Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Kronikave 17

17 Ndodhi që Davidi, mbasi u vendos në shtëpinë e vet, i tha profetit Nathan: "Ja, unë banoj në një shtëpi prej kedri, ndërsa arka e besëlidhjes të Zotit ndodhet nën një çadër".

Nathani iu përgjegj Davidit: "Bëj të gjitha ato që ke në zemër, sepse Perëndia është me ty".

Por po atë natë fjala e Perëndisë iu drejtua Nathanit, duke i thënë:

"Shko t’i thuash shërbëtorit tim David: "Kështu thotë Zoti: Nuk do të jesh ti ai që do të më ndërtojë një shtëpi në të cilën unë të mund të banoj.

Në fakt nuk kam banuar kurrë në një shtëpi nga dita që kam nxjerrë Izraelin nga Egjipti deri më sot; por kam shkuar nga një çadër te tjetra dhe nga një banesë te tjetra.

Kudo kam shkuar me gjithë Izraelin, a i kam folur vallë ndonjerit prej gjyqtarëve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të ushqenin popullin tim, duke thënë: "Pse nuk më ndërtoni një shtëpi me dru kedri?".

Tani do t’i flasësh kështu shërbëtorit tim David: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të mora nga vatha, kur po shkoje pas deleve, dhe të bëra princ mbi popullin tim, Izraelin.

kam qenë me ty kudo ku ke vajtur, kam shfarosur përpara teje tërë armiqtë e tu dhe e kam bërë emrin tënd si atë të njerëzve të mëdhenj që janë mbi dhe.

Përveç kësaj do t’i jap popullit tim të Izraelit një vend ku të banojë në shtëpinë e tij dhe të mos e lëvizin më, dhe të këqijtë të mos vazhdojnë ta shkretojnë si më parë,

10 qysh prej kohës që kam vendosur gjyqtarët mbi popullin tim të Izraelit. Do të poshtëroj edhe tërë armiqtë e tu. Të njoftoj gjithashtu që Zoti do të të ndërtojë një shtëpi.

11 Kur të mbushen ditët e tua dhe të shkosh të bashkohesh me etërit e tu, unë do të nxjerrë një pasardhësin tënd, që do të jetë një nga bijtë e tu, dhe do ta konsolidoj mbretërinë e tij.

12 Ai do të më ndërtojë një shtëpi dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e tij përgjithnjë.

13 Unë do të jem për të një atë dhe ai për mua një bir; dhe nuk do t’ia heq përkrahjen time ashtu siç ia kam hequr atij që të ka paraprirë.

14 Unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë në shtëpinë time dhe në mbretërinë time, dhe froni i tij do të jetë i qëndrueshëm gjithnjë"".

15 Nathani i foli Davidit duke përdorur tërë këto fjalë dhe sipas gjithë vizionit të tij.

16 Atëherë mbreti David hyri, u ul përballë Zotit dhe tha: "Kush jam unë, o Zot Perëndi, ç’është shtëpia ime, që ti më bëre të arrij deri këtu?

17 Megjithatë kjo t’u duk një gjë e vogël para syve të tu, o Perëndi; ti fole edhe për shtëpinë e shërbëtorit tënd për një të ardhme të largët dhe më konsiderove sikur të isha një njeri i rangut të lartë, o Zot Perëndi.

18 Çfarë mund të thotë akoma Davidi për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh në të vërtetë shërbëtorin tënd.

19 O Zot, për dashurinë e shërbëtorit tënd dhe sipas zemrës sate, ti ke kryer gjithë këto vepra të fuqishme për t’i bërë të njohura tërë këto gjëra të mëdha.

20 O Zot, askush nuk është i ngjashëm me ty dhe nuk ka tjetër Perëndi veç teje, sipas tërë ato që kemi dëgjuar me veshët tona.

21 Dhe kush është si populli yt i Izraelit, i vetmi komb mbi tokë që Perëndia erdhi për ta çliruar dhe për ta bërë popullin e tij, për të të dhënë një emër me gjëra të mëdha dhe të tmerrshme, duke i dëbuar kombet përpara popullit tënd që ti ke çliruar nga Egjipti?

22 Ti e ke bërë popullin e Izraelit popullin tënd për gjithnjë; dhe ti, o Zot, je bërë Perëndia i tyre.

23 Prandaj fjala që ke shqiptuar, o Zot, përsa i përket shërbëtorit tënd dhe shtëpisë së tij, të ruajë vlerën e saj për gjithnjë! Bëj siç ke thënë!

24 Po, të mbetet e vlefshme, me qëllim që emri yt të shkëlqejë për gjithnjë dhe të kemi mundësinë të themi: "Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, është me të vërtetë Perëndia për Izraelin"; dhe shtëpia e shërbëtorit tënd David u bëftë e qëndrueshme para teje!

25 Ti vetë, o Perëndia im, i ke treguar shërbëtorit tënd se do t’i ndërtoje një shtëpi. Prandaj shërbëtori yt pati guximin të lutet në praninë tënde.

26 Dhe tani, o Zot, ti je Perëndia dhe i ke premtuar këtë të mirë shërbëtorit tënd.

27 Ndërkaq le të të pëlqejë të bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, me qëllim që ajo të qëndrojë gjithnjë para teje, sepse atë që bekon ti, o Zot, është e bekuar për gjithnjë".

Jakobit 4

Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju?. A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja?

Ju lakmoni dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni.

Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja.

O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.

Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: “Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë”?

Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve.”

Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!

Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!

Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim.

10 Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë!

