Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ligji i Përtërirë 23

23 "Ai që është tredhur me anë të shtypjes apo të gjymtimit, nuk ka për të hyrë në asamblenë e Zotit.

Një kopil nuk do të hyjë në asamblenë e Zotit; asnjë nga pasardhësit e tij, qoftë edhe ata të brezit të dhjetë, s’ka për të hyrë në asamblenë e Zotit.

Amoniti dhe Moabiti nuk do të hyjnë në asamblenë e Zotit, asnjë nga pasardhësit e tyre, as edhe në brezin e dhjetë, nuk kanë për të hyrë kurrë në asamblenë e Zotit,

sepse nuk ju pritën në rrugë me bukë dhe me ujë kur dolët nga Egjipti dhe sepse rekrutuan kundër jush Balaamin, birin e Beorit nga Pethori i Mesopotamisë, për t’ju mallkuar.

Megjithatë Zoti, Perëndia yt, nuk deshi të dëgjojë Balaamin; por Zoti, Perëndia yt, e ndërroi për ty mallkimin në bekim, sepse Zoti, Perëndia yt, të do.

Nuk do t’u kërkosh kurrë as paqen, as begatinë e tyre deri sa të jetosh.

Nuk do të urresh Idumeon, sepse ai është vëllai yt; nuk do të urresh Egjiptasin, sepse ti ishe i huaj në vendin e tij,

bijtë që do t’u lindin atyre, në brezin e tretë, do të mund të hyjnë në asamblenë e Zotit.

Kur të dalësh me ushtrinë kundër armiqve të tu, ruhu nga çdo gjë e keqe.

10 Në rast se dikush në mes teje është i papastër nga një ngjarje e natës, ka për të dalë nga kampi dhe nuk do të kthehet më;

11 në mbrëmje do të lahet me ujë dhe pas perëndimit të diellit do të mund të kthehet në kamp.

12 Do të kesh edhe një vend jashtë kampit, dhe do të shkosh atje për nevojat e tua;

13 dhe midis veglave të tua do të kesh edhe një kunj dhe kur të shkosh për t’u mbledhur kruspull përjashta, me të do të gërmosh një gropë dhe pastaj do të mbulosh jashtëqitjet e tua.

14 Me qenë se Zoti, Perëndia yt, ecën në mes të kampit tënd që të të bëjë të lirë dhe që të të japë në dorë armiqtë e tu; prandaj kampi yt do të jetë i shenjtë që Zoti të mos shohë në gjirin tënd asnjë paturpësi dhe të largohet prej teje.

15 Nuk do t’i dorëzosh pronarit të tij skllavin që i ka ikur për t’u strehuar pranë teje.

16 Ai do të banojë me ty, në mes jush, në vendin që ka zgjedhur, në atë qytetin tënd që do t’i duket më i mirë; dhe nuk do ta ngacmosh.

17 Nuk do të ketë asnjë grua që të merret me kurvëri midis bijave të Izraelit, nuk do të ketë asnjë burrë që të merret me kurvëri midis bijve të Izraelit.

18 Në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, nuk do të çosh shpërblimin e një kurve as çmimin e një qeni, për asnjë kusht, sepse këto dy gjëra janë një ndyrësi për Zotin, Perëndinë tënd.

19 Vëllait tënd nuk do t’i japësh hua me kamatë: interes për të holla, interes për ushqime ose çfarëdo gjë tjetër që huazohet me interes.

20 Të huajit mund t’i japësh hua me kamatë, por jo vëllait tënd, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në të gjitha gjërat mbi të cilat do të vësh dorë në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar.

21 Kur lidh një kusht me Zotin, Perëndinë tënd, nuk do të vonosh ta kryesh, sepse i Zoti, Perëndia yt, do të të kërkojë me siguri llogari dhe ti do të ishe fajtor;

22 por në rast se ti nuk lidh kushte, nuk kryen mëkat.

23 Mbaje fjalën që ka dalë nga goja jote, sepse ke marrë përsipër në mënyrë të neveritshme përpara Zotit, Perëndisë tënd, atë që ke premtuar me gojën tënde.

