M’Cheyne Bible Reading Plan
17 Në vitin e dymbëdhjetë të Ashazit, mbretit të Judës, Hosea, bir i Elahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe e mbajti fronin nëntë vjet.
2 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, por jo si mbretërit e Izraelit që qenë para tij.
3 Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij; Hosea u bë kështu shërbëtor i tij dhe i paguante një haraç.
4 Por mbreti i Asirisë zbuloi një komplot te Hosea, sepse ky kishte dërguar lajmëtarë te So, mbret i Egjiptit dhe nuk i sillte më haraçin mbretit të Asirisë, siç bënte zakonisht çdo vit. Prandaj mbreti i Asirisë e futi në burg dhe e mbante të lidhur.
5 Pastaj mbreti i Asirisë pushtoi tërë vendin, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi gjatë tre vjetve.
6 Në vitin e nëntë të Hoseas, mbreti i Asirisë pushtoi Samarinë, i shpërnguli Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, si dhe në qytetet e Medit.
7 Kjo ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera;
8 kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit.
9 Bijtë e Izraelit kishin kryer gjithashtu në mënyrë të fshehtë kundër Zotit, Perëndisë të tyre, gjëra jo të drejta dhe kishin ndërtuar vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, nga kullat e rojes deri në qytetet e fortifikuara.
10 Kishin ndërtuar për veten e tyre shtylla të shenjta dhe Asherime mbi çdo kodër të lartë dhe poshtë çdo druri gjelbërues;
11 dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit;
12 u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: Mos bëni një gjë të tillë!!".
13 Megjithatë Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën me anë të të gjithë profetëve dhe të shikuesve, duke thënë: "Kthehuni prapa nga rrugët tuaja të këqija dhe respektoni urdhërimet dhe statutet e mia, sipas tërë ligjit që u caktova etërve tuaj dhe që ju dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve".
14 Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre.
15 Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t’i imitonin.
16 Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit;
17 kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
18 Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.
19 As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli.
20 Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, deri sa i përzuri nga prania e tij.
21 Kur ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, ata shpallën mbret Jeroboamin, birin e Nebatit; pastaj Jeroboami e shmangu Izraelin nga rruga e Zotit dhe e bëri të kryente një mëkat të madh.
22 Kështu bijtë e Izraelit ndoqën tërë mëkatet e kryera prej Jeroboamit dhe nuk u larguan prej tyre,
23 deri sa Zoti e largoi Izraelin nga prania e tij, ashtu si kishte thënë me anë të tërë profetëve të tij, shërbëtorëve të tij; dhe Izraeli u shpërngul kështu me dhunë në vendin e Asirisë, ku ndodhet sot e kësaj dite.
24 Pastaj mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, nga Kuthahu, nga Ava, nga Hamathi dhe nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë në vend të bijve të Izraelit; kështu ata futën në dorë Samarinë dhe banuan në qytetet e saj.
25 Por në fillim të ngulimit të tyre atje, ata nuk kishin frikë nga Zoti; prandaj Zoti dërgoi në mes të tyre, disa luanë, të cilët vranë disa banorë.
26 Atëherë i thanë mbretit të Asirisë: "Njerëzit që ti i ke kaluar dhe vendosur në Samari nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit; prandaj ai ka dërguar në mes tyre luanë që i vrasin ata, sepse nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit".
27 Atëherë mbreti i Asirisë dha këtë urdhër, duke thënë: "Bëni që të kthehet një nga priftërinjtë që keni internuar që andej; ai të shkojë të vendoset pranë tyre dhe t’u mësoj ligjin e Perëndisë të vendit".
28 Kështu një nga priftërinjtë, që ishin internuar nga Samaria, shkoi dhe u vendos në Bethel dhe u mësoi atyre si duhet t’i druheshin Zotit.
29 Megjithatë, tërë këto kombe vazhduan të bëjnë perënditë e tyre dhe i vendosën në tempujt e vendeve të larta që kishin ndërtuar Samaritanët, çdo komb në qytetin ku banonte.
30 Ata të Babilonisë bënë Sukoth-Benothin, ata të Kuthit Nergalin, ata të Hamathit Ashiman;
31 ata të Avas bënë Nibhazin dhe Tartakun; dhe ata të Sefarvaimit i digjnin bijtë e tyre për nder të Adramelekut dhe të Anamelekut, perëndi të Sefarvaimit.
32 Ata kishin frikë nga Zoti, por zgjodhën priftërinj të vendeve të larta të ardhur nga çdo klasë dhe që ofronin flijime për ta në tempujt e vendeve të larta.
33 Kështu ata kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin perëndive të tyre, sipas zakoneve të kombeve nga të cilat qenë shpërngulur.
34 Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ndjekin zakonet e vjetra; nuk kanë frikë nga Zoti dhe nuk veprojnë sipas statuteve dhe urdhërimeve të tij dhe as sipas ligjeve dhe urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë bijve të Jakobit, të quajtur prej tij Izrael.
35 Me ta në fakt Zoti kishte vendosur dhe u kishte urdhëruar: "Mos kini frikë nga perëndi të tjera, mos bini përmbys para tyre, mos u shërbeni dhe mos u ofroni flijime,
36 por kini frikë nga Zoti, që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me krahun e tij të shtrirë; para tij bini përmbys dhe atij i ofroni flijime.
37 Kini kujdes të zbatoni gjithnjë statutet, dekretet, ligjin dhe urdhërimet që ai shkroi për ju; por mos kini frikë nga perënditë e tjera.
