M’Cheyne Bible Reading Plan
1 Mbas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, ndodhi që Zoti i foli Jozueut, djalit të Nunit, që i shërbente Moisiut, dhe i tha:
2 "Moisiu, shërbëtori im, vdiq; prandaj çohu, kalo Jordanin, ti dhe gjithë ky popull, dhe shko në atë vend që unë u jap atyre, bijve të Izraelit.
3 Unë ju kam dhënë çdo vend që tabani i këmbës suaj ka për të shkelur, siç i thashë Moisiut.
4 Territori yt do të shtrihet nga shkretëtira dhe nga Libani deri në lumin e madh, në lumin e Eufratit, nga tërë vendi i Hitejve deri në Detin e Madh, në perëndim.
5 Askush nuk do të mund të të kundërshtojë gjatë tërë ditëve të jetës sate; ashtu siç kam qenë me Moisiun, kështu do të jem me ty; nuk do të të lë, as nuk do të të braktis.
6 Ji i fortë dhe trim, sepse ti do të bësh që ky popull të zotërojë vendin që u betova t’u jap etërve të tyre.
7 Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim, duke u përpjekur të veprosh simbas tërë ligjit që Moisiu, shërbëtori im, të ka urdhëruar; mos u shmang prej tij as djathtas, as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh.
8 Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh simbas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.
9 A nuk të urdhërova unë? Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh".
10 Atëherë Jozueu urdhëroi oficerët e popullit, duke u thënë:
11 "Kaloni përmes kampit dhe jepini popullit këtë urdhër, duke i thënë: Siguroni rezerva ushqimore, sepse brenda tri ditëve do të kaloni Jordanin për të vajtur të pushtoni vendin që Zoti, Perëndia juaj, ju jep si trashëgimi".
12 Jozueu u foli gjithashtu Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit, duke u thënë:
13 "Mbani mend fjalën që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju urdhëroi kur ju tha: "Zoti, Perëndia juaj, ju ka dhënë pushim dhe ju ka dhënë këtë vend.
14 Gratë tuaja, të vegjëlit tuaj, dhe bagëtia juaj do të mbeten në vendin që Moisiu ju ka dhënë nga kjo anë e Jordanit; por ju, tërë luftëtarët tuaj trima do të kaloni të armatosur para vëllezërve tuaj dhe do t’i ndihmoni,
15 derisa Zoti t’u ketë dhënë pushim vëllezërve tuaj ashtu si juve, dhe ta kenë shtënë në dorë vendin që Zoti, Perëndia juaj, u jep atyre. Atëherë mund të ktheheni për të pushtuar vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtor i Zotit, ju ka dhënë këtej Jordanit në drejtim të Lindjes"".
16 Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut, duke i thënë: "Ne do të bëjmë të gjitha ato që ti na urdhëron dhe do të shkojmë kudo që të na çosh.
17 Ashtu siç i jemi bindur për çdo gjë Moisiut, kështu do të të bindemi ty. Vetëm me ty qoftë Zoti, Perëndia yt, ashtu siç ka qenë me Moisiun!
18 Kushdo që ngre krye kundër urdhrave të tua, dhe nuk u bindet fjalëve të tua, do të vritet. Vetëm ji i fortë dhe trim!".
120 Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj.
2 O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.
3 Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?
4 Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.
5 I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!
6 Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.
7 Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.
121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?
2 Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
3 Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.
4 Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.
5 Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.
6 Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.
7 Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.
8 Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.
122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".
2 Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.
3 Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,
4 ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.
5 Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.
7 Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.
8 Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.
61 Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve,
2 të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen,
3 për t’u dhënë gëzim atyre që pikëllohen në Sion, për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar, me qëllim që të quhen lisa të drejtësisë mbjellja e Zotit, për të paraqitur lavdinë e tij.
4 Ata do të rindërtojnë rrënojat e vjetra, do të rimëkëmbin vendet që janë shkretuar në të kaluarën, do të restaurojnë qytetet e shkretuara dhe të shkatërruara prej shumë brezash.
5 Të huajtë do të vijnë të kullosin kopetë tuaja, bijtë e të huajit do të jenë bujq tuaj dhe vreshtarë tuaj.
6 Por ju do të quheni "priftërinj të Zotit" dhe do të quheni "ministra të Perëndisë tonë". Ju do të gëzoni pasuritë e kombeve, dhe lavdia e tyre do të kalojë te ju.
7 Në vend të turpit tuaj do të keni një nderim të dyfishtë; në vend të hutimit do të ngazëllojnë në trashëgiminë e tyre. Prandaj në vendin e tyre do të zotërojnë dyfishin dhe do të kenë një ngazëllim të përjetshëm.
8 Sepse unë, Zoti, e dua drejtësinë, urrej vjedhjennë olokaust: unë do t’u jap atyre me besnikmëri shpërblimin dhe do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme.
9 Pasardhësit e tyre do të jenë të njohur ndër kombet dhe brezi i tyre ndër popuj; tërë ata që do t’i shohin do t’i njohin, sepse ata janë një fis i bekuar nga Zoti.
10 Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj.
11 Prandaj, ashtu si toka bën që të rritet bimësia e saj dhe kopshti bën që të mbijë atë që është mbjellë, po kështu Zoti, Zoti, do të bëjë që të mbijë drejtësia dhe lëvdimi përpara tërë kombeve.
9 Dhe ai, pasi hipi në barkë, kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet.
2 Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: “Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!”
3 Atëherë disa skribë thanë me vete: “Ky po blasfemon!.”
4 Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: “Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja?
5 Në fakt, ç’është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur," apo: "Çohu dhe ec"?
6 Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde.”
7 Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet.
8 Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve.
9 Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: “Ndiqmë!.” Dhe ai u çua dhe e ndoqi.
10 Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.
11 Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: “Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?.”
12 Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.
13 Tani shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.”
14 Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: “Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?.”
15 Dhe Jezusi u tha atyre: “A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndërri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t’ua marrin dhëndërrin dhe atëherë ata do të agjërojnë.
16 Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe.
17 Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy.”
18 Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: “Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë.”
19 Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.
20 Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij.
21 Sepse thoshte me vete: “Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem.”
22 Jezusi u kthye, e pa dhe tha: “Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar.” Dhe që në atë çast gruaja u shërua.
23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,
24 u tha atyre: “Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle.” Dhe ata e përqeshnin.
25 Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.
26 Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.
27 Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!.”
28 Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: “A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?.” Ata iu përgjigjën: “Po, o Zot.”
29 Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: “U bëftë sipas besimit tuaj.”
30 Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: “Ruhuni se mos e merr vesh njeri.”
31 Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend.
32 Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.
33 Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: “Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael.”
34 Por farisenjtë thonin: “Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!.”
35 Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
36 Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.
37 Atëherë ai u tha dishepujve të vet: “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.
38 Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.”