M’Cheyne Bible Reading Plan
21 Manasi ishte dymbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe e mbajti fronin pesëdhjetë e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Eftsibah.
2 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Zotit, sipas zakoneve të neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar para bijve të Izraelit.
3 Ai rindërtoi vende të larta që Ezekia, i ati, kishte shkatërruar; ngriti altarin e Baalit, bëri një Asherah ashtu si kishte bërë Ashabi, mbret i Izraelit; dhe adhuroi tërë ushtrinë e qiellit dhe u vu në shërbim të tij.
4 Ai ngriti gjithashtu altare në shtëpinë e Zotit, lidhur me të cilën Zoti kishte thënë: "Në Jeruzalem do të vë emrin tim".
5 I ngriti altare tërë ushtrisë së qiellit në dy oborret e shtëpisë të Zotit.
6 Kaloi edhe nëpër zjarr të birin, u muarr me magji dhe shortari dhe u këshillua me mediume dhe magjistarë. Bëri atë që është plotësisht e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
7 Vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur të Asherahut, që kishte bërë, në tempull, lidhur me të cilin Zoti i kishte thënë Davidit dhe Salomonit, birit të tij: "Në këtë tempull dhe në Jeruzalem, që kam zgjedhur ndër gjithë fiset e Izraelit, do të vendos emrin tim përjetë;
8 dhe nuk do të bëj që këmba e Izraelit të endet larg vendit që u kam dhënë etërve të tyre, me kusht që ata të kujdesen të zbatojnë në praktikë atë që kam urdhëruar dhe gjithë ligjin që Moisiu, shërbëtori im, u ka urdhëruar".
9 Por ata nuk e dëgjuan dhe Manasi i shtyu të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit.
10 Atëherë Zoti foli me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve, duke thënë:
11 "Meqenëse Manasi, mbret i Judës, ka kryer këto gjëra të neveritshme (ka bërë një të keqe më të madhe se ajo që kanë bërë Amorejtë, që ishin para tij, dhe me anë të idhujve të tij e ka bërë edhe Judën të kryejë mëkate),
12 kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do të sjell mbi Jeruzalemin dhe mbi Judën një fatkeqësi të tillë, sa që kushdo që ta dëgjojë do t’i tronditen veshët.
13 Do të zgjas mbi Jeruzalem rripin matës të Samarisë dhe plumbçen e shtëpisë së Ashabit, dhe do ta pastrojë Jeruzalemin si pastrohet një pjatë e cila, pasi të jetë pastruar, kthehet përmbys.
14 Kështu do të braktis mbetjen e trashëgimisë sime dhe do ta jap në duart e armiqve të tyre, dhe ata do të bëhen preja dhe plaçka e gjithë armiqve të tyre,
15 sepse kanë bërë atë që është e keqe në sytë e mi dhe kanë shkaktuar zemërimin tim nga dita që etërit e tyre dolën nga Egjipti e deri më sot".
16 Manasi derdhi gjithashtu shumë gjak të pafajshëm, duke e mbushur Jeruzalemin nga njeri skaj në tjetrin, përveç mëkatit të tij që e shtyu Judën të mëkatojë, duke bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.
17 Pjesa tjetër e veprave të Manasit, tërë ato që kreu dhe mëkatet që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
18 Kështu Manasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në kopshtin e pallatit të tij, në kopshtin e Uzas. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amoni.
19 Amoni ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Meshulemeth, ishte e bija e Harutsit nga Jotbahu.
20 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si kishte vepruar i ati, Manasi.
21 Ndoqi plotësisht rrugën e ndjekur nga i ati, u shërbeu idhujve të cilëve u kishte shërbyer i ati dhe i adhuroi.
22 Braktisi Zotin, Perëndinë e etërve të tij, dhe nuk eci në rrugën e Zotit.
23 Shërbëtorët e Amonit kurdisën një komplot kundër tij dhe e vranë mbretin në pallatin e tij.
24 Por populli i vendit vrau tërë ata që kishin marrë pjesë në komplot kundër mbretit Amon dhe në vend të tij u bë mbret i biri, Josia.
25 Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Amoni a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretit të Judës?
26
3 Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin,
2 i cili është besnik ndaj atij që e bëri, ashtu si qe edhe Moisiu në tërë shtëpinë e tij.
3 Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia.
4 sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.
5 Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për të dëshmuar për të gjitha gjërat që duheshin thënë,
6 por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.
7 Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,
8 mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.
10 Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;
11 kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time.”
12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,
13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot," që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.
14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,
15 kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.”
16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?
17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?
18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur?
19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.
14 O Izrael, kthehu tek Zoti, Perëndia yt, sepse ke rënë poshtë për shkak të paudhësisë sate.
2 Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: "Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë, dhe ne do të ofrojmë flijimet e buzëve tona.
3 Asiria nuk do të na shpëtojë, nuk do të hipim më mbi kuaj dhe nuk do t’i themi më veprës së duarve tona: "Ti je perëndia ynë," sepse pranë teje jetimi gjen dhemshuri".
4 "Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua shumë, sepse zemërimi im u tërhoq prej tyre.
5 Do të jem si vesa për Izraelin; dhe ai do të lulëzojë si zambaku dhe do t’i zgjatë rrënjët e tij në thellësi si kedrat e Libanit.
6 Degët e tij do të zgjaten, bukuria e tij do të jetë si ajo e ullirit, aroma e tij do të jetë si ajo e Libanit.
7 Ata që jetojnë në hijen e tij do të kthehen dhe do të rigjallërohen si gruri, do të lulëzojnë si hardhia dhe do të jenë të famshëm si vera e Libanit.
8 Efraimi do të thotë: "Çfarë më lidh më me idhujt?". Unë do ta kënaq dhe do të kujdesem për të. Unë jam si një selvi përherë e blertë; fryti yt vjen te unë".
9 Kush është i urtë, t’u kushtojë kujdes këtyre gjërave. Kush ka mend le t’i kuptoje ato. Sepse rrugët e Zotit janë të drejta; të drejtët do të ecin nëpër to, por shkelësit do të rrëzohen.
139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
2 Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.
3 Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.
4 Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.
5 Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.
6 Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.
7 Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?
8 Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.
9 Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,
10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.
11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:
12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.
13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.
14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.
16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.
17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!
18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.
19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.
20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.
21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?
22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.
23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.
24 dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.