M’Cheyne Bible Reading Plan
22 Pastaj Davidi tha: "Kjo është shtëpia e Zotit Perëndi dhe ky është altari i olokausteve për Izraelin".
2 Atëherë Davidi dha urdhër të grumbulloheshin të huajt që ishin në vendin e Izraelit dhe i ngarkoi gurgdhendësit të latonin gurë për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë.
3 Davidi përgatiti gjithashtu hekur me bollëk për gozhdat e kanateve të dyerve dhe për kanxhët, një sasi bronzi me peshë të pallogaritshme,
4 dhe dru kedri që nuk mund të llogaritej, sepse Sidonët dhe Tirët i kishin sjellë Davidit dru kedri me bollëk.
5 Davidi thoshte: "Salomoni, biri im, është i ri dhe i mungon përvoja; shtëpia që do t’i ndërtohet Zotit ka për të qenë jashtëzakonisht madhështore dhe do të fitojë famë e lavdi në të gjitha vendet; prandaj kam për të bërë përgatitjet e duhura për të". Kështu Davidi, para se të vdiste, bëri përgatitje të mëdha.
6 Pastaj thirri birin e tij Salomonin dhe e urdhëroi të ndërtonte një shtëpi për Zotin, Perëndinë e Izraelit.
7 Davidi i tha Salomonit: "Biri im, unë vetë kisha në zemër të ndërtoja një shtëpi në emër të Zotit, Perëndisë tim;
8 por fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë: "Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë shumë luftëra; prandaj nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje.
9 Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës dhe unë do ta lë të shlodhet nga ana e të gjithë armiqve të tij që ndodhen rreth e qark. Ai do të quhet Salomon dhe gjatë ditëve të tij do t’i siguroj paqe dhe qetësi Izraelit.
10 Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim; ai do të jetë për mua një djalë dhe unë do të jem për të një baba; dhe do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij mbi Izraelin".
11 Tani, biri im, Zoti qoftë me ty, në mënyrë që ti të përparosh dhe të ndërtosh shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, ashtu si ka thënë ai për ty.
12 Vetëm Zoti të dhëntë dituri dhe zgjuarësi, të besoftë përgjegjësinë mbi Izraelin, për të respektuar ligjin, e Zotit, Perëndisë tënd.
13 Atëherë do të kesh mbarësi, po të jetë se kujdesesh të zbatosh statutet dhe dekretet që Zoti i ka caktuar Moisiut për Izraelin. Ji i fortë dhe trim, mos ki frikë dhe mos u trondit.
14 Ja, unë jam preokupuar të përgatis për shtëpinë e Zotit njëqind mijë talenta ari, një milion talenta argjendi dhe një sasi të tillë bronzi dhe hekuri sa nuk peshohet dot. Kam përgatitur gjithashtu lëndë druri dhe gurë; dhe ti mund t’i shtosh edhe më.
15 Përveç kësaj ke me vete shumë punëtorë: gdhëndës, punëtorë të gurit dhe të drurit dhe çdo lloj teknikësh për çfarëdo lloj punimi.
16 Ka një sasi të pallogaritshme ari, argjendi, bronzi dhe hekuri. Çohu, pra, dhe futju punës, dhe Zoti qoftë me ty!".
17 Davidi u dha gjithashtu urdhër tërë krerëve të Izraelit të ndihmonin Salomonin, birin e tij, dhe u tha atyre:
18 "A nuk është vallë Zoti, Perëndia juaj, me ju, dhe a nuk ju ka dhënë paqe rreth e qark? Në fakt ai i ka lënë banorët e vendit në duart e mia, dhe vendi është nënshtruar para Zotit dhe para popullit të tij.
19 Prandaj tani bëni që zemra dhe shpirti juaj të kërkojnë Zotin, Perëndinë tuaj; pastaj çohuni dhe ndërtoni shenjtëroren e Zotit, Perëndisë tuaj, për të transferuar arkën e besëlidhjes të Zotit dhe sendet që ia keni shenjtëruar Perëndisë në tempullin që do të ndërtohet në emër të Zotit".
3 Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre,
2 kur të shohin sjelljen tuaj të dlirë dhe me frikë.
3 Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura,
4 por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë.
5 Sepse kështu stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre,
6 ashtu si Sara, që i bindej Abrahamit duke e quajtur "zot"; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë.
7 Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.
8 Dhe më në fund jini të gjithë të një mendjeje, të dhembshur, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm dhe dashamirës,
9 pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin.
10 Sepse “kush don ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gojën e tij nga e keqja dhe buzët e tij nga të folurit me mashtrim;
11 të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe të ndjekë atë,
12 sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë në lutjen e tyre; por fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë të keqen.”
13 Dhe kush do t’ju bëjë keq, në qoftë se ju ndiqni të mirën?
14 Por, edhe sikur të vuani për drejtësinë, lum ju! “Pra, mos kini asnjë druajtje prej tyre dhe mos u shqetësoni,”
15 madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje,
16 duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t’ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin.
17 Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq,
18 sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia. U vra në mish, por u ngjall nga Fryma,
19 me anë të së cilës ai shkoi t’u predikojë frymërave që ishin në burg,
20 që dikur ishin rebelë, kur durimi i Perëndisë i priste në ditët e Noeut, ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën, pak vetë, gjithsejt tetë, shpëtuan nëpërmjet ujit,
21 i cili është shëmbëllesa e pagëzimit (jo heqja e ndyrësisë së mishit, po kërkesa e një ndërgjegjeje të mirë te Perëndia), që tani na shpëton edhe ne me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit,
22 i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie.
