M’Cheyne Bible Reading Plan
22 "Në qoftë se shikon kaun ose delen e vëllait tënd që e kanë humbur rrugën, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do ta marrësh përsipër t’ia çosh përsëri vëllait tënd.
2 Dhe në qoftë se vëllai yt nuk banon afër teje dhe ti nuk e njeh, do ta çosh kafshën në shtëpinë tënde deri sa yt vëlla të fillojë ta kërkojë; dhe atëherë do t’ia kthesh.
3 Në të njëjtën mënyrë do të veprosh me gomarin, rrobat dhe çfarëdo send tjetër që yt vëlla ka humbur dhe ti ke gjetur; ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë.
4 Në qoftë se ti shikon gomarin e vëllait tënd apo kaun e tij të rrëzuar gjatë rrugës, ti nuk do të bësh sikur nuk i ke parë, por do të ndihmosh tët vëlla për t’i ngritur.
5 Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt.
6 Në rast se rrugës të rastis të gjesh mbi një dru ose për tokë një fole zogu me gjithë të vegjëlit ose me vezët dhe nënën që ngroh të vegjëlit apo vezët, nuk ke për të marrë nënën me të vegjëlit;
7 do të lesh nënën të ikë dhe do të marrësh për vete të vegjëlit, që ti të kesh mbarësi dhe të zgjatësh ditët e tua.
8 Kur të ndërtosh një shtëpi të re do të ngresh një parapet rreth çatisë së saj për të mos tërhequr një faj gjaku mbi shtëpinë tënde, në rast se dikush rrëzohet nga çatia.
9 Nuk do të mbjellësh në vreshtin tënd farëra të llojeve të ndryshme, me qëllim që prodhimi i asaj që ke mbjellë dhe renta e vreshtit të mos preken.
10 Nuk do të punosh njëkohësisht me një ka dhe një gomar.
11 Nuk do të veshësh rroba të bëra me një stof të përzierë leshi dhe liri.
12 Nuk do të vësh theka në katër cepat e mantelit me të cilin mbulohesh.
13 Në qoftë se një burrë martohet me një grua, hyn tek ajo dhe pastaj fillon ta urrejë,
14 dhe e padit për gjëra të turpshme dhe i nxjerr një nam të keq, duke thënë: "Mora këtë grua, por kur iu afrova nuk gjeta tek ajo shenjat e virgjërisë,"
15 babai dhe nëna e së resë do të marrin shenjat e virgjërisë së saj dhe do t’ua tregojnë pleqve të qytetit, te porta;
16 dhe babai i së resë do t’u thotë pleqve: "Unë ia dhashë time bijë për grua këtij burri, por ai filloi ta urrejë,
17 dhe tani e akuzon për gjëra të turpshme, duke thënë: Nuk gjeta tek jote bijë shenjat e virgjërisë; por këto janë shenjat e virgjërisë të bijës sime". Dhe do të shpalosin çarçafin përpara pleqve të qytetit.
18 Atëherë pleqtë e atij qyteti do të marrin bashkëshortin dhe do ta dënojnë me rrahje;
19 dhe duke qenë se i ka hapur një nam të keq një virgjëreshe të Izraelit, do t’i vënë një gjobë prej njëqind siklash argjendi, që do t’ia japin të atit të së resë; kështu ajo do të mbetet bashkëshorte e tij dhe ai nuk do të mund ta përzërë deri sa të rrojë.
20 Por në qoftë se vërtetohet fakti dhe tek e reja nuk janë gjetur shenjat e virgjërisë,
21 atëherë do ta nxjerrin të renë te pragu i shtëpisë së babait të saj dhe njerëzit e qytetit të saj do ta vrasin me gurë, dhe ajo ka për të vdekur, sepse ka kryer një vepër të turpshme në Izrael, duke u bërë kurvë në shtëpinë e atit të saj. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri juaj
22 Në rast se një burrë gjendet në shtrat me një grua të martuar, do të vriten që të dy, si burri që ka rënë me gruan dhe gruaja. Kështu do të shkulësh të keqen nga gjiri i Izraelit.
23 Kur një vajzë e virgjër është e fejuar, dhe një burrë e gjen në qytet dhe bie në shtrat me të,
24 që të dy do t’i çoni në portën e atij qyteti dhe do t’i vritni me gurë, dhe ata do të vdesin: vajza sepse, ndonëse ishte në qytet, nuk bërtiti, dhe burri sepse ka çnderuar gruan e të afërmit të tij. Kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt.
