Book of Common Prayer
87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.
2 Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.
3 Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)
4 Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".
5 Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".
6 Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)
7 Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".
90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".
4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
7 Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.
8 Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.
9 Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.
10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?
12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.
14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.
15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.
16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.
17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.
136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
3 Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
4 atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
5 atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
6 atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
7 atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
8 diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
9 hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;
19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
16 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Mblidhmë shtatëdhjetë njerëz nga pleqtë e Izraelit, që ti i njeh si pleq të popullit dhe funksionarë të tij; silli në çadrën e mbledhjes dhe të rrinë aty me ty.
17 Unë do të zbres dhe aty do të flas me ty; do të marr pastaj nga Fryma që është mbi ty dhe do t’ua kaloj atyre, me qëllim që ta mbajnë bashkë me ty barrën e popullit, dhe të mos e mbash ti vetëm.
24 Pastaj Moisiu doli dhe i njoftoi popullit fjalët e Zotit; mblodhi pastaj shtatëdhjetë njerëz pleq të popullit dhe i vendosi rreth e qark çadrës së mbledhjes.
25 Atëherë Zoti zbriti në renë dhe i foli atij, mori nga Fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëdhjetë pleqtë; por kur Fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, me gjithë se më vonë nuk bënë më.
26 Por dy njerëz, njëri quhej Eldad dhe tjetri Medad, kishin mbetur në kamp; dhe Fryma u vu edhe mbi ta; këta ishin ndër të regjistruarit, por nuk kishin dalë për të shkuar në çadër; megjithatë bënë profeci në kamp.
27 Një djalë shkoi me vrap t’ia referojë këtë gjë Moisiut dhe i tha: Eldadi dhe Medadi po bëjnë profeci në kampp".
28 Atëherë Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Moisiut, një nga të rinjtë e tij, filloi të thotë: "Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!".
29 Por Moisiu iu përgjegj: "Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!".
11 Prandaj kujtohuni se dikur ju johebrenj në mish, të quajtur të parrethprerë nga ata që e quajnë veten të rrethprerë, sepse të tillë u bënë në mish, nga dora e njeriut,
12 ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë.
13 Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit.
14 Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes,
15 duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen,
16 dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete.
17 Dhe ai erdhi për t’ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër,
18 sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.
19 Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë,
20 të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,
21 mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin,
22 në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë.
28 Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,
29 sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.
8 Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.
2 Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh.”
3 Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, unë dua, shërohu.” Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.
4 Atëherë Jezusi i tha: “Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta.”