1 Fjala e Zotit që iu drejtua Mikeas, Morashtitit, në ditët e Jothamit, të Açazit dhe të Ezekias, mbretër të Judës, dhe i cili pati vegim rreth Samarias dhe Jeruzalemit.
2 Dëgjoni, o mbarë popuj! Kushtoji kujdes, o tokë, me tërë atë që ti përmban! Zoti, Zoti, qoftë dëshmitar kundër jush, Zoti, nga tempulli i tij i shenjtë.
3 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij, zbret dhe ecën mbi lartësitë e tokës;
4 malet shkrihen poshtë tij, dhe luginat treten si dylli para zjarrit, si ujërat që rrjedhin në një brinjë.
5 E tërë kjo për shkak të shkeljes së Jakobit dhe për mëkatet e shtëpisë së Izraelit. Cila është shkelja e Jakobit? Mos vallë Samaria? Cilat janë vendet e larta të Judës? A mos vallë Jeruzalemi?
6 Prandaj do ta katandis Samarian në një grumbull rrënimesh në fushë, në një vend për të mbjellë hardhi. Do t’i rrokullis gurët e saj në luginë dhe do të nxjerrë në shesh themelet e saj.
7 Të gjitha figurat e saj të gdhendura do të copëtohen, tërë fitimet e saj të prostitucionit do të digjen në zjarr dhe tërë idhujt e saj do t’i katandis në shkreti, sepse janë mbledhur me fitimet e prostitucionit, ato do të kthehen në fitime të prostitucionit.
8 Për këtë arsye unë do të nxjerr vajtime dhe rënkime, do të shkoj i zhveshur dhe lakuriq; do të nxjerr ankime angullima si çakalli, klithma të kobshme si të strucit.
9 Plagët e tij në fakt janë të pashërueshme, sepse kanë arritur deri në Judë, kanë arritur deri te porta popullit tim, në vetë Jeruzalemin.
10 Mos e shpallni në Gath, mos qani aspak në Beth-le-Afrah, rrotullohuni në pluhur.
11 Kalo tutje me lakuriqësi të turpshme, o banore e Shafirit; banorja e Tsaananit nuk del më; zija e Beth-Haetselit do t’ju heqë vendin mbi të cilin rri.
12 Banorja e Marothit me të drejtë hidhërohet, sepse një fatkeqësi ka zbritur nga ana e Zotit deri te porta e Jeruzalemit.
13 Lidhi kuajt te qerrja, o banore e Lakishit! Ajo ka qënë fillimi i mëkatit për bijën e Sionit, sepse te ti janë gjetur shkeljet e Izraelit.
14 Prandaj ti do t’i japësh një dhuratë lamtumire Moresheth-Gathit; shtëpitë e Akzibit do të jenë një zhgënjim për mbretërit e Izraelit.
15 Do të të sjell një trashëgimtar të ri, o banore e Mareshahut; lavdia e Izraelit do të arrijë deri në Adullam.
16 Pri flokët dhe rruaj kokën për shkak të bijve të kënaqësive të tua. Zgjero shogën tënde si huta, sepse ata do të shkojnë në robëri larg teje.
10 Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte.
2 Dhe u thoshte atyre: “E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.
3 Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve.
4 Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës.
5 Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi".
6 Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju.
7 Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t’ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër.
8 Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t’ju vënë përpara.
9 Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar".
10 Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni:
11 "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar".
12 Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet.
13 Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse, po të ishin bërë në Tiro dhe në Sidon mrekullitë që u bënë te ju, ata prej kohësh do të kishin bërë pendesë duke u veshur me thasë dhe duke u ulur në hi.
14 Prandaj ditën e gjyqit Tiro dhe Sidoni do ta kenë më lehtë se ju.
15 Dhe ti, Kapernaum, që të kanë ngritur deri në qiell, do të poshtërohesh deri në ferr.
16 Kush ju dëgjon, më dëgjon mua; kush ju përbuz, më përbuz mua; dhe kush më përbuz, përbuz atë që më ka dërguar.”
17 Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd.”
18 Dhe ai u tha atyre: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.
19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë.
20 Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej.”
21 Në të njëjtën orë Jezusi ngazëlloi në frym dhe tha: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, sepse ua fshehe këto të urtëve dhe të zgjuarve dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, sepse kështu ty të pëlqeu.
22 Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t’ia zbulojë.”
23 Pastaj, si u kthye nga dishepujt, u tha atyre veçmas: “Lum sytë që shohin ato që shihni ju,
24 sepse ju them se shumë profetë dhe mbretër dëshiruan të shohin ato që ju shihni, por nuk i panë, dhe të dëgjojnë ato që ju po dëgjoni, por nuk i dëgjuan.”
25 Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”
26 Dhe ai tha: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?.”
27 Ai duke u përgjigjur tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten.”
28 Jezusi i tha: “U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh.”
29 Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: “Po kush është i afërmi im?.”
30 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: “Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.
31 Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.
32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.
33 Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.
34 Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.
35 Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".
36 Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?.”
37 Dhe ai tha: “Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.” Atëherë Jezusi i tha: “Shko dhe bëj kështu edhe ti.”
38 Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet.
39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij.
40 Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë.”
41 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;
42 por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet.”