M’Cheyne Bible Reading Plan
8 "Kini kujdes të zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet që po ju jap sot, me qëllim që të jetoni, të shumëzoheni dhe të pushtoni vendin që Zoti u betua t’u japë etërve tuaj.
2 Kujto gjithë rrugën që Zoti, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këtë dyzetë vjet në shkretëtirë që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde dhe në se do të respektoje apo jo urdhërimet e tij.
3 Kështu, pra, ai të bëri të ulesh kokën, të provosh urinë, pastaj të ka ushqyer me manna që ti nuk e njihje dhe as etërit e tu s’e kishin njohur kurrë, me qellim që ti të kuptosh se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit.
4 Petkat e tua nuk të janë konsumuar mbi trup dhe këmba jote nuk është enjtur gjatë këtyre dyzet viteve.
5 Prano, pra, në zemrën tënde se, ashtu si njeriu korigjon birin e vet, ashtu Zoti Perëndia, yt, të korigjon ty.
6 Prandaj zbato urdhërimet e Perëndisë, të Zotit tënd, duke ecur në rrugët e tij dhe duke ia pasur frikën;
7 sepse, Zoti Perëndia yt, po të bën të hysh në një vend të mirë, një vend me rrjedha uji e me burime që dalin nga luginat dhe nga malet;
8 një vend me grurë dhe elb, me vreshta, me fiq dhe shegë, një vend me ullinj që japin vaj dhe me mjaltë;
9 një vend ku do të hash bukë sa të duash, ku nuk do të të mungojë kurrgjë; një vend ku gurët janë hekur dhe ku do të rrëmosh bakër nga malet.
10 Do të hash, pra, dhe do të ngopesh, dhe do të bekosh, Zotin Perëndinë tënd, për shkak të vendit të bukur që të ka dhënë.
11 Ruhu mirë të mos harrosh Zotin, Perëndinë tënd, duke shtuar për të mos zbatuar urdhërimet e tij, dekretet e tij, statutet e tij që sot do të japë;
12 e të mos ndodhë që, pasi të kesh ngrënë deri sa të ngopesh dhe të kesh ndërtuar dhe banuar shtëpi të bukura,
13 pasi të kesh parë të shtohet bagëtia jote e trashë dhe e imët të shtohet, argjendi dhe ari yt, dhe të rriten tërë të mirat e tua,
14 zemra jote të lartohet dhe ti të harrosh Zotin, Perëndinë tënd, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë;
15 që të ka sjellë nëpër këtë shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme, vend gjarprinjsh veprues dhe akrepash, tokë e thatë pa ujë; që nxori ujë për ty nga shkëmbijtë shumë të fortë;
16 dhe që në shkretëtirë të ka ushqyer me manë të cilën etërit e tu nuk e njihnin, për të të përulur dhe për të të vënë në provë dhe së fundi për të të bërë të mirë.
17 Ruhu, pra, të thuash në zemrën tënde: "Forca ime dhe fuqia e dorës sime m’i kanë siguruar këto pasuri".
18 Por kujto Zotin, Perëndinë tënd, sepse ai të jep forcën për të fituar pasuri, për të ruajtur besëlidhjen për të cilën Ai iu betua etërve të tu, ashtu siç është në fuqi sot.
19 Por në qoftë se ti harron Zotin, Perëndinë tënd, për të shkuar pas perëndive të tjera dhe për t’u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, unë sot shpall solemnisht para jush se do të vdisni me siguri.
20 Do të vdisni si kombet që Zoti zhduk para jush, sepse nuk e keni dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tuaj".
91 Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit.
2 Unë i them Zotit: "Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj".
3 Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse.
4 Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore.
5 Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën,
6 as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë.
7 Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet.
8 Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve.
9 Duke qenë se ke thënë: "O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde,
10 nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate.
11 Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua.
12 Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur.
13 Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën.
14 Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim.
15 Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj.
16 Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.
36 Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia ndodhi që Senakeribi, mbret i Asirisë, doli kundër qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi.
2 Mbreti i Asirisë dërgoi Rabshakehun nga Lakishi në Jeruzalem, te mbreti Ezekia, me një ushtri të madhe; ai u ndal pranë ujësjellësit të hauzit të sipërm, në rrugën e arës së larësit.
3 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, shkuan tek ai.
4 Rabshakehu u tha atyre: "I thoni Ezekias: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku mbështetet besimi që ke?
5 Unë them se këshillë dhe forcë për të bërë luftën nuk janë vetëm fjalë goje; tani që je rebeluar kundër meje te kush ke besim ti?
6 Ja, ti ke besim në përkrahjen e këtij kallami të thyer, që është Egjipti, që pret dorën e atij që mbështetet mbi të dhe e shpon. I tillë është pikërisht Faraoni, mbreti i Egjiptit, për tërë ata që kanë besim tek ai.
7 Në rast se pastaj më thuaj: "Ne kemi besim tek Zoti, Perëndia ynë," a nuk është vallë po ai që Ezekia ka hequr nga vendet e larta dhe nga altarët, duke u thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni vetëm para këtij altari"?
8 Tani, pra, vër një bast me zotin tim, mbretin e Asirisë; unë do të të jap dy mijë kuaj, në qoftë se ti je në gjendje të sigurosh kalorësit që i hipin.
9 Si do të mundje të sprapsësh një kapiten të vetëm midis shërbëtorëve më të vegjël të zotit tim? Por ti ke besim se Egjipti do të të japë qerre dhe kalorës.
