M’Cheyne Bible Reading Plan
15 "Në mbarim të çdo shtatë viteve do të bësh faljen e borxheve.
2 Dhe kjo do të jetë forma e faljes: Çdo huadhënës do të falë atë që i ka dhënë hua të afërmit të tij; nuk do të kërkojë kthimin e saj nga i afërmi dhe nga vëllai i tij, sepse është shpallur falja e borxheve nga Zoti.
3 Mund ta kërkosh borxhin nga i huaji; por do t’i falësh vëllait tënd atë që ai të ka marrë hua.
4 Nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush, sepse Zoti do të të bekojë me të madhe në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep si trashgimi, që ti ta zotërosh,
5 por vetëm me kusht që ti t’i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha këta urdhërimet, që sot të cakton.
6 Sepse Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë siç të ka premtuar; atëherë do t’u japësh hua shumë kombeve, por ti nuk do të kërkosh hua; do të sundosh mbi shumë kombe, por ato nuk do të sundojnë mbi ty.
7 Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar midis jush, midis ndonjë prej qyteteve që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të fortësosh zemrën dhe nuk do të mbyllësh dorën para vëllait tënd nevojtar;
8 por do t’i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t’i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka.
9 Ki kujdes që të mos ketë asnjë mendim të keq në zemrën tënde, i cili të të bëjë të thuash: "Viti i shtatë, viti i familjes, është afër," dhe ta shikosh me sy të keq vëllanë tënd nevojtar dhe të mos i japësh asgjë; ai do të bërtiste kundër teje para Zotit dhe ti do të mëkatoje.
10 Jepi me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur i jep, sepse pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora.
11 Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim tënd dhe të them: "Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj".
12 Në rast se një vëlla apo një motër hebre shitet te ti, do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do ta lësh të ikë i lirë.
13 Dhe kur do ta lësh të ikë i lirë, nuk do ta lësh të shkojë duarbosh;
14 do t’i japësh bujarisht dhurata nga kopeja jote, nga lëmi dhe nga hambari yt; do ta bësh pjestar të bekimeve me të cilat Zoti, Perëndia yt, të ka mbushur;
15 dhe nuk do të harrosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të ka liruar; prandaj sot të urdhëroj këtë.
16 Por në rast se ai të thotë: "Nuk dua të largohem prej teje," sepse të do ty dhe shtëpinë tënde, sepse ka mbarësi bashkë me ty,
17 atëherë do të marrësh një fëndyell, do t’i shposh veshin kundër portës dhe ai do të jetë skllavi yt për gjithnjë. Po ashtu do të veprosh me skllaven tënde.
18 Nuk duhet të të duket e vështirë ta nisësh të lirë, sepse të ka shërbyer gjashtë vjet me gjysmën e pagës së një argati; dhe Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha veprimet e tua.
19 Do t’i shenjtërosh Zotit, Perëndisë tënd, tërë pjelljet e para meshkuj të bagëtive të tua të trasha dhe të imta. Nuk do të bësh asnjë punë me pjelljen e parë të lopës sate dhe nuk do të qethësh pjelljen e parë të deles sate.
20 Do t’i hash çdo vit, ti dhe familja jote, përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur.
21 Por në qoftë se kafsha ka ndonjë të metë, në rast se është e çalë, e verbër, apo ka ndonjë të metë tjetër të rëndë, nuk do t’ia flijosh Zotit, Perëndisë tënd;
22 do ta hash brenda portave të tua; të papastrin dhe të pastrin mund ta hanë njëlloj sikur të ishte një gazelë apo një dre.
23 Por nuk do të hash gjakun e tyre; do ta derdhësh në tokë si uji".
102 O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.
2 Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.
3 Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.
4 Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.
5 Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.
6 I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.
7 Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.
8 Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.
9 Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.
10 Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.
11 Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.
12 Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.
13 Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.
14 Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.
15 Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,
16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.
17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin,
19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun,
20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje;
21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij,
22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t’i shërbyer Zotit.
23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia.
24 Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi.
25 Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua;
26 ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t’i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen.
27 Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund.
28 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje".
42 "Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t’ju sjellë drejtësinë kombeve.
