M’Cheyne Bible Reading Plan
32 "Dëgjoni, o qiej, dhe unë do të flas; dhe dëgjo, o tokë, fjalët e gojës sime.
2 Mësimi im do të zbresë si shiu, fjala ime do të pikojë si vesa, si shiu i imët mbi barin e njomë dhe si një rrebesh mbi drurët e vegjël,
3 sepse unë shpall emrin e Zotit. Lëvdoni Perëndinë tonë!
4 Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Éshtë një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.
5 Por ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre, janë një brez i shtrëmbër dhe i degjeneruar.
6 Kështu doni ta shpërbleni Zotin, o popull i pamend dhe i marrë? A nuk është ai ati yt që të ka blerë? A nuk është ai që të ka bërë dhe të ka vendosur?
7 Kujto ditët e lashtësisë, ki parasysh vitet e shumë kohërave të shkuara, pyet atin tënd, dhe ai do të ta tregojë, pyet pleqtë e tu dhe ata do të ta thonë.
8 Kur Shumë i Larti u dha kombeve trashëgiminë e tyre, kur ndau bijtë e Adamit, ai përcaktoi kufijtë e popujve, në bazë të numrit të bijve të Izraelit.
9 Me qenë se pjesa e Zotit është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij.
10 Ai e gjeti në një tokë të shkretë, në një vetmi të helmuar dhe të mjerë. Ai e rrethoi, u kujdes për të dhe e ruajti si bebja e syrit të tij.
11 Ashtu si një shqiponjë nxit zogjtë e saj, fluturon mbi të vegjëlit e saj, shtrin krahët e saj, i merr dhe i mbart mbi krahët e saj,
12 Zoti e drejtoi vetë, dhe asnjë perëndi e huaj nuk ishte me të.
13 Ai e bëri të ngasë me kalë mbi lartësitë e tokës, me qëllim që të hante prodhimin e fushave; e bëri të thithë mjaltin nga shkëmbi dhe vajin nga shkëmbi i strallit,
14 ajkën e lopëve dhe qumështin e deleve me gjithë yndyrën e qengjave, deshtë e Bashanit dhe cjeptë me majën e miellit të grurit; dhe ti ke pirë verën, gjakun e rrushit.
15 Por Jeshuruni u majm dhe kundërshtoi (je bërë i majmë, i trashë dhe i dhjamur); braktisi Perëndinë që e ka bërë dhe përçmoi Shkëmbin e shpëtimit të tij.
16 Ata nxitën smirën e tij me perëndi të huaja, provokuan zemërimin e tij me veprime të neveritshme.
17 U kanë bërë flijime demonëve që nuk janë Perëndi, perëndive që nuk njihnin, perëndive të reja, të shfaqura kohët e fundit, që etërit tuaj nuk ua kishin frikën.
18 Ke lënë pas dore Shkëmbin që të ka pjellë dhe ke harruar Perëndinë që të ka formuar.
19 Por Zoti e pa këtë dhe i hodhi poshtë, për shkak të provokimit të bijve të tij dhe të bijave të tij,
20 dhe tha: "Unë do t’u fsheh atyre fytyrën time dhe do të shoh cili do të jetë fundi i tyre, sepse janë një brez i degjeneruar, bij tek të cilët nuk ka fare besnikëri.
21 Ata më kanë bërë ziliqar me atë që nuk është Perëndi, kanë provokuar zemërimin tim me idhujt e tyre të kotë; dhe unë do t’i bëj ziliqarë me njerëz që nuk janë një popull, do të ngacmoj smirën e tyre me një komb që s’është në vete.
22 Sepse një zjarr është ndezur gjatë zemërimit tim dhe ka për të djegur pjesët më të thella të Sheolit; do të gllabërojë tokën dhe prodhimet e saj dhe do t’u vërë zjarrin themeleve të maleve.
23 Unë do të mblesh mbi ta mjerime, do t’i mbaroj shigjetat e mia kundër tyre.
24 Ata do të veniten nga uria, do të përpihen nga një vapë djegëse dhe nga një murtajë e tmerrshme; do të dërgoj kundër tyre dhëmbët e kafshëve të egra, me helmin e gjarpërinjve që hiqen zvarrë nëpër pluhur.
25 Nga jashtë shpata do t’i privojë nga fëmijët, nga brenda terrori, duke shkaktuar njëkohësisht vdekjen e të riut dhe të virgjëreshës, të foshnjës së gjirit dhe të plakut të thinjur.
