Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Mbretërve 18

18 Në vitin e tretë të Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Ezekia, bir i Ashazit, mbret i Judës.

Ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abi; ishte bijë e Zakarias.

Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, sipas tërë atyre që kishte bërë Davidi, ati i tij.

I hoqi nga vendi vendet e larta, bëri copë-copë shtyllat e shenjta, rëzoi Asherahun dhe bëri copë-copë gjarpërin prej bronzi që e pat bërë Moisiu, sepse deri në atë kohë bijtë e Izraelit i kishin ofruar temjan dhe e quajti Nehushtan.

Ai pati besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit; dhe mbas tij, midis tërë mbretërve të Judës, nuk pati asnjë si ai, as edhe midis atyre që kishin qenë para tij.

Mbeti i lidhur me Zotin, nuk pushoi së ndjekuri gjurmët e tij dhe respektoi urdhërimet që Zoti i kishte dhënë Moisiut.

Kështu Zoti mbeti pranë tij, dhe atij i dilnin mbarë të gjitha ndërmarrjet e tij. Ngriti krye kundër mbretit të Asirisë dhe nuk iu nënshtrua më;

mundi Filistejtë deri në Gaza dhe aty ku arrinte territori i tyre, nga kulla e rojes deri në qytetin e fortifikuar.

Vitin e katërt të mbretit Ezekia, që ishte viti i shtatë i Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi.

10 Dhe pas tre vjetve e pushtoi; vitin e gjashtë të Ezekias, që ishte viti i nëntë i Hoseut, mbretit të Izraelit, Samaria u pushtua me forcë.

11 Mbreti i Asirisë i shpërnguli pastaj Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, dhe në qytetet e Medasve,

12 sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit, Perëndisë të tyre, dhe kishin shkelur besëlidhjen e tij; tërë ato që Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar ata as e kishin dëgjuar, as e kishin vënë në praktikë.

13 Vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia, Senasheribi, mbret i Asirisë, doli kundër tërë qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.

14 Atëherë Ezekia, mbret i Judës, dërgoi t’i thotë mbretit të Asirisë në Lakish: "Kam mëkatuar; tërhiqu prej meje dhe kam për të pranuar të gjitha ato që do të më caktosh". Mbreti i Asirisë i caktoi Ezekias, mbretit të Judës, treqind talenta argjendi dhe tridhjetë talenta ari.

15 Kështu Ezekia dha tërë argjendin që gjendej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit të mbretit.

16 Në atë kohë Ezekia hoqi nga portat e tempullit të Zotit dhe nga shtalkat arin me të cilin Ezekia, mbret i Judës, i kishte veshur dhe ia dha mbretit të Asirisë.

17 Atëherë mbreti i Asirisë i dërgoi Ezekias, nga Lakishi në Jeruzalem, Tartanin, Rabsarisin dhe Rabshakehun me një ushtri të madhe. Ata dolën dhe arritën në Jeruzalem. Kur arritën në Jeruzalem, shkuan e u ndalën pranë ujësjellësit të pellgut të epërm, që është në rrugën e fushës së rrobalarësit.

18 Kur thërritën mbretin, u ndalën përballë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekti i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti.

19 Atëherë Rabshakehu u tha atyre: "Shkoni t’i thoni Ezekias: Kështu thotë i madhi, mbret i Asirisë: Ku e gjen gjithë këtë besim?

20 A mendon vallë që këshilla dhe forca për të bërë luftë janë vetëm fjalë të kota? Te kush ke besim kur ke ngritur krye kundër meje?

21 Ja tani, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që çan dorën e atij që mbështetet në të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.

22 Ndofta do të më thoni: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë". A nuk është, vallë, po ai për të cilin Ezekia ka hequr vendet e larta dhe altarët, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm përpara këtij altari në Jeruzalem"?

23 Tani vër një bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë! Unë do të jap dy mijë kuaj, në rast se ti je në gjendje të gjesh kalorësit që u hipin.

24 Si mund ta bësh të tërhiqet qoftë edhe një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotërisë sime? Megjithatë ke besim tek Egjipti për të pasur qerre dhe kalorës.

25 Tani, a kam dalë, vallë, pa Zotin kundër këtij vendi për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje".

26 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, Shebna dhe Joashi i thanë Rabshakehut: "Të lutem, folu shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, se ne e kuptojmë; por mos na fol në gjuhën hebraike, sepse populli që është mbi muret dëgjon".

27 Por Rabshakehu iu përgjigj atyre në këtë mënyrë: "A më ka dërguar vallë zotëria im t’i them këto gjëra zotërisë sate dhe ty, apo më tepër njerëzve që qëndrojnë mbi muret, të dënuar të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë shurrën e tyre bashkë me ju?".

28 Atëherë Rabshakehu u ngrit dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraishte, duke thënë: "Dëgjoni fjalën e të madhit, mbretit të Asirisë!

29 Kështu thotë mbreti: "Mos u mashtroni nga Ezekia, sepse ai nuk mund t’ju shpëtojë nga duart e mia;

30 të mos ju shtyjë Ezekia të keni besim tek Zoti, duke thënë: Me siguri Zoti do të na çlirojë dhe ky qytet nuk do t’i dorëzohet mbretit të Asirisë".