38 Mos harroni besëlidhjen që kam lidhur me ju dhe mos kini frikë nga perëndi të tjera;
39 por kini frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe ai do t’ju çlirojë nga duart e tërë armiqve tuaj".
40 Por ata nuk e dëgjuan dhe vazhduan përkundrazi të ndjekin zakonet e tyre të lashta.
41 Kështu këto kombe kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin idhujve të tyre. Edhe bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre kanë vazhduar të veprojnë deri më sot siç kanë vepruar etërit e tyre.
3 U kujto atyre që t’u nënshtrohen pushtetarëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, gati për çdo vepër të mirë,
2 të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve.
3 Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin.
4 Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit,
5 ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë,
6 të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë,
7 që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi.
8 Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit.
9 Por ti shmangu nga diskutimet e ma-rra, nga gjenealogjitë, nga grindjet dhe debatet rreth ligjit, sepse janë të padobishme dhe të kota.
10 Shmangu nga njeriu sektar, mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë,
11 duke ditur se një i tillë është çoroditur dhe mëkaton, duke dënuar vetveten.
12 Kur të dërgoj Arteman ose Tikikun, bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopoli, sepse vendosa ta kaloj dimrin aty.
13 Përcilli me kujdes për udhëtim Zenën, juristin e ligjit, dhe Apolonin, që të mos u mungojë gjë.
14 Edhe le të mësojnë edhe tanët t’u kushtohen veprave të mira për nevojat e ngutshme, që të mos jenë të pafrytshëm.
15 Të gjithë ata që janë me mua të bejnë të fala. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë me ju të gjithë. Amen.
10 Izraeli ishte një vresht i harlisur, që jepte fryt për veten e tij; sa më tepër rritej fryti i tij, aq më tepër i shumonte altarët e tij; sa më i pasur ishte vendi i tij, aq më të bukura i bënte shtyllat e tij të shenjta.
2 Zemra e tyre është gënjeshtare; tani do të marrin ndëshkimin për të. Ai do të rrëzojë altarët e tyre, do të shkatërrojë shtyllat e tyre të shenjta.
3 Po, tani do të thonë: "Nuk kemi më mbret, sepse nuk kemi pasur frikë nga Zoti; por edhe mbreti çfarë do të mund të bënte për ne?".
4 Thonë fjalë, betohen me të rreme kur lidhin besëlidhjen; prandaj ndëshkimi lulëzon si kukuta në brazdat e arave.
5 Banorët e Samarisë do të drithërohen për viçin e Beth-avenit, sepse populli i tij do të mbajë zi për të dhe priftërinjtë e tij që gëzoheshin me të do të dridhen, mbasi lavdia u largua prej tij.
6 Vetë idhullin do ta çojnë në Asiri si një dhuratë për mbretin mbrojtës. Efraimi do të turpërohet dhe Izraeli do të koritet për planet e tij.
7 Sa për Samarinë, mbreti i saj do të zhduket si shkuma mbi ujë.
8 Edhe vendet e larta të Avenit, mëkati i Izraelit, do të asgjësohen; ferra dhe gjemba do të rriten mbi altarët e tyre. Atëherë do t’u thonë maleve: "Na mbuloni!," dhe kodrave: "Na bini përsipër!".
9 "Që nga ditët e Gibeahut ti ke mëkatuar, o Izrael. Atje u ndalën; në Gibeah beteja kundër të bijve të paudhësisë nuk i arriti.
10 Kur të më pëlqejë, do t’i ndëshkoj; popujt do të mblidhen kundër tyre, kur t’i lidh për të dy paudhësitë e tyre.
11 Efraimi është si një mëshqerrë e stërvitur mirë, së cilës i pëlqen të shijë grurin, por unë do të vë zgjedhën mbi qafën e saj të bukur; do ta lidh Efraimin me parmendën, Juda do të lërojë, Jakobi do të thërmojë plisat".
12 Mbillni për vete sipas drejtësisë, korrni sipas dhemshurisë, lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe përhapë mbi ju drejtësinë.
13 Ju keni lëruar ligësinë, keni korrur paudhësinë, keni ngrënë frytin e gënjeshtrës. Duke qenë se ti u ke besuar rrugëve të tua, në turmën e trimave të tu,
14 një trazirë do të lindë në mes të popullit tënd dhe të gjitha fortesat e tua do të shkatërrohen ashtu si Shalmani shkatërroi Beth-arbelin, ditën e betejës, kur nëna u bë copë-copë mbi bijtë.
15 Kështu do të ndodhë me ty, o Bethel, për shkak të ligësisë suaj të pamasë. Në mëngjes mbreti i Izraelit do të shkatërrohet krejt.
129 Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:
2 "Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.
3 Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".
4 Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.
5 U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!
6 U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;
7 nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;
8 dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".
130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.
2 O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.
3 Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?
4 Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.
5 Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.
6 Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.
7 O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.
8 Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.
131 O Zot, zemra ime nuk është mendjemadhe dhe sytë e mi nuk janë krenarë, dhe unë nuk merrem me gjëra tepër të mëdha dhe tepër të larta për mua.
2 E kam qetësuar dhe e kam tulatur me të vërtetë shpirtin tim, si një fëmijë i zvjerdhur në gjirin e nënes së tij; shpirti im brenda meje është si një foshnje e zvjerdhur.
3 O Izrael, shpreso tek Zoti, tani dhe përjetë.