25 Por në rast se burri gjen një vajzë të fejuar, në arë, e dhunon dhe shtrihet me të, atëherë do të vritet vetëm burri që është shtrirë me të;
26 por nuk do t’i bësh asgjë vajzës; kjo nuk ka asnjë mëkat që meriton vdekjen, sepse ky rast është si ai kur një njeri ngrihet kundër të afërmit të tij dhe e vret;
27 në fakt ai e gjeti në arë; vajza e fejuar ka bërtitur, por nuk kishte njeri që ta shpëtonte.
28 Në rast se një burrë gjen një vajzë të virgjër që nuk është e fejuar, e merr dhe bie në shtrat me të, dhe kapen në flagrancë,
29 burri që është shtrirë me të do t’i japë atit të vajzës pesëdhjetë sikla argjendi dhe ajo do të bëhet bashkëshortja e tij, sepse e ka çnderuar dhe nuk mund ta përzërë sa të jetë gjallë.
30 Asnjeri nuk ka për të marrë gruan e atit të tij, as ka për të ngritur skajin e mbulesës së atit të tij".
110 Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".
2 Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu.
3 Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.
4 Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut".
5 Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij.
6 Ai do të gjykojë kombet, do t’i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës.
7 Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën.
111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.
2 Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.
3 Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.
4 Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.
5 Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.
6 Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.
7 Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,
8 të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.
9 Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.
10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.
49 Ishuj, dëgjomëni, dhe kushtojini kujdes, o popuj të largët. Zoti më ka thirrur që kur isha në bark të nënës, ka përmendur emrin tim që kur isha në të përbrëndëshmet e nënës sime.
2 Ma bëri gojën si një shpatë të mprehtë, më ka fshehur në hijen e dorës së tij, më ka dhënë një shigjetë me majë, më ka futur në kukurën e tij.
3 Më ka thënë: "Ti je shërbëtori im, Izrael, në të cilin do të përlëvdohem".
4 Por unë thoja: "Më kot jam lodhur; për hiç gjë dhe pa dobi kam harxhuar forcën time; por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim".
5 Dhe tani thotë Zoti që më ka formuar që në bark të nënës që të jem shërbëtori i tij, që t’i sjell atij përsëri Jakobin dhe që të mbledh rreth tij Izraelin (unë jam i nderuar në sytë e Zotit dhe Perëndia im është forca ime).
6 Ai thotë: "Éshtë tepër pak që ti të jesh shërbëtori im për të lartuar përsëri fiset e Jakobit dhe për të kthyer ata që kanë shpëtuar nga Izraeli. Të kam vendosur si dritën e kombeve, me qëllim që të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës".
7 Kështu i thotë Zoti, Çliruesi i Izraelit, i Shenjti i tij, atij që përbuzet nga njerëzit, që urrehet nga kombi, shërbëtorit të sundimtarëve: Mbretërit do të shohin dhe do të ngrihen, princat do të bien përmbys, përr shkak të Zotit që është besnik, i Shenjti i Izraelit, që të ka zgjedhur".
8 Kështu thotë Zoti: "Në kohën e hirit unë ta kam plotësuar dëshirën dhe në ditën e shpëtimit të kam ndihmuar; do të të ruaj dhe do të të bëj aleancën e popullit, për ta ringjallur vendin, për të të shtënë në dorë trashëgimitë e shkatërruara,
9 për t’u thënë robërve: "Dilni," dhe atyre që janë në terr: "Shfaquni". Ata do të kullosin gjatë rrugëve dhe në të gjitha lartësitë e braktisura do të kenë kullotat e tyre.
10 Nuk do të kenë as uri as etje, nuk do të goditen më as nga vapa as nga dielli, sepse ai që ka mëshirë për ta do t’i udhëheqë dhe do t’i çojë te burimet e ujit.
11 Do t’i ndryshoj tërë malet e mia në rrugë, dhe rrugët e mia kryesore do të ngrihen.
12 Ja, këta vijnë nga larg; ja, ata nga veriu dhe nga lindja, dhe ata nga vendi i Sinimit".
13 Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e tij.
14 Por Sioni ka thënë: "Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar".
15 "A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.
16 Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve.
17 Bijtë e tu do të shpejtojnë, shkatërruesit e tu dhe rrënuesit e tu do të largohen prej teje.
18 Ngrej sytë e tu rreth e qark dhe shiko. Të tërë ata po mblidhen dhe po të vijnë. Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, do të vishesh me tërë ata si me një ornament dhe do t’i lidhësh mbi veten tënde, ashtu si bën nusja.
