Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 80

80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.

Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.

O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?

Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.

Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.

O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.

Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.

Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.

10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.

11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.

12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?

13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.

14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht

15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.

16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.

17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.

18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.

19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.

Psalmet 77

77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.

Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.

Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)

Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.

Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.

Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.

A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?

Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?

Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)

10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".

11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,

12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.

13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?

14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.

15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)

16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.

17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.

18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.

19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.

20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.

Psalmet 79

79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.

Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.

Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.

Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.

Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?

Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,

sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.

Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.

Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.

10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.

11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.

12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.

13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.

Levitiku 25:35-55

35 Në rast se vëllai yt varfërohet dhe ndodhet ngushtë në mes tuaj, ti do ta përkrahësh si të huaj dhe si mik që të mund të jetojë pranë teje.

36 Mos nxirr nga ai asnjë përfitim ose dobi; por ki frikë nga Perëndia yt, dhe vëllai yt do të jetojë pranë teje.

37 Nuk do t’i japësh hua paratë e tua me kamatë, as do t’i japësh ushqimet e tua për të nxjerrë ndonjë përfitim.

38 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit që t’ju jap vendin e Kanaanit dhe që të jem Perëndia juaj.

39 Në rast se vëllai yt që jeton pranë teje bëhet i varfër dhe shitet te ti, nuk do ta detyrosh të të shërbejë si skllav,

40 por do të rrijë pranë teje si argat dhe si mik; do të të shërbejë deri në vitin e jubileut.

41 Atëherë do të largohet prej teje, ai dhe bijtë e tij, dhe do të kthehet në familjen e tij; kështu do të rifitojë pronën e etërve të tij.

42 Sepse ata janë shërbëtorët e mi, që unë i kam nxjerrë nga vendi i Egjiptit; nuk duhet, pra, të shiten si shiten skllevërit.

43 Nuk do ta sundosh me ashpërsi, por të kesh frikë Perëndinë tënd.

44 Sa për skllavin dhe skllaven që mund të kesh, do t’i marrësh nga kombet që ju rrethojnë; prej tyre do të blini skllavin dhe skllaven.

45 Mund të blini gjithashtu skllevër ndër bijtë e të huajve që jetojnë midis jush dhe midis familjeve të tyre që gjenden midis jush dhe që kanë lindur në vendin tuaj; ata do të jenë pronë e juaj.

46 Dhe mund t’ua lini si trashëgim bijve tuaj pas jush, si pronë e tyre; mund t’i shfrytëzoni si skllevër për gjithnjë; por, sa për vëllezërit tuaj, bijtë e Izraelit, askush nuk do të sundojë mbi tjetrin me ashpërsi.

47 Në rast se një i huaj që jeton pranë teje pasurohet dhe vëllai yt që jeton pranë tij varfërohet, dhe i shitet të huajit ose mikut që ndodhet pranë teje, ose dikujt nga familja e të huajit,

48 pas shitjes së tij, mund të blihet përsëri; mund ta riblejë një nga vëllezërit e tij.

49 Mund ta riblejë ungji i tij ose biri i ungjit të tij; mund të riblihet nga një i afërt i po atij gjaku; ose po të ketë mjetet, mund të shpengohet vet.

50 Do të bëjë llogarinë me blerësin e tij, qysh prej vitit që iu shit atij deri në vitin e jubileut; dhe çmimi që do të paguhet do të llogaritet në bazë të numrit të viteve, duke i vlerësuar ditët e tij si ato të një argati.

51 Në qoftë se mbeten akoma shumë vjet, do ta paguajë shpengimin e tij në bazë të numrit të tyre dhe çmimit me të cilin qe blerë;

52 po të jetë se mbeten vetëm pak vite për të arritur në jubile, do ta bëjë llogarinë me blerësin e tij dhe do ta paguajë çmimin e shpengimit të tij në bazë të pak viteve që kanë mbetur.

53 Si argat le të mbetet bashkë me të zotin një vit pas tjetrit, por ky nuk do ta trajtojë me ashpërsi përpara syve të tua.

54 Dhe po nuk u shpengua me asnjë nga këto mënyra, do të lihet i lirë në vitin e jubileut, ai dhe bijtë e tij.

55 Sepse bijtë e Izraelit janë shërbëtorët e mi; janë shërbëtorët e mi, që i nxora nga vendi i Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

Kolosianëve 1:9-14

Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore,

10 që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë,

11 duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim,

12 duke e falënderuar Perëndinë At, që na bëri të denjë të kemi pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë.

13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur,

14 në të cilën ne kemi shpengimin me anë të gjakut të tij dhe faljen e mëkateve.

Mateu 13:1-16

13 Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit.

Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg.

Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: “Ja, një mbjellës doli për të mbjellë.

Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.

Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;

por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s’kishte rrënjë.

Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.

Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.

Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”

10 Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: “Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?.”

11 Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.

12 Sepse atij që ka, do t’i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.

13 Prandaj unë u flas atyre me shëmbëll-tyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë.

14 Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: "Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni.

15 Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t’i shëroj.

16 Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.