11 Mos flisni keq për njeri tjetrin, vë-llezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.

12 Ka vetëm një Ligjdhënës, që mund të të shpëtojë ose të të çojë në humbje; por ti kush je që gjykon një tjetër?

13 Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë,”

14 ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.

15 Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë.”

16 Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe.

17 Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.

Jona 1

Dhe fjala e Zotit iu drejtua Jonas, birit të Amitait, duke thënë:

"Çohu, shko në Ninive, qytet i madh, dhe prediko kundër tij, sepse ligësia e tyre është ngjitur përpara meje".

Por Jona u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë të Zotit. Kështu zbriti në Jafa, ku gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi çmimin e caktuar dhe hipi në anije për të shkuar me ta larg pranisë të Zotit.

Por Zoti shpërtheu një erë të fortë në det dhe u ngrit një furtunë e madhe në det, kështu që anija rrezikonte të shkallmohej.

Detarët, të trembur, i thirrën secili perëndisë së vet dhe hodhën në det ngarkesën që ishte në anije për ta lehtësuar. Ndërkaq Jona kishte zbritur në pjesët më të fshehta të anijes, kishte rënë dhe flinte thellë.

Kapiteni iu afrua dhe i tha: "Çfarë po bën në gjumë kaq të thellë? Çohu, kërko Perëndinë tënd! Ndofta Perëndia do të kujdeset për ne dhe nuk do të vdesim".

Pastaj i thanë njeri tjetrit: "Ejani, të hedhim short për të ditur për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi". Kështu hodhën shortin dhe shorti ra mbi Jonan.

Atëherë e pyetën: "Na shpjego për shkak të kujt na ra në kokë kjo fatkeqësi. Cili është zanati yt? Nga vjen? Cili është vendi yt? Cilit popull i përket?".

Ai u përgjigj atyre: "Unë jam hebre dhe kam frikë nga Zoti, Perëndia i qiellit, që ka bërë detin dhe sterenë".

10 Atëherë ata njerëz i pushtoi një frikë e madhe dhe i thanë: "Pse e bërë këtë?". Ata në fakt e kishin vënë re që ai ikte larg pranisë të Zotit, sepse ua kishte thënë atyre.

11 Ata i thanë: "Çfarë duhet të bëjmë që deti të na qetësohet?". Në fakt deti po bëhej gjithnjë më i stuhishëm.

12 Ai iu përgjigj atyre: "Më zini dhe më hidhni në det dhe deti do të qetësohet, sepse unë e di që kjo furtunë e madhe ju ra mbi kokë për shkakun tim".

13 Megjithatë ata njerëz vozitnin me forcë për ta kthyer anijen në breg, por nuk ia dilnin dot, sepse deti bëhej gjithnjë më i stuhishëm kundër tyre.

14 Prandaj i klithën Zotit dhe i thanë: "Ah, o Zot, mos lejo që të vdesim për shkak të jetës së këtij njeriu dhe mos na fajëso me gjak të pafajshëm, sepse ti, o Zot, ke bërë si ke dashur".

15 Pastaj e zunë Jonan dhe e hodhën në det, dhe tërbimi i detit u fashit.

16 Ata njerëz atëherë i zuri një frikë e madhe nga Zoti, i ofruan një flijim Zotit dhe u betuan.

17 Zoti kishte përgatitur një peshk të madh që të gëlltiste Jonan; dhe Jona qëndroi tri ditë dhe tri net në barkun e peshkut.

Luka 6

Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin.

Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: “Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?.”

Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria?

Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t’i hante, përveç priftërinjve?.”

Pastaj u tha atyre: “Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës".

Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.

Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin.

Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: “Çohu dhe dil këtu në mes.” Dhe ai u ngrit në këmbë.

Pastaj Jezusi u tha atyre: “Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?.”

10 Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!.” Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra.

11 Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç’mund t’i bënin Jezusit.

12 Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.

13 Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj:

14 Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun,

15 Mateun dhe Thomain, Jakobin e Alfeut dhe Simonin, që e quanin Zelota,

16 Judën, vëllanë e Jakobit dhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

17 Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judea, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e veta;

18 Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin.

19 E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë.

20 Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: “Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.”

21 Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni.

22 Lum ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë, do t’ju mallkojnë dhe do t’ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut.

23 Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët.

24 Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj!

25 Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!

26 Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.

27 Por unë po ju them juve që më dëgjoni: “T’i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë.

28 Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.

29 Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.

30 Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë.

31 Por, ashtu siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta.

32 Por po t’i doni ata që ju duan, ç’meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.

33 Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët.

34 Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t’jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’u kthehet aq sa dhanë.

35 Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët.

36 Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.

37 Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.

38 Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu.”

39 Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: “Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?

40 Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.

41 Po pse ti e shikon lëmishtën në sy të vëllait tënd dhe nuk e sheh traun në syrin tënd?

42 Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Vëlla, më lër të të heq lëmishtën që ke në syrin tënd," kur ti vetë nuk e sheh traun në syrin tënd? O hipokrit, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të mund të shohësh mirë për të nxjerrë lëmishtën nga syri i vëllait tënd.

43 Sepse nuk ka pemë të mirë që të japë fryt të keq, as pemë të keqe që të japë fryt të mirë.

44 Çdo pemë, pra, njihet nga fryti i vet, sepse nuk mblidhen fiq nga gjembat dhe nuk vilet rrush nga ferra.

45 Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.

46 Përse më thirrni, "Zot, Zot" dhe nuk bëni atë që ju them?

47 Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t’i vë në praktikë, unë do t’ju tregoj kujt i ngjan.

48 Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s’e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.

49 Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh.”