M’Cheyne Bible Reading Plan
6 Ky është urdhërimi, statutet dhe dekretet që Zoti, Perëndia juaj, ka urdhëruar t’ju mësojë, për t’i zbatuar në vendin në të cilin po hyni për ta marrë në zotërim;
2 me qëllim që ti të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të respektosh gjatë gjithë ditëve të jetës sate, ti, yt bir dhe djali i birit tënd, të tëra statutet dhe të gjitha urdhërimet e tij që unë po të jap, dhe me qëllim që ditët e jetës sate të zgjaten.
3 Dëgjo, pra, Izrael, dhe ki kujdes t’i zbatosh në praktikë, me qëllim që të njohësh begatinë dhe të shumëzohesh me të madhe në vendin ku rrjedh qumësht dhe mjalt, ashtu si të ka thënë Zoti, Perëndia i etërve të tu.
4 Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.
5 Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.
6 Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde;
7 do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.
8 Do t’i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita midis syve,
9 dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.
10 Kur pastaj Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin për të cilin iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, të të japë qytete të mëdha dhe të bukura që ti nuk i ke ndërtuar,
11 dhe shtëpi plot me të mira që ti nuk i ke mbushur, puse të çelur që ti nuk i ke gërmuar, vreshta dhe ullishte që ti nuk i ke mbjellë; kur të kesh ngrënë dhe të jesh ngopur,
12 ki kujdes të mos harrosh Zotin që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.
13 Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t’i shërbesh dhe do të betohesh për emrin e tij.
14 Nuk do të shkoni pas perëndive të tjera midis perëndive të popujve që ju rrethojnë,
15 (sepse Zoti, Perëndia yt, që ndodhet në mes teje, është një Perëndi ziliqar); përndryshe zemërimi i Zotit, Perëndisë tënd, do të ndizej kundër teje dhe do të bënte që ti të zhdukesh nga faqja e dheut.
16 Nuk do të tundoni Zotin, ashtu si u përpoqët në Masa.
17 Do të respektoni me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, rregullat dhe statutet e tij që ai ju ka urdhëruar.
18 Prandaj do të bësh atë që është e drejtë dhe e mirë në sytë e Zotit, që ti të përparosh dhe të hysh e të pushtosh vendin e mirë që Zoti iu betua t’u japë etërve të tu,
19 duke dëbuar tërë armiqtë e tu, ashtu siç kishte premtuar Zoti.
20 Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë: "Çfarë kuptimi kanë këto rregulla, statute dhe dekrete, që Zoti, Perëndia ynë, ju ka urdhëruar?,"
21 ti do t’i përgjigjesh birit tënd: "Ishim skllevër të Faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me një dorë të fuqishme
22 Përveç kësaj Zoti veproi para syve tona, kreu mrekulli të mëdha dhe të tmerrshme kundër Egjiptit, Faraonit dhe gjithë shtëpisë së tij.
23 Dhe na nxori që andej për të na çuar në vendin që u ishte betuar t’u jepte etërve tanë.
24 Kështu Zoti na urdhëroi të zbatonim në praktikë të gjitha këto statute duke pasur frikë nga Zoti, Perëndia ynë, që të kemi gjithnjë mirëqënie dhe që ai të na mbante të gjallë, siç po ndodh tani.
25 Dhe kjo do të jetë drejtësia jonë në rast se kujdesemi të zbatojmë në praktikë tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na ka urdhëruar"".
89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
2 Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".
3 "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
4 "Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)
5 Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.
6 Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
7 Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
9 Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.
11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.
12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.
13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.
14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.
20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)
38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.
39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.
40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.
41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.
42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.
43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.
44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.
45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)
46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?
47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?
48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)
49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?
50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,
51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.
52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!
34 Afrohuni, o kombe, për të dëgjuar; o popuj, kini kujdes. Le të dëgjojë toka dhe gjithçka që është në të, bota dhe gjithçka që ajo prodhon.
2 Sepse Zoti është zemëruar me të gjitha kombet, është indinjuar me të gjitha ushtritë e tyre; ai ka vendosur shkatërrimin e tyre, i braktis në masakër.
3 Të vrarët e tyre do të hidhen tutje, kufomat e tyre do të qelben dhe malet do të shkrihen me gjakun e tyre.
4 Tërë ushtria e qiellit do të zhduket, qiejtë do të mblidhen rrotull si një libër, por tërë ushtria e tyre do të bjerë, ashtu si bie gjethi nga hardhia, si bie një fryt i fishkur nga fiku.