26 Unë kam thënë: "Do t’i fshij një herë e mirë, do të zhduk kujtimin e tyre në mes të njerëzve,"
27 por i trembem provokimit të armikut, sepse kundërshtarët e tyre, duke interpretuar keq situatën, mund të thonë: "Triumfoi dora jonë dhe jo Zoti i cili ka bërë tërë këto gjëra!".
28 Sepse janë një komb që ka humbur gjykimin dhe nuk ka në ta asnjë zgjuarësi.
29 Po të ishin të urtë do ta kuptonin këtë, do të merrnin parasysh fundin që i pret.
30 Si do të mundte një person i vetëm të ndiqte një mijë e dyqind veta dhe, dy persona të bënin të iknin dhjetë mijë veta, po të mos i kishte shitur Shkëmbi dhe po të mos i kishte dorëzuar Zoti tek armiku?
31 Sepse shkëmbi i tyre nuk është si Shkëmbi ynë; vetë armiqtë tanë janë gjykatësit e tyre;
32 por hardhia e tyre vjen nga hardhia e Sodomës dhe nga fushat e Gomorës; rrushi i tyre është i helmatisur dhe vilet e rrushit të tyre janë të hidhura;
33 vera e tyre është një helm gjarpërinjsh, një helm mizor gjarpërinjsh helmonjës.
34 E tërë kjo a nuk është ruajtur vallë pranë meje, e vulosur në thesaret e mia?
35 Mua më përket hakmarrja dhe shpërblimi; do të vijë koha dhe do t’u merren këmbët! Sepse dita e gjëmës së tyre është e afërt, dhe gjërat e përgatitura për ta shpejtohen të vijnë.
36 Po, Zoti do të gjykojë popullin e tij, por do t’i vijë keq për shërbëtorët e tij kur të shohë që fuqia e tyre është zhdukur dhe që nuk mbetet më asnjeri, as skllav as i lirë.
37 Atëherë ai do të thotë: "Ku janë perënditë e tyre, shkëmbi në të cilin gjenin strehë,
38 që hanin yndyrën e flijimeve të tyre dhe pinin verën e libacioneve të tyre? Le të ngrihen për t’i ndihmuar dhe për të qenë strehimi juaj!".
39 Tani e shikoni që unë jam Ai dhe që nuk ka Perëndi tjetër përbri meje. Unë të bëj që të vdesësh dhe të jetosh, unë të plagos dhe të shëroj, dhe nuk ka njeri që mund të të lirojë nga dora ime.
40 Po, unë ngre dorën time në drejtim të qiellit dhe them: Unë jetoj për gjithnjë,
41 kur të mpreh shpatën time dhe dora ime të përgatitet të gjykojë, do të hakmerrem me armiqtë e mi dhe do të shpërblej ata që më urrejnë.
42 Do t’i deh me gjak shigjetat e mia dhe shpata ime do të gëlltisë mishin, bashkë me gjakun e të vrarëve dhe të robërve, të krerëve flokëgjatë të armikut.
43 Gëzohuni, o kombe, bashkë me popullin e tij, sepse Zoti merr hak për gjakun e shërbëtorëve të tij, merr hak kundër kundërshtarëve të tij, por do të ketë mëshirë për tokën dhe për popullin e tij".
44 Kështu Moisiu erdhi bashkë me Jozueun, birin e Nunit, dhe shqiptoi tërë fjalët e këtij kantiku në veshët e popullit.
45 Kur Moisiu mbaroi së shqiptuari tërë këto fjalë para tërë Izraelit,
46 u tha atyre: "Merrini me zemër tërë fjalët me të cilat kam dëshmuar sot kundër jush. Do t’ua lini porosi bijve, që ata të kenë kujdes të zbatojnë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji.
47 Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për ju, por është jeta juaj; dhe me këtë fjalë do të zgjasni ditët tuaja në vendin ku po hyni për ta pushtuar, duke kapërcyer Jordanin".
48 Po atë ditë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
49 "Ngjitu mbi malin e Abarimëve, mbi malin e Nebos, që ndodhet në vendin e Moabit, në bregun e kundërt të Jerikos, dhe vështro vendin e Kanaanit, që unë ju jap bijve të Izraelit.
50 Ti ke për të vdekur në malin mbi të cilin po ngjitesh dhe do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu si Aaroni, vëllai yt, ka vdekur mbi malin e Horit dhe u bashkua me popullin e tij,
51 sepse u treguat të pabesë me mua në mes të bijve të Izraelit, në ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Tsinit, dhe sepse nuk më shenjtëruat në mes të bijve të Izraelit.
