M’Cheyne Bible Reading Plan
23 Davidi, tanimë i plakur dhe i velur me ditë, vendosi si mbret mbi Izraelin birin e tij Salomon.
2 Ai mblodhi tërë krerët e Izraelit së bashku me priftërinjtë dhe me Levitët.
3 U llogaritën Levitët tridhjetë vjeç e lart; dhe numri i individëve ishte tridhjetë e tetë mijë.
4 Nga këta, njëzet e katër mijë u caktuan për të drejtuar punimet në shtëpinë e Zotit, gjashtë mijë ishin magjistratë dhe gjyqtarë,
5 katër mijë ishin derëtarë dhe katër mijë duhet të lëvdonin Zotin me veglat që Davidi kishte bërë për ta kremtuar.
6 Davidi i ndau në klasa, sipas bijve të Levit: Gershomi, Kehathi dhe Merari.
7 Nga Gershonitët: Ladani dhe Shimei.
8 Bijtë e Ladanit: Jejeli, i pari, Zethami dhe Joeli; tre gjithsej.
9 Bijtë e Shimeit: Shelomithi, Hazieli dhe Harani; gjithsej tre. Këta ishin të parët e shtëpive atërore të Ladanit.
10 Bijtë e Shimeit: Jahathi, Zina, Jeushi dhe Beriahu. Këta ishin katër bijtë e Shimeit.
11 Jahathi ishte i pari, pas tij vinte Zina; Jeushi dhe Beriahu nuk patën shumë fëmijë, prandaj në regjistrimin përbënin një shtëpi të vetme atërore.
12 Bijtë e Kehathit: Amrami, Itshari, Hebroni dhe Uzieli; gjithsej katër.
13 Bijtë e Amramit: Aaroni dhe Moisiu. Aaroni u nda veç për të shenjtëruar gjërat e shenjta, ai dhe bijtë e tij përjetë, për të djegur temjan përpara Zotit, për t’i shërbyer dhe për të bekuar emrin e tij përjetë.
14 Sa për Moisiun, njeriun e Perëndisë, bijtë e tij u llogaritën në fisin e Levit.
15 Bijtë e Moisiut ishin Gershomi dhe Eliezeri.
16 Nga bijtë e Gershomit, Shebueli ishte i pari.
17 Nga bijtë e Eliezerit, Rehabiahu ishte i pari. Eliezeri nuk pati fëmijë të tjerë, por bijtë e Rehabiahut ishin të shumët.
18 Nga bijtë e Itsharit, Shelomithi ishte i pari.
19 Nga bijtë e Hebroit, Jerijahu ishte i pari, Amariahu i dyti, Jahazieli i treti dhe Jekaneami i katërti.
20 Nga bijtë e Uzielit, Mikahu ishte i pari dhe Ishshiahu i dyti.
21 Bijtë e Merarit ishin Mahli dhe Mushi. Bijtë e Mahlit ishin Eleazari dhe Kishi.
22 Eleazari vdiq dhe nuk la djem, por vetëm vajzat që u martuan me bijtë e Kishit, vëllezër të tyre.
23 Bijtë e Mushit ishin Mahli, Ederi dhe Jeremothi; gjithsej tre.
24 Këta ishin bijtë e Levit sipas shtëpisë të tyre atërore, të parët e shtëpive atërore sipas regjistrimit të popullsisë, që u bë duke i numëruar emrat një për një. Këta ishin të ngarkuar me shërbimin e shtëpisë të Zotit njëzet vjeç e lart.
25 Sepse Davidi kishte thënë: "Zoti, Perëndia i Izraelit, i ka dhënë paqe popullit të tij, në mënyrë që ai të mund të banonte në Jeruzalem përjetë.
26 Kështu Levitët nuk do ta mbartin më tabernakullin dhe tërë objektet e shërbimit të tij".
27 sipas porosive të fundit të Davidit u bë regjistrimi i bijve të Levit, njëzet vjeç e lart.
