Book of Common Prayer
70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
2 U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.
3 Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".
4 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".
5 Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.
71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.
2 Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.
3 Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.
4 Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.
5 Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.
6 Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.
7 Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.
8 Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.
9 Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.
10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,
11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".
12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.
13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.
14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.
15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.
16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.
17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.
18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.
19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?
20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.
21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.
22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.
23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.
24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.
74 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?
2 Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.
3 Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.
4 Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.
5 Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.
6 Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.
7 I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.
8 Kanë thënë në zemër të tyre: "T’i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.
9 Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.
10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?
11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.
12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.
13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.
14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.
15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.
16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.
17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.
18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.
19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.
20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.
21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.
22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.
23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.
26 Nuk do të hani asgjë që përmban gjak. Nuk do të zbatoni asnjë lloj shortarie ose magjie.
27 Nuk do t’i prisni rrumbullak flokët anëve të kokës, as do të shkurtosh fundin e mjekrës sate.
28 Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam Zoti.
29 Mos e ndot bijën tënde duke e bërë kurvë, që vendi të mos jepet pas kurvërisë dhe të mos mbushet me prapësi.
30 Të respektoni të shtunat e mia dhe do të keni respekt për shenjtëroren time. Unë jam Zoti.
31 Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
32 Çohu në këmbë para atij që ka kokën të zbardhur, nderoje plakun dhe ki frikë nga Perëndia yt. Unë jam Zoti.
33 Kur një i huaj banon bashkë me ju në vendin tuaj, mos e trajtoni keq.
34 Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
35 Nuk do të bëni padrejtësi në gjykime, përsa u përket masave të gjatësisë, të peshës dhe të kapacitetit.
36 Do të keni peshore të sakta, pesha të sakta, efa të saktë, hin të saktë. Unë jam Zoti, Perëndia juaj që ju nxori nga vendi i Egjiptit.
37 Do të respektoni, pra, të gjitha statutet dhe dekretet e mia dhe do t’i vini në zbatim. Unë jam Zoti.
1 Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht:
2 paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron,
4 aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni.
5 Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Përendisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani,
6 sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë,
7 kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet,
8 në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.
9 Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij,
10 kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua.
11 Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë me fuqinë çdo qëllim të mirë dhe veprën e besimit,
12 që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht.
25 Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja?
26 Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata?
27 Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm?
28 Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin;
29 dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata.
30 Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë?
31 Mos u shqetësoni, pra duke thënë: "Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?".
32 Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.
33 Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.
34 Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet.”