Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

Psalmet 34

34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.

11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.

12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?

13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.

14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.

15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

Levitiku 25:1-17

25 Zoti i foli akoma Moisiut në malin Sinai, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap, toka do të respektojë një të shtunë pushimi për Zotin.

Gjashtë vjet me radhë do të mbjellësh arën tënde, gjashtë vjet me radhë do të krasitësh vreshtin tënd dhe do të mbledhësh prodhimet;

por viti i shtatë do të jetë një e shtunë pushimi për tokën, një e shtunë për nder të Zotit; nuk do të mbjellësh as arën tënde, as do të krasitësh vreshtin tënd.

Nuk do të korrësh atë që rritet vetvetiu në prodhimin tënd dhe nuk do të vjelësh rrushin e vreshtit të pakrasitur; do të jetë një vit pushimi për tokën.

Atë që toka do të prodhojë gjatë pushimit të saj do të shërbejë si ushqim për ty, për shërbëtorin ose shërbëtoren, për punëtorin tënd dhe për të huajin, me një fjalë për ata që banojnë me ty,

për bagëtinë dhe kafshët që ndodhen në vendin tënd; tërë prodhimi i saj do të shërbejë si ushqim i tyre.

Gjithashtu do të llogaritësh për vete shtatë të shtuna vitesh: shtatë herë shtatë vjet; këto shtatë javë vitesh do të bëjnë për ty një periudhë prej dyzet e nëntë vjetësh.

Ditën e dhjetë të muajit të shtatë do t’i biesh burisë; ditën e shlyerjes do të bëni që të bjerë buria në të gjithë vendin.

10 Dhe do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do shpallni në vend lirinë për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet.

11 Viti i pesëdhjetë do të jetë për ju një jubile; nuk do të mbillni dhe nuk do të korrni atë që rritet vetiu dhe nuk do të vilni vreshtat e pakrasitur.

12 Sepse është jubileu; ai do të jetë i shenjtë për ju; do të hani prodhimet që ju japin arat.

13 Në këtë vit të jubileut secili do të kthehet në pronën e vet.

14 Në rast se i shisni diçka fqinjit tuaj, ose blini diçka nga fqinji juaj, nuk do t’i bëni asnjë të padrejtë njëri tjetrit.

15 Do të blesh nga fqinji yt në bazë të numrit të viteve që kanë kaluar mbas jubileut, dhe ai do të të shesë në bazë të numrit të viteve të korrjes.

16 Sa më tepër vite mbeten, aq më tepër do ta ngresh çmimin; sa më pak vite mbeten, aq më shumë do ta ulësh çmimin; sepse ai të shet në bazë të numrit të korrjeve.

17 Asnjë nga ju të mos dëmtojë fqinjin e tij, por të keni frikë nga Perëndia juaj; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Jakobit 1:2-8

Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,

duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.

Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.

Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.

Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.

Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,

sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.

Jakobit 1:16-18

16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;

17 çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.

18 Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë menyrë fryti i parë i krijesave të tij.

Luka 12:13-21

13 Atëherë dikush nga turma i tha: “Mësues, i thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgiminë.”

14 Por ai u përgjigj: “O njeri, kush më vuri mua gjykatës ose ndarës përmbi ju?.”

15 Pastaj u tha atyre: “Kini kujdes dhe ruhuni nga kopracia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron.”

16 Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme;

17 dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: "Ç’të bëj, sepse nuk kam vend ku t’i shtie të korrat e mia?".

18 Dhe tha: "Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t’i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera,

19 dhe pastaj do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo".

20 Por Perëndia i tha: "O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?".

21 Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë.”