Book of Common Prayer
118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
3 Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
4 Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
5 Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.
6 Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?
7 Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi.
8 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.
9 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.
10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.
11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.
14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.
26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.
28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.
29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
2 Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
3 Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.
4 Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.
5 Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.
6 Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.
7 Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.
8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.
10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.
11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,
12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.
13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.
14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.
15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.
16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.
17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.
18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.
19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.
20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.
21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.
9 Do të numërosh shtatë javë; fillo të numërosh shtatë javë nga koha që fillon të korrësh grurin;
10 pastaj do ta kremtosh festën e Javëve për nder të Zotit, Perëndisë tënd, duke bërë ofertat e tua vullnetare dhe kjo në masën që Zoti, Perëndia yt, të bekon.
11 Dhe do të gëzosh përpara Zotit, Perëndisë tënd, ti, biri yt dhe bija jote, shërbëtori yt dhe shërbëtorja jote, Leviti që ndodhet brenda portave të tua, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që ndodhen në mes teje, në vendin që Zoti, Perëndia yt, ka zgjedhur për të ruajtur emrin e tij.
12 Do të kujtosh që ke qenë skllav në Egjipt dhe do të kujdesesh t’i zbatosh në praktikë këto statute.
18 Dhe, si i thirrën, u dhanë urdhër atyre të mos flasin fare dhe as të mësojnë në emër të Jezusit.
19 Por Pjetri dhe Gjoni, duke iu përgjigjur atyre, thanë: “Gjykoni ju, nëse është e drejtë para Perëndisë t’ju bindemi më shumë juve sesa Perëndisë.
20 Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar.”
21 Ata pasi i kërcënuan përsëri, i lanë të shkojnë duke mos gjetur mënyrë se si t’i ndëshkojnë për shkak të popullit, sepse të gjithë përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.
23 Kur u liruan, ata u kthyen tek të vetët dhe u treguan gjithçka që krerët e priftërinjve dhe pleqtë u kishin thënë.
24 Kur i dëgjuan këto, ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: “O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta,
25 dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: "Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota?
26 Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij".
27 Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit,
28 për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.
29 Dhe tani, Zot, shqyrto kërcënimet e tyre dhe lejo që shërbëtorët e tu të kumtojnë fjalën tënde me plot çiltërsi,
30 duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit.”
31 Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltersi.
32 Dhe numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se ç’kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta.
33 Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata.
19 Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet.
20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.”
21 Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.
22 Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.
23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.
24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”
25 Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.”
26 Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!.”