52 Ti do ta shikosh vendin para teje, por atje, në vendin që unë ju jap bijve të Izraelit, ti nuk ke për të hyrë".
121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.
123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.
129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.
130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.
131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.
132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.
133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.
134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.
135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.
136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.
137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.
59 Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar.
2 Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.
3 Sepse duart tuaja janë ndotur me gjak dhe gishtërinjtë tuaj me paudhësi; buzët tuaja thonë gënjeshtra, gjuha juaj pëshpërit çoroditje.
4 Askush nuk çel padi me drejtësi, askush nuk e mbron me të vërtetën; kanë besim te fjalët boshe dhe thonë gënjeshtrën, mendojnë të keqen dhe pjellin paudhësinë.
5 Bëjnë që të çelin vezët e nepërkës dhe tjerrin rrjeta merimangash; ai që ha nga vezët e tyre vdes, dhe nga veza e shtypur del jashtë një nepërkë.
6 Rrjetat e tyre nuk do të bëhen rroba, as nuk do të mbulohen me atë që kanë bërë. Veprat e tyre janë vepra paudhësie dhe në duart e tyre ka veprime dhune.
7 Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes dhe shpejtojnë të derdhin gjak të pafaj; mendimet e tyre janë mendime paudhësie; në shtigjet e tyre ka pikëllim dhe shkatërrim.
8 Rrugën e paqes nuk e njohin dhe nuk ka ndershmëri në rrugët e tyre; i bëjnë dredharake shtigjet e tyre dhe secili që ecën nëpër to nuk njeh paqe.
9 Prandaj ndershmëria është larg nesh dhe drejtësia nuk arrin deri te ne; prisnim dritën, por ja që erdhi errësira, prisnim shkëlqimin, por ja që ecim në errësirë.
10 Prekim murin si të verbërit, ecim verbazi sikur të ishim pa sy; pengohemi në mesditë sikur të ishte mugëtirë; në vende të shkretuara jemi si të vdekur.
11 Ne të gjithë ulërijmë si arinj dhe vazhdojmë të rënkojmë si pëllumbesha, presim të vijë ndershmëria, por ajo nuk vjen; shpëtimin, por ai është larg nesh.
12 Sepse shkeljet tona janë shumuar para teje dhe mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh, sepse shkeljet tona na rrinë përpara dhe fajet tona i njohim:
13 duke u rebeluar dhe duke mohuar Zotin, duke mos e ndjekur më Perëndinë tonë, duke folur për shtypje dhe kryengritje, duke i dhënë dhe duke murmuritur në zemër fjalë të rreme.
14 Ndershmëria është larguar dhe drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta nuk ndodhet më në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të.
15 Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.
16 Ai e pa që nuk kishte më asnjë dhe u habit që askush nuk ndërhynte; atëherë i erdhi në ndihmë krahu i tij dhe drejtësia e tij e ka mbajtur,
17 ai u veshi me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit, veshi rrobat e hakmarrjes dhe u mbulua me xhelozi si me një mantel.
18 Ai do t’i japë secilit sipas veprave të tij; tërbimin kundërshtarëve të tij, shpagimin armiqve të tij; ishujve do t’u japë shpërblim të plotë.
19 Kështu do të kenë frikë nga emri i Zotit ata nga perëndimi prej lavdisë së tij ata nga lindja; kur kundërshtari do të vijë si një lum i furishëm, Fryma e Zotit do të lartojë kundër tij një flamur.
20 "Një çlirues do të vijë në Sion dhe për ata të kthyerit nga rebelimi i tyre te Jakobi," thotë Zoti.
21 "Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ata," thotë Zoti: "Fryma ime është mbi ty dhe fjalët e mia që vura në gojën tënde nuk do të largohen kurrë nga goja jote as nga goja e pasardhësve të tu, as nga goja e pasardhësve të pasardhësve të tu," thotë Zoti, "tani e përgjithmonë".
7 “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.
2 Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t’ju masin të tjerët.
3 Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?
4 Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri," kur ke një tra në syrin tënd?
5 O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.
6 Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë.
7 Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet.
8 Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.
9 A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur?
10 Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër?
11 Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.
12 Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.
13 Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.
14 Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!
15 Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.
16 Ju do t’i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?
17 Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.
18 Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.
19 Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.
20 Ju, pra, do t’i njihni profetët nga frytet e tyre.
21 Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.
22 Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".
23 Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: "Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".
24 Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.
25 Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
26 Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.
27 Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh.”
28 Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,
29 sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.