Book of Common Prayer
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,
14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.
15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)
16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.
18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.
19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.
20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.
67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)
2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.
3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.
4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)
5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.
6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.
7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.
19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.
2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.
3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;
4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;
5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.
6 Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.
7 Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.
12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.
13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.
14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
3 Ndërkaq Moisiu po kulloste kopenë e Jethros, vjehrrit të tij dhe prift i Madianit; ai e çoi kopenë matanë shkretëtirës dhe arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.
2 Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej.
3 Atëherë Moisiu tha: "Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!".
4 Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: "Moisi, Moisi!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam".
5 Perëndia tha: "Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë".
6 Pastaj tha dhe këto fjalë: "Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.
7 Pastaj Zoti tha: "Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij.
8 Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e Egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, në vendin ku ndodhen Kananejtë, Hitejtë, Amorejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë.
9 Dhe tani, ja britma e bijve të Izraelit ka arritur deri tek unë, dhe kam parë gjithashtu se si Egjiptasit i shtypin.
10 Prandaj eja dhe unë do të të dërgoj te Faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti".
11 Por Moisiu i tha Perëndisë: "Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?".
12 Perëndia tha: "Unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t’i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal".
18 Sepse ju nuk iu afruat malit që mund të kapet me dorë dhe që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë,
19 as zërit të borisë, as zërit të fjalëve, të cilin ata që e dëgjuan u lutën që atyre të mos u drejtohej më asnjë fjalë,
20 sepse nuk mund të duronin urdhërin: “Në se edhe një shtazë e prek malin, të vritet me gurë ose me shigjeta”;
21 dhe aq e llahtarshme ishte pamja, sa Moisiu tha: “Unë jam i frikësuar dhe po dridhem i tëri.”
22 Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, që është Jeruzalemi qiellor, edhe morisë së engjëjve,
23 kuvendit universal dhe kishës të të parëlindurve që janë shkruar në qiej, Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, shpirtërave të të drejtëve që u bënë të përsosur,
24 dhe Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.
25 Shikoni se mos refuzoni atë që flet, sepse në qoftë se nuk shpëtuan ata që refuzuan të dëgjojnë atë që fliste si orakull mbi dhe, aq më pak do të shpëtojmë ne, po të mos refuzojmë të dëgjojmë atë që flet prej qiellit,
26 zëri i të cilit e drodhi atëherë dheun, por tashti bëri këtë premtim, duke thënë: “Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin.”
27 Dhe kjo fjalë "edhe një herë" tregon ndryshueshmërinë e gjërave, që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.
28 Prandaj, duke marrë mbretërinë të patundur, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë,
29 sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon.
17 Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd.”
18 Dhe ai u tha atyre: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.
19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë.
20 Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej.”
21 Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.
22 Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t’ia zbulojë.”
23 Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: “Lum sytë që shohin ato që shihni ju,
24 sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan.”