28 Sepse detyra e tyre ishte që të ndihmonin bijtë e Aaronit në shërbimin e shtëpisë së Zotit në oborret, në dhomat, në pastrimin e të gjitha gjërave të shenjta, në punën e shërbimit të shtëpisë së Perëndisë,
29 me bukët e paraqitjes, me majën e miellit për ofertën e ushqimit, me kuleçët e ndorme; me gjërat që gatuhen në tigan, me atë që është përzier me vaj dhe me të gjitha masat dhe dimensionet.
30 Përveç kësaj ata duhet të paraqiteshin çdo mëngjes për të kremtuar dhe për të lëvduar Zotin, dhe kështu edhe çdo mbrëmje,
31 si dhe për të ofruar vazhdimisht para Zotit tërë olokaustet, sipas numrit të caktuar nga ligji ditët e shtuna, kur fillon hëna e re dhe në festat solemne.
32 Ata duhet të kryenin gjithashtu detyrat e çadrës së mbledhjeve dhe të shenjtërores, si dhe të ndihmonin bijtë e Aaronit, vëllezërit e tyre, në shërbimin e shtëpisë të Zotit.
4 Sepse duke qenë se Krishti ka vuajtur për ne në mish, armatosuni edhe ju me të njëjtin mendim, sepse ai që ka vuajtur në mish pushoi së mëkatuari,
2 për të jetuar kohën që mbetet në mish jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë.
3 Sepse për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë, kur ecnim në shthurje, në pasione, në dehje, në teprime, në të ngrëna e në të pira dhe në idhujtari të neveritshme.
4 Prandaj u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju.
5 Ata do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur.
6 Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë.
7 Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve.
8 dhe të keni para së gjithash një dashuri të madhe për njeri tjetrin, sepse “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh.”
9 Jini mikpritës njëri për tjetrin, pa murmuritje.
10 Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë.
11 Nëse dikush flet, le ta bëjë si të shpa-llë orakullit të Perëndisë; kush bën një shërbim, le të bëjë në forcën që i jep Perëndia, që në gjithçka të përlëvdohet Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i takon lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.
12 Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme.
13 Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni.
14 Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet.
15 Por asnjë nga ju le të mos vuajë si vrasës ose vjedhës ose keqbërës, o sepse përzihet në punët e të tjerëve.
16 por, nëse dikush vuan si i krishterë, le të mos ketë turp, por le të përlëvdojë Perëndinë për këtë.
17 Sepse erdhi koha që të fillojë gjyqi nga shtëpia e Perëndisë; dhe nëse fillon më përpara nga ne, cili do të jetë fundi i atyre që nuk i binden ungjillit të Perëndisë?
18 Dhe “nëse i drejti mezi shpëton, ku do të duket i pabesi dhe mëkatari?
19 Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën.
2 Mjerë ata që bluajnë në mendje paudhësi dhe projektojnë të keqen mbi shtretërit e tyre; në dritën e mëngjesit e kryejnë, sepse pushteti është në duart e tyre.
2 Dëshirojnë me të madhe arat dhe i marrin me dhunë, shtëpitë dhe i marrin; kështu shtypin me hile njeriun dhe shtëpinë e tij, individin dhe pronën e tij.
3 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë po kurdis kundër këtij fisi një fatkeqësi, prej së cilës nuk mund të largoni qafën tuaj, as do të ecni me kokën lart, sepse do të jetë një kohë fatkeqësie.
4 Atë ditë do të dalë një proverb rreth jush, do të ngrenë një vajtim të zemërlënduar dhe do të thonë: "Jemi plotësisht të shkatërruar". Ai ka ndryshuar trashëgiminë e popullit tim. Ah, si ma mori! Arat tona ua shpërndau të pabesëve".
5 Prandaj nuk do të ketë më njeri që ta heqë litarin për ty, për të hedhur shortin në kuvendin e Zotit.
6 "Mos profetizoni," u thonë profetëve të tyre. Kështu ata nuk do të profetizojnë për këto gjëra, por nuk do ta largojnë turpin e tyre.
7 Éshtë thënë, o shtëpi e Jakobit: "A është i kufizuar Fryma e Zotit, apo këto janë veprat e tij? A nuk e bëjnë vallë rrezatues fjalët e mia atë që ec me ndershmëri?
