Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Mbretërve 20

20 Në ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Atëherë profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: "Kështu flet Zoti: "Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe nuk ke për t’u shëruar"".

Atëherë ai ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit, duke thënë:

"Të lutem shumë, o Zot, mos harro si kam ecur para teje me besnikëri dhe me zemër të pastër, duke bërë atë që është e mirë për sytë e tu". Pastaj Ezekia shpërtheu në vaj.

Isaia nuk kishte arritur akoma në oborrin qendror, kur fjala e Zotit iu drejtua, duke i thënë:

"Kthehu prapa dhe i thuaj Ezekias, princit të popullit tim: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Davidit, atit tënd: Kam dëgjuar lutjen tënde dhe kam parë lotët e tu; ja, unë po të shëroj; ditën e tretë do të ngjitesh në shtëpinë e Zotit.

Do t’i shtoj pesëmbëdhjetë vjet jetës sate, do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet për dashurinë që kam ndaj vetes dhe ndaj Davidit, shërbëtorit tim"".

Pastaj Isaia tha: "Merrni një jaki fiqsh". Kështu ata e morën dhe e vunë mbi ulçerën, dhe mbreti u shërua.

Por Ezekia i tha Isait: Cila është shenja që Zoti do të më shërojë dhe që ditën e tretë do të ngjitem në shtëpinë e Zotit?".

Atëherë Isaia iu përgjigj: "Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit që Zoti do të plotësojë atë që ka thënë: A dëshiron që hieja të shkojë përpara dhjetë shkallëza ose të kthehet prapa dhjetë shkallëza?".

10 Ezekia u përgjigj: "Éshtë lehtë për hijen të shkojë përpara dhjetë shkallëza. Jo! Më mirë hieja të shkojë prapa dhjetë shkallëza".

11 Atëherë profeti Isai kërkoi ndihmën e Zotit, që bëri hijen të kthehej prapa dhjetë shkallëzat që i kishte zënë në shkallën e Ashazit.

12 Në atë kohë Berodak-Baladani, bir i Baladanit, mbret i Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që Ezekia kishte qenë i sëmurë.

13 Ezekia priti në audiencë të dërguarit dhe u tregoi tërë shtëpinë e thesarit të tij: argjendin, arin, aromat, vajrat shumë të mira, arsenalin e tij dhe të gjitha gjërat që ndodheshin në magazinat e tij. Nuk pati asgjë në shtëpinë e tij dhe në të gjitha pronat e tij që Ezekia nuk ua tregoi atyre.

14 Atëherë profeti Isaia shkoi te mbreti Ezekia dhe i tha: "Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?". Ezekia iu përgjigj: "Kanë ardhur nga një vend i largët, nga Babilonia".

15 Isaia i tha: "Çfarë kanë parë në shtëpinë tënde?". Ezekia u përgjigj: Kanë parë të gjitha ato që ka shtëpia ime; u tregova edhe ato gjëra që janëë në magazinat e mia".

16 Atëherë Isaiai i tha Ezekias: "Dëgjo fjalën e Zotit:

17 "Ja, do të vijnë ditët, kur tërë ato që ka shtëpia jote dhe tërë ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohen në Babiloni; asgjë nuk do të lihet, thotë Zoti.

18 Përveç kësaj, disa nga bijtë e tu, që kanë dalë nga ti dhe që të kanë lindur, do të bëhen eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë"".

19 Ezekia iu përgjigj pastaj Isaias: "Fjala e Zotit që ti ke shqiptuar është e mirë". Në fakt ai mendonte: "A nuk është një gjë e bukur që të ketë paqe dhe siguri gjatë jetës sime?".

20 Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe të gjitha trimëritë e tij, ndërtimi i rezervuarit dhe i ujësjellësit, me anën e të cilëve pruri ujin në qytet, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

21 Pastaj Ezekian e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Manasi.

Hebrenjve 2

Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga ruga.

Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë,

si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan,

ndërsa Perëndia dëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij.

Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim,

por dikush dëshmoi diku duke thënë: “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua;

Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij.” Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij,

por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.

10 Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.

11 Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,

12 duke thënë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd, do të të lavdëroj në mes të kishës.”

13 Edhe më: “Do të shpresoj në të.” Dhe përsëri: “Ja unë, dhe fëmijët që m’i dha Perëndia.”

14 Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,

15 edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.

16 Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit.

17 Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.

18 sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.

Osea 13

13 Kur Efraimi fliste me të dridhura, e lartonte vetveten në Izrael, por kur u bë fajtor me Baalin, ai vdiq.

Tani vazhdojnë të mëkatojnë, dhe me argjendin e tyre kanë bërë një mori figurash të derdhura, idhuj sipas kuptimit të tyre, të gjitha vepra artizanësh. Për ta thuhet: "Njerëzit që ofrojnë flijime le të puthin viçat".

Prandaj do të jenë si një re mëngjesore, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt, si byku që e merr era nga lëmi, si tymi që del nga oxhaku.

"Megjithatë unë jam Zoti, Perëndia yt, që nga vendi i Egjiptit; ti nuk duhet të pranosh tjetër Perëndi veç meje dhe nuk ka tjetër Shpëtimtar jashtë meje.

Unë të njoha në shkretëtirë, në tokën e thatësirës së madhe.

Kur kishin kullotë, ngopeshin; kur ngopeshin, zemra e tyre krenohej; prandaj më kanë harruar.

Kështu unë do të jem për ta si një luan, do të rri në pritë mbi rrugë si leopard;

do t’i sulmoj si një arushë që ia kanë marrë këlyshët dhe t’u çaj kafazin e kraharorit; do t’i ha si një luaneshë, bishat e fushave do t’i shqyejnë.

Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate.

10 Ku është tani mbreti yt, që të mund të të shpëtojë në të gjitha qytetet e tua? Ku janë gjykatësit e tu për të cilët thoshje: "Nëm një mbret dhe disa krerë"?

11 Të kam dhënë një mbret në zemërimin tim dhe ta mora përsëri në tërbimin tim.

12 Paudhësia e Efraimit është mbyllur në vend të të sigurt, mëkati i tij mbahet i fshehur.

13 Dhembje grash që lindin do të vinë mbi të. Éshtë një bir pa mend, sepse nuk duhet të qëndrojë gjatë në vendin ku dalin fëmijët.

14 Unë do t’i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t’i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt. Pendimi është fshehur nga sytë e mi.

15 Edhe në rast se është frytdhënës midis vëllezërve të tij, do të vijë nga shkretëtira era e lindjes, do të ngrihet nga shkretëtira era e Zotit, atëherë burimi i tij do të thahet, gurra e tij do të shterojë. Ai do të plaçkitë thesarin e çdo ene të çmuar.

16 Samaria do të shkretohet, sepse ka ngritur krye kundër Perëndisë të saj. Do të bien nga shpata; fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë dhe grave të tyre me barrë do t’u çajnë barkun".

Psalmet 137-138

137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;

mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.

Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".

Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?

Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;

m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.

Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".

O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!

Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.