5 Me qenë se shpata ime është dehur në qiell, ja ajo po gatitet të bjerë mbi Edomin, mbi popullin që kam vendosur të shfaroset, për të vënë në vend drejtësinë.
6 Shpata e Zotit është plot me gjak, është ngopur me dhjamë, me gjakun e qengjave dhe të cjepve, me dhjamin e veshkave të deshve; sepse Zoti bën një flijim në Botsrah dhe një kërdi të madhe në vendin e Edomit.
7 Bashkë me ta bien buaj, mëzetër tok me dema; toka e tyre është vaditur me gjak, pluhuri i tyre është ngopur me dhjamë.
8 Sepse është dita e hakmarrjes të Zotit, viti i shpërblimit për çështjen e Sionit.
9 Përrenjtë do të kthehen në katran, pluhuri i vet në squfur, toka e vet do të bëhet rrëshirë e zjarrtë.
10 Nuk do të shuhet as ditën as natën, tymi i tij do të ngjitet përjetë; do të mbetet e shkretë brez pas brezi, askush nuk do të kalojë mbi të.
11 Zotër të tij do të bëhen pelikani dhe iriqi dhe do të banojnë aty kukuvajka dhe korbi. Zoti do të shtrijë mbi të litarin e dëshpërimit, plumbçen e boshllëkut.
12 Do t’i thërrasin fisnikët në mbretëri, por nuk do ketë asnjë prej tyre, dhe tërë princat janë katandisur në hiç.
13 Në pallatet e tij do të rriten gjemba, në fortesat e tij hithra dhe carangtha; do të bëhet banesë për çakejtë, një vend i rrethuar për strucat.
14 Kafshët e shkretëtirës do të takohen me kafshët që ulërijnë, cjeptë do të thërrasin njeri tjetrin; do të vendosen aty edhe kukuvajkat dhe do të gjejnë një vend pushimi.
15 Do të bëjë folenë e vet gjarpëri-shigjetë, do të lëshojë aty vezët, do t’i çelë dhe do t’i mbledhë në hijen e tij të vegjëlit e vet, aty do të mblidhen edhe hutat, secili me shokun e vet.
16 Kërkoni në librin e Zotit dhe lexoni: asnjë prej tyre nuk do të mungojë, askujt nuk do t’i mungojë shoku i vet, sepse e ka urdhëruar goja e tij dhe e ka mbledhur Fryma e tij.
17 Ai vetë e ka hedhur shortin për ta, dhe dora e tij e ka ndarë midis tyre me vijën e matjes; do ta zotërojnë për gjithnjë; do të banojnë aty brez pas brezi.
4 Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja, një derë u hap në qiell dhe zëri i parë që kisha dëgjuar të fliste me mua si bori, tha: “Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin pas këtyre gjërave.”
2 Dhe menjëherë erdha në frymë; dhe ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte një i ulur.
3 Dhe ai që ishte ulur nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi; dhe rreth fronit ishte një ylber që i ngjante smeraldit.
4 Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora:
5 dhe nga froni shpërthenin vetëtima, bubullima dhe zëra; dhe përpara fronit ishin shtatë llamba të ndezura, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë.
6 Dhe përpara fronit ishte si një det i qelqtë që i ngjante kristalit, dhe në mes të fronit dhe përreth fronit katër kafshë, që ishin plot me sy përpara dhe prapa.
7 Qenia e parë e gjallë ishte e ngjashme me një luan, edhe qenia e dytë e gjallë e ngjashme me një viç, edhe qenia e tretë e gjallë kishte fytyrë si të njeriut, edhe e katërta ishte e ngjashme me një shqiponjë në fluturim.
8 Edhe të katër qeniet e gjalla kishin secila nga gjashtë krahë përqark, edhe përbrenda ishin plot me sy; dhe nuk pushojnë kurrë, as ditë as natë, duke thënë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!.”
9 Sa herë që qeniet e gjalla i japin lavdi, nder e të falenderim atij që rri ulur mbi fron, atij që rron në shekuj të shekujve,
10 të njëzet e katër pleq bien përmbys përpara atij që rri mbi fron dhe adhurojnë atë që jeton në shekuj të shekujve dhe i hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë:
11 “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.”