dhe se ju ruani gjithnjë një kujtim të mirë për ne dhe keni mall të madh që të na shihni, sikurse edhe ne t’ju shohim juve,

prandaj, o vëllezër, ne u ngushëlluam për ju, me gjithë pikëllimin dhe vuajtjet tona, për hir të besimit tuaj,

sepse tani rrojmë me të vërtetë, në qoftë se ju qëndroni të patundur në Zotin.

Sepse çfarë falënderimi mund t’i drejtojmë Perëndisë për ju, për gjithë gëzimin që ndiejmë për shkakun tuaj përpara Perëndisë sonë,

10 duke u lutur shumë, natë e ditë, që të shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit tuaj?

11 Po vetë Perëndia, Ati ynë, dhe Zoti ynë Jezu Krishti e sheshoftë rrugën tonë për te ju.

12 Dhe Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njeri tjetrin dhe për të gjithë, ashtu si edhe ne ndaj jush,

13 për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij. Amen.

Mateu 5:27-37

27 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën".

28 Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.

29 Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt;

30 dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt.

31 Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t’i japë letrën e ndarjes".

32 Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.

33 Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit".

34 Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë,

35 as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.

36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku;

37 Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.