10 Dhe tani a kam ardhur vallë kundër këtij vendi pa vullnetin e Zotit për ta shkatërruar? Zoti më ka thënë: "Dil kundër këtij vendi dhe shkatërroje"".
11 Atëherë Eliakimi, Shebna dhe Joahu i thanë Rabshakehut: "Foli, pra, shërbëtorëve të tu në gjuhën aramaike, sepse ne e kuptojmë, por mos na fol në gjuhën hebraike, në mënyrë që ta dëgjojë populli që është mbi muret".
12 Por Rabshakehu u përgjigj: "Zoti im, vallë, më ka dërguar t’i them këto fjalë zotit tënd dhe ty, dhe jo pikërisht njerëzve që ndodhen mbi muret, të katandisur të hanë jashtëqitjet e tyre dhe të pinë urinën e tyre bashkë me ju?".
13 Atëherë Rabshakehu u ngrit më këmbë dhe bërtiti me zë të lartë në gjuhën hebraike, duke thënë: "Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, të mbretit të Asirisë!
14 Kështu thotë mbreti: "Të mos ju mashtrojë Ezekia, sepse ai nuk mund t’ju çlirojë nga duart e mia;
15 as tij bëjë Ezekia që të vendosni besimin tuaj te Zoti, duke thënë: "Me siguri Zoti do të na çlirojë; ky qytet nuk do të jepet në duart e mbretit të Asirisë".
16 Mos dëgjoni Ezekian, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: bëni paqe me mua dhe dorëzohuni, dhe secili prej jush do të mund të hajë frytet e vreshtit të tij dhe të fikut të tij, dhe secili do të mund të pijë ujin e sternës së tij,
17 deri sa të vijë unë për t’ju çuar në një vend të ngjashëm me tuajin, në një vend gruri dhe mushti, në një vend buke dhe vreshtash.
18 Të mos ju mashtroj Ezekia duke thënë: "Zoti do të na çlirojë". A ka mundur ndonjë prej perëndive të kombeve të çlirojë vendin e tij nga duart e mbretit të Asirisë?
19 Ku janë perënditë e Hamathit dhe të Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A e kanë çliruar vallë Samarinë nga duart e mia?
20 Kush prej tërë perëndive të këtyre vendeve ka çliruar vendin e vet nga duart e mia, që Zoti të mund të çlirojë Jeruzalemin nga duart e mia?".
21 Por ata heshtën dhe nuk u përgjigjën me asnjë fjalë, sepse urdhëri i mbretit ishte: "Mos iu përgjigjni".
22 Atëherë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekt i pallatit, Shebna sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti, erdhën tek Ezekia me rroba të grisura dhe i njoftuan fjalët e Rabshakehut.
6 Pastaj pashë kur Qengji hapi të parën nga të shtatë vulat, dhe dëgjova një nga të katër qeniet e gjalla që thoshte si me zë bubullime: “Eja e shiko.”
2 Dhe unë pashë, dhe ja, një kalë i bardhë. Dhe ai që e kalëronte kishte një hark; dhe atij iu dha një kurorë, dhe ai doli jashtë si fitimtar dhe për të fituar.
3 Kur ai hapi vulën e dytë, dëgjova qenien e dytë të gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.”
4 Atëherë doli jashtë një kalë tjetër i kuq; dhe atij që e kalëronte iu dha të hiqte paqen nga dheu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin, dhe iu dha atij një shpatë e madhe.
5 Dhe kur ai hapi vulën e tretë, dëgjova qenien e tretë e gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.” Dhe pashë dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që e kalëronte kishte një peshore në dorën e tij.
6 Dhe dëgjova një zë në mes të katër qenieve të gjalla duke thënë: “Një kenik gruri për një denar, dhe dy kenikë elbi për një denar; dhe mos dëmto vajin, as verën.”
7 Kur ai hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e qenies së katërt të gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.”
8 Dhe unë pashë, dhe ja një kalë i zbehtë; dhe ai që e kalëronte emrin e kishte Vdekja, dhe Hadesi vinte pas tij. Dhe iu dha atyre pushtet përmbi një të katërtën e dheut, të vrasin me shpatë dhe me zi buke e me vdekje, dhe nëpërmjet bishave të dheut.
9 Dhe kur hapi vulën e pestë, unë pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin;
10 dhe ata thirrën me zë të madh duke thënë: “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?.”
11 Dhe secilit prej tyre ju dha një petk i bardhë dhe ju thanë që të preheshin edhe për pak kohë, deri sa të plotësohej numri edhe i bashkësherbëtoreve e tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata.
12 Dhe pashë, kur ai hapi vulën e gjashtë; dhe ja, u bë një tërmet i madh, dhe dielli u bë i zi si një thes prej leshi, dhe hëna u bë si gjak;
13 dhe yjet e qiellit ranë mbi dheun, ashtu si fiku hedh fiqtë e paarrirë kur e tund një erë e madhe.
14 Pastaj qielli u hoq si një pergamenë që mbështillet, dhe çdo mal dhe ishull luajtën nga vendi i tyre.
15 Dhe mbretërit e dheut, dhe të mëdhenjtë, dhe të pasurit, dhe komandantët, dhe të fuqishmit, dhe çdo skllav e çdo i lirë, u fshehën nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve,
16 dhe u thoshnin maleve dhe shkëmbinjve: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,
17 sepse erdhi dita e madhe e zemërimit së tij; dhe kush mund të qëndrojë?.”