M’Cheyne Bible Reading Plan
19 Kur mbreti Ezekia dëgjoi këto gjëra, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe hyri në shtëpinë e Zotit.
2 Pastaj dërgoi Eliakimin, prefektin e pallatit, Shebnan, sekretarin, dhe pleqtë e priftërinjve, të mbuluar me thasë, te profeti Isaia, bir i Amotsit.
3 Ata i thanë: "Kështu thotë Ezekia: "Kjo është një ditë ankthi, ndëshkimesh dhe turpi, sepse bijtë janë duke lindur, por nuk ka forcë për t’i pjellë.
4 Ndofta Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar tërë fjalët e Rabshakehut, që mbreti i Asirisë, zotëria e tij, ka dërguar për të fyer Perëndinë e gjallë, dhe do ta dënojë për shkak të fjalëve që Zoti, Perëndia yt, ka dëgjuar. Larto, pra, një lutje për atë që mbetet akoma"".
5 Kështu shërbëtorët e mbretit Ezekia shkuan tek Isaia.
6 Dhe Isaia u tha atyre: "Këtë do t’i thoni zotërisë suaj: Kështu thotë Zoti: "Mos u tremb nga fjalët që dëgjove, me të cilat shërbëtorët e mbretit të Asirisë më kanë fyer.
7 Ja, unë do të dërgoj mbi të një frymë dhe sa të dëgjojë ndonjë lajm, do të kthehet në vendin e tij; dhe në vendin e tij unë do ta bëj që të bjerë nga shpata"".
8 Kështu Rabshakehu u kthye dhe e gjeti mbretin e Asirisë që rrethonte Libnahun, sepse kishte mësuar që ai qe nisur nga Lakishi.
9 Por ai mori lajme nga Tirhakahu, mbret i Etiopisë, të cilat thonin: "Ja, ai lëvizi për të luftuar kundër teje". Atëherë i dërgoi përsëri lajmëtarë Ezekias, duke i thënë:
10 "Do t’i flisni kështu Ezekias, mbretit të Judës, duke i thënë: "Mos e lër që Perëndia yt, tek i cili ke besim, të të mashtrojë duke thënë: Jeruzalemi nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë.
11 Ja, ti ke dëgjuar atë që mbretërit e Asirisë u kanë bërë tërë vendeve, duke vendosur shkatërrimin e tyre. A do të shpëtoje ti vetëm?
12 A i kanë çliruar, vallë perënditë e kombeve ata që etërit e mi kanë shkatërruar: Gozanin, Haranin, Retsefin dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?
13 Ku janë mbreti i Hamathit, mbret i Arpadit dhe mbreti i qytetit të Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut?".
14 Ezekia e mori letrën nga duart e lajmëtarëve dhe e lexoi; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe e shtriu para Zotit.
15 Pastaj Ezekia filloi të lutet para Zotit duke thënë: "O Zot, Perëndia i Izraelit, që ulesh mbi kerubinët, ti je Perëndia, i vetmi, i të tëra mbretërive të tokës. Ti ke bërë qiejtë dhe tokën.
16 Vër veshin, o Zot, dhe dëgjo; hap sytë, o Zot, dhe shiko! Dëgjo fjalët e Senakeribit, që ka dërguar këtë njeri për të fyer Perëndinë e gjallë!
17 Éshtë e vërtetë, o Zot, që mbretërit e Asirisë kanë shkatërruar kombet dhe vendet e larta,
18 kanë hedhur në zjarr perënditë e tyre, sepse ato ishin perëndi, por vepër e duarve të njerëzve, dru dhe gur; prandaj i shkatërruan.
19 Por tani, o Zot, na shpëto, të lutem, nga duart e tij, me qëllim që tërë mbretëritë e tokës të dinë që ti vetëm, o Zot, je Perëndia".
20 Atëherë Isaia, bir i Amotsit, dërgoi t’i thotë Ezekias: "Kështu flet Zoti, Perëndi i Izraelit: "Dëgjova lutjen që ti me drejtove për Senakeribin, mbretin e Asirisë.
21 Kjo është fjala që Zoti ka shqiptuar kundër atij: Bija e virgjër e Sionit të përbuz dhe tallet me ty; bija e Jeruzalemit tund kokën prapa teje.
22 Cilin ke fyer dhe poshtëruar? Kundër kujt ke ngritur zërin dhe sytë me arogancë? Kundër të Shenjtit të Izraelit!
23 Me anë të lajmëtarëve të tu ke fyer Zotin dhe ke thënë: "Me morinë e qerreve të mia kam hipur në majë të maleve në skutat e Libanit. Do të rrëzoj kedrat e tij më të larta dhe qiparisat e tij më të bukur; do të arrij në strehimin e tij më të thellë, në pjesën më të harlisur të pyllit.
24 Unë kam gërmuar dhe kam pirë ujëra të huaja; me shputën e këmbëve të mia kam tharë tërë lumenjtë e Egjiptit".
25 A nuk ke dëgjuar, vallë, që prej një kohe të gjatë kam përgatitur këtë gjë dhe prej kohërave të lashta e kam hartuar planin? Dhe tani e solla punën që të ndodhë kjo: që ti t’i katandisësh në një grumbull gërmadhash qytetet e fortifikuara.
26 Prandaj banorët e tyre të cilëve u mungonte forca, ishin tmerruar dhe e kishin humbur torruan; ishin si bari i fushave, si bari i blertë, si bari mbi çatitë, që digjet para se të rritet.