31 Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: "Bëni paqe me mua dhe dorëzohuni në duart e mia, kështu secili do të hajë frutat e vreshtit dhe të fikut të tij dhe do të pijë ujin e sternës së tij,

32 deri sa të vijë unë dhe t’ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, një vend që jep grurë dhe verë, një vend që ka bukë dhe vreshta, një vend me ullinj, vaj dhe mjaltë; dhe ju do të jetoni dhe nuk do të vdisni". Mos dëgjoni fjalët e Ezekias, që kërkon t’ju mashtrojë, duke thënë: "Zoti do të na çlirojë".

33 A ka çliruar ndonjë prej perëndive të fiseve vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë?

34 Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit, të Henas dhe të Ivahut? E kanë çliruar ata vallë Samarinë nga duart e mia?

35 Kush midis tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e tij nga duart e mia, që Zoti të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?".

36 Por populli heshti dhe nuk u përgjigj as edhe një fjalë, sepse urdhri i mbretit ishte: "Mos i jepni përgjigje".

37 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek Ezekia me rroba të grisura dhe i referuan fjalët e Rabshekahut.

Filemonit

Pali, i burgosuri i Jezu Krishtit, dhe vëlla Timoteu, Filemonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë,

motrës Apfi, bashkëluftëtarit tonë Arkipit, dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde:

hir dhe paqe mbi ju prej Perëndisë sonë, Atit, dhe Zotit Jezu Krisht.

E falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar gjithnjë në lutjet e mia,

sepse po dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve,

që bashkësia e besimit tënd të bëhet e frytshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju për shkak të Jezu Krishtit.

Sepse ne patëm gëzim të madh dhe përdëllim nga dashuria jote, sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë.

Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh,

më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit;

10 të lutem për birin tim Onesim, që më lindi në prangat e mia,

11 i cili dikur s’kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua,

12 të cilin ta dërgova përsëri; dhe ti prite atë, zemrën time.

13 Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit;

14 por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje.

15 Sepse ndoshta për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përgjithmonë,

16 por jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty si sipas mishit, ashtu dhe në Zotin.

17 në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë!

18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim, m’i ngarko mua.

19 Unë, Pali, i shkrova me dorën time. Unë vetë do të paguaj; që të mos them se ti më detyrohesh edhe veten tënde!

20 Po, vëlla, ma bëj këtë nder në Perëndinë! Ma përtëri zemrën në Perëndinë!

21 Të shkrova me plotbesim se do të më dëgjosh, sepse e di se ti do të bësh edhe më shumë nga sa po të them.

22 Më përgatit njëkohësht një vend për të ndenjur, sepse shpresoj se, për hir të lutjeve tuaja, do t’ju dhurohem përsëri.

23 Epafra, i burgosur bashkë me mua në Jezu Krishtin,

24 Marku, Aristarku, Dema dhe Lluka, bashkëpunëtorët e mi, të bëjnë të fala.

25 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.

Osea 11

11 "Kur Izraeli ishte fëmijë, unë e desha dhe nga Egjipti thirra birin tim.

Sa më shumë i thërrisnin profetët, aq më tepër janë larguar prej tyre, u kanë bërë flijime Baalëve dhe u kanë djegur temjan figurave të gdhendura.

Unë vetë i mësova Efraimit të ecë, duke e mbajtur nga krahët; por ata nuk e kuptuan që unë po i shëroja.

Unë i tërhiqja me litarë të dashamirësisë njerëzore, me lidhje dashurie; isha për ta si ai që e ngre zgjedhën nga qafa e tyre, dhe përulesha për t’u dhënë të hanë.

Izraeli nuk do të kthehet në vendin e Egjipti; por Asiri do të jetë mbreti i tij, sepse nuk kanë pranuar të konvertohen.

Shpata do të bjerë mbi qytetet e tij, do të shkatërrojë shufrat e tyre dhe do t’i hajë për shkak të planeve të tyre të këqija.

Populli im synon të largohet nga unë; megjithatë e thërresin Shumë të Lartin, asnjë prej tyre nuk e përlëvdon.

Si mund të të braktis, o Efraim, ose të të lë në dorë të të tjerëve, o Izrael? Si mund të të bëj si Admahu, ose të të katandis si Tseboimi? Zemra ime ngashërohet brenda meje, dhemshuria ime ndizet e tëra.

Nuk do ta shfryj zemërimin tim të zjarrtë, nuk do të shkatërroj përsëri Efraimin, sepse jam një Perëndi dhe jo një njeri, i Shenjti midis teje dhe nuk do të vij me zemërim.

10 Ata do të ndjekin Zotin, që do të vrumbullojë si një luan; kur do të vrumbullojë, bijtë e tij do të rendin drejt tij nga perëndimi duke u dridhur.

11 Do të rendin duke u dridhur si zogjtë nga Egjipti dhe si pëllumbesha nga vendi i Asirisë; unë do t’i bëj të banojnë në shtëpitë e tyre," thotë Zoti.

12 Efraimi më qarkon me gënjeshtra dhe shtëpia e Izraelit me mashtrin. Edhe Juda është akoma i pabindur ndaj Perëndisë dhe të Shenjtit që është besnik.

Psalmet 132-134

132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,

ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:

"Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;

nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,

deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".

Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.

Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.

Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.

Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.

10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.

11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.

12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".

13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:

14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.

15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;

16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.

17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.

18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".

133 Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!

Éshtë si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij.

Éshtë si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi.

134 Ja, bekoni Zotin, ju, të gjithë shërbëtorët e Zotit, që e kaloni natën në shtëpinë e Zotit.

Ngrini duart në drejtim të shenjtores dhe bekoni Zotin.

Të bekoftë Zoti nga Sioni, ai që ka krijuar qiejtë dhe tokën.