19 Prandaj vendet e tua të shkreta dhe të pikëlluara dhe vendi yt i goditur një herë nga shkatërrimi do të jenë tani tepër të ngushtë për banorët, ndërsa ata që të gllabëronin do të jenë mjaft larg.
20 Fëmijët që do të kesh pas atyre që ke humbur, do të të thonë në vesh: Ky vend është tepër i ngushtë për mua; bëmë më tepër vend që të mund tëë vendosem".
21 Atëherë ti do të thuash në zemrën tënde: "Kush i ka pjellë këta? Unë në fakt isha i privuar nga fëmijët e mi, isha shterpë e mërguar dhe e dëbuar sa këtej dhe andej. Këta kush i rriti? Ja, unë kisha mbetur vetëm, dhe këta ku ishin?"".
22 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do të ngre dorën time mbi kombet, do të ngre flamurin tim mbi popujt; atëherë do t’i sjellin bijtë e tu në krahë dhe vajzat e tua do t’i sjellin mbi supe.
23 Mbretërit do të jenë baballarët tuaj birësues dhe mbretëreshat e tyre do të jenë tajat tuaja; ata do të bien përmbys para teje me fytyrën përtokë dhe do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua; kështu do të mësosh që unë jam Zoti dhe ata që shpresojnë tek unë nuk do të turpërohen.
24 A do të mund t’i shkëputet vallë preja të fuqishmit apo të çlirohet i burgosuri që është i drejtë?".
25 Po, kështu thotë Zoti: "Edhe i burgosuri do të çohet tutje dhe preja e tiranit do të shpëtohet. Unë vetë do të luftoj me atë që lufton me ty dhe do të shpëtoj bijtë e tu.
26 Do të bëj që shtypësit e tu të hanë mishin e vet, dhe do të dehen me gjakun e vet si të ishte musht. Atëherë çdo mish do të pranojë që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt, Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit".
19 Dhe pas këtyre dëgjova në qiell zërin e madh të një turme të shumtë, duke thënë: “Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë,
2 sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj.”
3 Dhe thanë për të dytën herë: “Aleluja! Dhe tymi i saj ngjitet në shekuj të shekujve.”
4 Dhe ranë përmbys të njëzet e katër pleqtë, dhe të katër qeniet e gjalla, dhe adhuruan Perëndinë, që ulej mbi fron, duke thënë: “Amen, Aleluja!.”
5 Dhe nga froni erdhi një zë, duke thënë: “Lëvdoni Perëndinë tonë, gjithë ju shërbëtorë të tij dhe ju që e druani, dhe të vegjlit dhe të mëdhenjtë.”
6 Dhe dëgjova një si zë i një turme të madhe, dhe si zë shumë ujërash dhe si zë bubullimash të forta, që thoshte: “Aleluja, sepse filloi të mbretërojë Zoti, Perëndia ynë, i Plotfuqishmi!.
7 Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur!
8 Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve.”
9 Dhe më tha: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit.” Dhe më tha: “Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.”
10 Edhe rashë përpara këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha: “Ruaju se e bën, unë jam bashkëshërbëtori yt si dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jezusit. Perëndinë adhuroje! Sepse dëshmia e Jezusit është frymë e profecisë.”
11 Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi.
12 Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij;
13 Dhe ishte i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë".
14 Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër.
15 Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm.
16 Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETÉRVE dhe ZOTI I ZOTÉRVE.
17 Dhe pashë një engjëll që qëndronte në këmbë në diell; dhe bërtiti me zë të madh duke u thënë gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: “Ejani, mblidhuni në gostinë e madhe të Perëndisë,
18 që të hani mish mbretërish, dhe mish kapitenësh, dhe mish njerëzish të fuqishëm, dhe mish kuajsh dhe kalorësish, dhe mishin e të gjithë njerëzve, të të lirëve dhe të skllevërve, dhe të të vegjëlve dhe të të mëdhenjve.”
19 Dhe pashë bishën, dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre të mbledhura që të bënin luftë kundër atij që kalëronte kalin dhe kundër ushtrisë së tij.
20 Dhe bisha u kap, dhe bashkë me të profeti i rremë që kishte bërë shenja përpara saj, me të cilat i mashtroi ata që morën damkën e bishës, dhe ata që adhuruan figurën e saj; që të dy i hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur;
21 dhe të tjerët u vranë me shpatë, që dilte nga goja e atij që kalëronte kalin, dhe të gjitha shpendët u ngopën me mishrat e tyre.