24 Kur hyn në vreshtin e të afërmit tënd, mund të hash rrush sa të ngopesh, por nuk do vësh rrush në shportën tënde.

25 Kur hyn në arën e grurit të të afërmit tënd, mund të mbjellësh kallinj; por nuk do të përdorësh drapërin në arën e grurit të të afërmit tënd".

Psalmet 112-113

112 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.

Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.

Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.

Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,

sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.

Ai nuk do t’u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.

Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.

Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.

10 I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë.

113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.

Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.

Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.

Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.

Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,

kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?

Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,

për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.

Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.

Isaia 50

50 Kështu thotë Zoti: "Ku është letra e shkurorëzimit e nënës tuaj me të cilën unë e ndava? Ose te cili nga huadhënësit e mi ju shita? Ja, ju jeni shitur për shkak të paudhësive tuaja dhe nënën tuaj është ndarë për shkak të shkeljeve tuaja.

Kur erdha, pse s’kishte njeri? Pse, kur thirra, askush nuk u përgjigj? Éshtë me të vërtetë dora ime tepër e shkurtër për të shpëtuar apo nuk paskam forcën për të çliruar? Ja, me kërcënimin tim po thaj detin dhe i kthej lumenjtë në shkretëtirë; peshku i tyre po qelbet për mungesë uji dhe po ngordh nga etja.

Unë i vesh qiejtë me të zeza dhe u jap atyre një grathore për mbulesë".

Zoti, Zoti, më ka dhënë gjuhën e dishepujve që të mund ta mbaj me fjalë të lodhurin; ai më zgjon çdo mëngjes; zgjon veshin tim, që unë të dëgjoj si veprojnë dishepujt.

Zoti, Zoti, më ka hapur veshin dhe unë nuk kam qenë rebel, as jam tërhequr prapa.

I paraqita kurrizin tim atij që më rrihte dhe faqet e mia atij që më shkulte mjekrën; nuk ia fsheha fytyrën time poshtërimit dhe të pështyrave.

Por Zoti, Zoti, më ka ndihmuar, prandaj nuk qeshë hutuar; për këtë arsye e bëra fytyrën time si një strall dhe e di që nuk do të turpërohem.

Éshtë afër ai që më justifikon; kush do të më kundërshtojë mua? Le të paraqitemi bashkë. Kush është kundërshtari im? Le të më afrohet mua.

Ja, Zoti, Zoti, do të më ndihmojë; kush është ai që do të më dënojë? Ja, të gjithë ata do të konsumohen si një palë rroba, tenja do t’i brejë".

10 Kush prej jush ka frikë nga Zoti dhe dëgjon zërin e shërbëtorit të tij? Kush ecën në terr pa asnjë dritë, le të ketë besim në emrin e Zotit dhe të mbështehet te Perëndia i tij!

11 Ja, ju të gjithë që ndizni një zjarr, që rrethoheni me ura zjarri, shkoni në flakët e zjarrit tuaj dhe midis urave që keni ndezur! Nga dora ime do të keni këtë: ju do të lëngoni në vuajtje.

Zbulesa 20

20 Dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës, dhe një zinxhir të madh në dorë.

Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet,

dhe e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, deri sa të mbushen një mijë vjet; dhe pas këtyre ai duhet zgjidhur për pak kohë.

Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për dëshminë e Jezusit dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në duart e tyre. Këta u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.

Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet. Kjo është ringjallja e parë.

I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ringjalljen e parë. Mbi ata vdekja e dytë nuk ka pushtet, por ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të një mijë vjet.

Dhe kur të kryhen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij,

dhe do të dalë të mashtrojë kombet që janë në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë ata për luftë; numri i tyre do të jetë si rëra e detit.

Dhe ata do të lëvizin në të gjithë sipërfaqen e dheut dhe do ta rrethojnë fushën e shenjtorëve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli do të zbresë zjarr, i dërguar nga Perëndia, dhe do t’i përpijë.

10 Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve.

11 Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata.

12 Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre.

13 Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta.

14 Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë.

15 Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit.