M’Cheyne Bible Reading Plan
7 "Kur Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin ku ti po hyn për ta zotëruar atë, dhe kur të ketë dëbuar para teje shumë kombe: Hitejtë, Girgashejtë, Amorejtë, Kananejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Gebusejtë, shtatë kombe më të mëdha dhe më të fuqishme se ti,
2 dhe kur Zoti, Perëndia yt, t’i ketë lënë në pushtetin tënd, ti do t’i mundësh dhe do të vendosësh shfarosjen e tyre, nuk do të bësh asnjë aleancë me ta dhe nuk do të tregosh asnjë mëshirë ndaj tyre.
3 Nuk do të lidhësh martesë me ta. Nuk do t’u japësh bijat e tua bijve të tyre dhe nuk do të marrësh bijat e tyre për bijtë e tu,
4 sepse do t’i largonin bijtë e tu nga unë për t’u shërbyer perëndive të tjera, dhe zemërimi i Zotit do të ndizej kundër jush dhe do t’ju shkatërronte menjëherë.
5 Por me ta do të silleni kështu: do të shkatërroni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do të rrëzoni Asherimet e tyre dhe do t’u vini flakën shëmbëlltyrave të tyre të gdhendura.
6 Me qenë se ti je një popull që je shenjtëruar tek Zoti, Perëndia yt; Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut.
7 Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve;
8 por sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj, ai ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit.
9 Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij,
10 por u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë, duke i zhdukur; ai nuk vonon, por do t’u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë.
11 Prandaj respekto urdhërimet, statutet dhe dekretet që po të jap sot, duke i zbatuar në praktikë.
12 Kështu, në rast se ju keni parasysh këto ligje, i respektoni dhe i zbatoni në praktikë, Zoti, Perëndia juaj, do ta mbajë besëlidhjen me ju dhe dashamirësinë për të cilën u është betuar etërve tuaj.
13 Ai do të të dojë, do të të bekojë dhe do të të shumëzojë, do të bekojë frytin e gjiut tënd dhe frytin e tokës sate, grurin tënd, mushtin dhe vajin tënd, pjelljet e lopëve dhe të deleve të tua në vendin që u betua t’u japë etërve të tu.
14 Ti do të jesh më i bekuari i të gjithë popujve dhe nuk do të ketë midis teje asnjë burrë apo grua shterpë, as edhe midis bagëtisë sate.
15 Zoti do të largojë nga ti çfarëdo lloj sëmundje, nuk do të dërgojë mbi ty asnjë të keqe vdekjeprurëse të Egjiptit që ke njohur, por do t’i dërgojë mbi të gjithë ata që të urrejnë.
16 Do të shfarosësh, pra, të gjithë popujt që Zoti, Perëndia yt, po të jep në pushtetin tënd; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për ta dhe mos u shërbe perëndive të tyre, sepse ky do të ishte një kurth për ty.
17 Në zemrën tënde mund të thuash: "Këta kombe janë më të mëdhenj se unë, si do të arrij unë t’i dëboj?".
18 Mos ki frikë prej tyre, por kujto atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Faraonit dhe të gjithë Egjiptasve;
19 kujto provat e mëdha që pe me sytë e tu, shenjat dhe mrekullitë e dorës së fuqishme dhe të krahut të shtrirë me të cilët Zoti, Perëndia yt, të nxori nga Egjipti; kështu do të veprojë Zoti, Perëndia yt, me të gjithë popujt nga të cilët ke frikë.
20 Përveç kësaj, Zoti, Perëndia yt, do të çojë kundër tyre grerat, deri sa ata që kanë mbetur dhe ata që janë fshehur nga frika jote të kenë vdekur.
21 Mos ki frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është në mes jush, një Perëndi i madh dhe i tmerrshëm.
22 Zoti, Perëndia yt, do t’i dëbojë pak e nga pak këto kombe para teje; ti nuk do të arrish t’i zhdukësh menjëherë, sepse përndryshe bishat e fushës do të shtoheshin shumë kundër teje;
23 por Zoti, Perëndia yt, do t’i vërë nën pushtetin tënd, dhe do t’i hutojë shumë deri sa të shfarosen.
24 Do të japë në duart e tua mbretërit e tyre dhe ti do të zhdukësh emrat e tyre nën qiejtë; askush nuk mund të rezistojë para teje, deri sa t’i kesh shfarosur.
25 Do t’u vësh flakën shëmbëlltyrave të gdhendura të perëndive të tyre; nuk do të dëshirosh arin dhe argjendin që ndodhet mbi to dhe nuk do ta marrësh për vete, përndryshe do të biesh në kurth, sepse kjo është një gjë e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd;
26 dhe nuk do të futësh gjëra të neveritshme në shtëpinë tënde, sepse do të dënohesh me shkatërrim ashtu si ato gjëra; do ta urresh dhe do ta kesh neveri plotësisht, sepse është një gjë e caktuar për t’u shkatërruar".
90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".
4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
7 Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.
8 Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.
9 Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.
10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?
12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.
14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.
15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.
16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.
17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.
35 Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili;
2 do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t’u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë tonë.
3 Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt!
4 U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: "Bëhuni të fortë, mos kini frikë!". Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t’ju shpëtuar.
5 Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve;
6 atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.
7 Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth.
8 Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet "rruga e shenjtë"; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin.
9 Luani nuk do të jetë më, as edhe ndonjë bishë e egër nuk do të dalë aty ose nuk do të duket, por do të ecin të çliruarit.
10 Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi, dhe dhembja e rënkimi do të ikin.
5 Pastaj pashë në dorën e djathtë të atij që rrinte ulur mbi fron, një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.
2 Dhe pashë një engjëll të fuqishëm, që proklamoi me zë të madh: “Kush është i denjë të hapë librin dhe të zgjidhë vulat e tij?.”
3 Po kurrkush, as në qiell, as mbi dhe, as nën dhe, nuk mund të hapte librin e ta shihte atë.
4 Edhe unë qaja shumë, sepse s’qe gjetur asnjë i denjë të hapë dhe të lexojë librin, dhe as ta shohë.
5 Atëherë një nga pleqtë më tha: “Mos qaj; ja, Luani i fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi të hapë librin dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij.”
6 Dhe pashë, në mes të fronit dhe të katër gjenieve të gjalla dhe në mes të pleqve, një Qengj si i therur, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë, të dërguar në gjithë dheun.
7 Ai erdhi dhe mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte mbi fron.
8 Dhe, mbasi e mori librin, të katër qeniet e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili një qeste dhe disa kupa ari plot me erë të këndshme, të cilat janë lutjet e shenjtorëve.
9 Dhe këndonin një këngë të re duke thënë: “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb,
10 dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe.”
11 Pastaj pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve përqark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash,
12 që thoshnin me zë të madh: “I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin.”
13 Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.”
14 Dhe të katër qeniet e gjalla thoshnin: “Amen!.” Dhe të njëzet e katër pleq ranë përmbys dhe adhuruan atë që rron në shekuj të shekujve.