27 Por unë e di se si ulesh, si del dhe si hyn dhe bile tërbimin tënd kundër meje.
28 Me qenë se tërbimi yt kundër meje dhe arroganca jote kanë arritur në veshët e mi, do të të vë unazën time në fejzat e hundës, frerin tim te goja, dhe do të të kthej në rrugën nëpër të cilën ke ardhur".
29 Kjo ka për të qenë shenja për ty: Sivjet do të hani atë që rritet vetë, vitin e dytë atë që prodhon ai; por vitin e tretë do të mbillni dhe do të korrni, do të mbillni vreshta dhe do të hani frytin e tyre.
30 Pjesa tjetër e bëmave e shtëpisë së Judës që do të shpëtojë, ka për të vazhduar të lëshojë rrënjë poshtë dhe të prodhojë fryte lart.
31 Sepse nga Jeruzalemi ka për të dalë një pakicë dhe nga mali i Sionit ata që kanë shpëtuar. Zelli i Zotit të ushtrive do ta bëjë këtë.
32 Prandaj kështu thotë Zoti për mbretin e Asirisë: "Ai nuk ka për të hyrë në këtë qytet as ka për të hedhur shigjeta, nuk ka për t’i dalë përpara me mburoja as ka për të ndërtuar ndonjë ledh kundër tij.
33 Ai do të kthehet nëpër rrugën që ndoqi kur erdhi dhe nuk ka për të hyrë në këtë qytet, thotë Zoti.
34 Unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për dashurinë që kam ndaj vetes dhe për dashurinë e Davidit, shërbëtorit tim".
35 Atë natë ndodhi që engjëlli i Zotit doli dhe vrau në kampin e Asirëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë njerëz; kur njerëzit u ngritën në mëngjes, ja të gjithë ishin bërë kufoma.
36 Atëherë Senakeribi, mbret i Asirisë, ngriti çadrat, u nis e u kthye në shtëpi, dhe mbeti në Ninivë.
37 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po adhuronte në shtëpinë e perëndisë së tij Nisrok, bijtë e tij Adrameleku dhe Sharetseri e vranë me goditje të shpatës; pastaj u strehuan në vendin e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Esarhadoni.
1 Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve,
2 së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.
3 Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,
4 edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.
5 Sepse cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Ti je Biri im, sot më je lindur”? Edhe përsëri: “Unë do t’i jem Atë, dhe ai do të më jetë Bir”?
6 Dhe akoma, kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë.”
7 Kurse për engjëjt thotë: “Engjëjt e vet ai i bën erëra, dhe shërbenjësit e tij flakë zjarri”;
8 ndërsa për të Birin thotë: “Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie.
9 E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer paudhësinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të vajosi me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.”
10 Edhe: “Ti, o Perëndi, në krye themelove tokën dhe qiejt janë vepër e duarve të tu.
11 Ata do të prishen, por ti mbetesh; edhe të gjithë do të vjetrohen si rrobë,
12 dhe ti do t’i mbështjellësh si një mantel edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, dhe vitet e tua nuk do të shteren kurrë.”
13 Dhe cilit nga engjëjt i tha ndonjë herë: “Rri në të djathtën time, gjersa t’i vë armiqtë e tu shtroje të këmbëve të tua”?
14 A nuk janë ata të gjithë frymëra shërbenjës, që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin?
12 Efraimi ngopet me erë dhe shkon pas erës së jugut; çdo ditë shumon gënjeshtrat dhe dhunën; bën aleancë me Asirinë dhe çon vaj në Egjipt.
2 Zoti është gjithashtu në grindje me Judën dhe do ta ndëshkojë Jakobin për sjelljen e tij; do ta shpërblejë sipas veprave të tij.
3 Në gjirin e nënës mori vëllain e vet nga thembra dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë.
4 Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne,
5 domethënë Zoti, Perëndia i ushtrive, emri i të cilit është Zoti.
6 Prandaj ti kthehu te Perëndia yt, vepro me dhembshuri dhe ndershmëri dhe ki gjithnjë shpresë te Perëndia yt.
7 Efraimi është një tregtar që mban në dorë kandarë jo të saktë dhe i pëlqen të mashtrojë.
8 Efraimi thotë: "Edhe jam begatuar, kam grumbulluar pasuri; në të gjitha mundimet e mia, nuk do të gjejnë tek unë asnjë paudhësi që të jetë mëkat".
9 "Por unë jam Zoti, Perëndia yt, qysh nga vendi i Egjiptit. Do të të bëj që të banosh akoma në çadra si në ditët solemne.
10 U fola profetëve, kam shtuar vegimet dhe me anë të profetëve kam përdorur krahasime".
11 Në qoftë se Galaadi jepet pas idhujtarisë, me siguri do të katandiset në asgjë. Sepse në Gilgal flijojnë dema, altarët e tyre do të jenë me siguri si grumbuj gurësh gjatë brazdave të arave.
12 Jakobi iku në fushën e Sirisë dhe Izraeli shërbeu për një grua, për një grua u bë rojtar dhensh.
13 Me anë të një profeti, Zoti e nxori Izraelin nga Egjipti, dhe Izraeli u ruajt nga një profet.
14 Efraimi provokoi hidhët zemërimin e tij, prandaj Zoti i tij do të bëjë që mbi të të bjerë gjaku i derdhur dhe do të bëjë që mbi të të kthehet turpi i tij.
135 Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,
2 që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.
3 Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.
4 Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.
5 Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.
6 Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.
7 Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.
8 Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,
9 dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.
10 Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:
11 Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.
12 Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.
13 O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.
14 Sepse Zoti do t’i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.
15 Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;
16 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
17 kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.
18 Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.
19 Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.
20 Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.
21 Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.
136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
3 Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
4 atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
5 atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
6 atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
7 atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
8 diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
9 hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;
19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.