8 Por kohët e fundit populli im ngriti krye si një armik; ju u merrni mantelin dhe rroben kalimtarëve që e ndjejnë veten të sigurt, atyre që kthehen nga lufta.
9 Ju i dëboni gratë e popullit tim nga shtëpitë tyre të mrekullueshme dhe u rrëmbeni për gjithnjë lavdinë time fëmijëve të tyre.
10 Çohuni dhe ikni, sepse ky nuk është një vend prehjeje; duke qenë i ndotur do t’ju shkatërroj me një shkatërrim të llahtarshëm.
11 Edhe sikur një njeri të ecte me një frymë falsiteti dhe të përhapte gënjeshtra, duke thënë: "Unë do të parathem për ty verë dhe pije dehëse," ai do të ishte një profet për këtë popull".
12 "Do të mbledh me siguri gjithçka, o Jakob, do të mbledh me siguri mbeturinën e Izraelit; do t’i vë bashkë si delet në një vathë, si një kope në mes të kullotës së vet; do të bëjnë një zhurmë të madhe për shkak të morisë së njerëzve.
13 Kush do të hapë të çarën, do të ngjitet para tyre; ata do të depërtojnë, do të kalojnë nga porta dhe prej saj kanë për të dalë; mbreti i tyre do të ecë para tyre dhe Zoti do të jetë në krye të tyre".
11 Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: “Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet.”
2 Dhe ai u tha: “Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë.
3 Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme.
4 Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu".”
5 Pastaj u tha atyre: “A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë,
6 sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s’kam çfarë t’i vë përpara";
7 dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t’i jap"?
8 Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t’ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t’i japë të gjitha bukët që i nevojiten.
9 Prandaj po ju them: Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet.
10 Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket.
11 Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t’i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër?
12 Ose, po t’i kërkojë një vezë, i jep një akrep?
13 Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t’u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë.”
14 Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.
15 Por disa nga ata thanë: “Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve.”
16 Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.
17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.
18 Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.
19 Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
20 Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.
21 Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.
22 Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.
24 Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".
25 Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,
26 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para.”
27 Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: “Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën.”
28 Por ai u tha: “Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.”
29 Duke qenë se turmat po i shtyheshin përreth, ai filloi të thotë: “Ky brez është i lig; ai kërkon nje shenjë, por asnjë shenjë nuk do t’i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
30 Sepse, ashtu si Jona qe një shenjë për Ninivasit, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë një shenjë për këtë brez.
31 Mbretëresha e Mesditës do të ngrihet ditën e gjyqit me njerëzit e këtij brezi dhe do t’i dënojë, sepse ajo po vjen nga skaji i dheut për të dëgjuar urtësinë e Salomonit; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Salomoni.
32 Ninivasit, ditën e gjyqit, do të ringjallen me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan për predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jona.”
33 Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babunë, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë.
34 Llamba e trupit është syri; në se syri yt është i shëndoshë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në se syri yt është i sëmurë, edhe gjithë trupi yt do të jetë plot me errësirë.
35 Prandaj trego kujdes që drita që është në ty të mos jetë terr.
36 Në se gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba të ndriçon me shkëlqimin e saj.”
37 Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.
38 Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.
39 Dhe Zoti i tha: “Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.
40 Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?
41 Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.
42 Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t’i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.
43 Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.
44 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njërëzit ecin sipër tyre, pa e ditur.”
45 Atëherë, duke u përgjigjur, një nga mësuesit e ligjit, i tha: “Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne.”
46 Dhe ai thoshte: “Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi baren, dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht.
47 Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.
48 Duke vepruar në këtë mënyrë, ju dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj; në fakt ata vranë profetët dhe ju ndërtoni varret e tyre.
49 Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: "Unë do t’u dërgoj profetë dhe apostuj, dhe ata do të vrasin disa prej tyre kurse të tjerët do t’i përndjekin,"
50 me qëllim që këtij brezi t’i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës:
51 nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t’i kërkohet llogari.
52 Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin.”
53 Po ndërsa ai u fliste atyre këto gjëra, skribët dhe farisenjtë filluan të zemërohen shumë kundër tij dhe ta sulmojnë atë me shumë pyetje,
54 për t’i ngritur kurthe, për ta zënë në gabim e për të mundur ta akuzojnë për ndonjë fjalë të tij.