2 Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrerë zërin, nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë.
3 Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës.
4 Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të dekurajohet; deri sa të vendosë drejtësinë mbi tokë; dhe ishujt do të presin ligjin e tij".
5 Kështu thotë Perëndia, Zoti, që ka krijuar qiejtë dhe i ka shpalosur, që ka shtruar tokën dhe gjërat që ajo prodhon, që i jep frymëmarrje popullit dhe jetë atyre që ecin në të:
6 "Unë, Zoti, të kam thirrur sipas drejtësisë dhe do të të zë për dore, do të të ruaj dhe do të bëj aleancën e popullit dhe dritën e kombeve,
7 për t’u hapur sytë të verbërve, për të nxjerrë nga burgu të burgosurit dhe ata që dergjen në terr.
8 Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura.
9 Ja, gjërat e mëparshme kanë ndodhur, dhe tani po ju njoftoj gjëra të reja; unë jua bëj të njohura para se të mbijnë".
10 I këndoni Zotit një kantik të ri, lëvdimin e tij nga skajet e tokës, o ju që zbrisni në det, dhe atë që ai përmban, ishujt dhe banorët e tyre.
11 Shkretëtira dhe qytetet e tij të lartojnë zërin e tyre, bashkë me fshatrat në të cilat banojnë ata të Kedarit. Le të ngazëllojnë banorët e Selas, le të lëshojnë britma nga maja e maleve.
12 Le t’i japin lavdi Zotit, le ta shpallin lëvdimin e tij në ishuj.
13 Zoti do të shkojë përpara si një hero, do të nxisë dëshirën e tij të zjarrtë si një luftëtar, do të lëshojë një klithmë, po një klithmë therëse; do të triumfojë mbi armiqtë e tij.
14 "Për një kohë të gjatë kam qëndruar në heshtje, nuk kam folur, e kam përmbajtur veten; por tani do të bërtas si një grua që heq të prerat e lindjes, do të marr frymë me vështirësi dhe njëkohësisht do të shfryj.
15 Do të shkretoj malet dhe kodrat dhe do të t’i thaj tërë bimët e blerta; do t’i katandis lumenjtë në ishuj dhe do të thaj pellgjet.
16 Do t’i bëj të verbërit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t’i çoj nëpër shtigje të panjohura; do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t’i braktis.
17 Do të kthejnë kurrizin plot me turp ata që kanë besim në shëmbëlltyrat e gdhendua dhe u thonë shëmbëlltyrave të derdhura: "Ju jeni perënditë tona!".
18 O të shurdhër, dëgjoni; o të verbër, shikoni dhe keni për të parë!
19 Kush është i verbër, në mos shërbëtori im, o i shurdhër si lajmëtari im që po dërgoj? Kush është i verbër si ai që është në paqe me mua, i verbër si shërbëtori i Zotit?
20 Ke parë shumë gjëra, por pa u kushtuar kujdesin e duhur; veshët e tu ishin të hapur, por nuk dëgjove asgjë".
21 Zoti u gëzua për hir të drejtësisë së tij; do ta bëjë ligjin e tij të madh dhe të mrekullueshëm.
22 Por ky është një popull që e kanë vjedhur dhe zhveshur; janë zënë të gjithë nga leqe në burgjet e nëndheshme dhe janë mbyllur në burgje. Janë bërë objekt plaçkitjeje, por askush nuk i ka çliruar; të zhveshur, por askush nuk ka thënë: "Ktheji!".
23 Kush prej jush do t’i kushtojë vemendje kësaj gjëje? Kush prej jush do t’i kushtojë vemendje dhe do të dëgjojë në të ardhmen?
24 Kush e ka braktisur Jakobin në duart e plaçkitësve dhe Izraelin në ato të grabitësve? A nuk ka qenë vallë Zoti kundër të cilit kemi mëkatuar? Ata në fakt nuk kanë dashur të ecin në rrugët e tij dhe nuk i janë bindur ligjit të tij.
25 Prandaj ai hodhi mbi të afshin e zemërimit të tij dhe dhunën e luftës, që e mbështolli rreth e qark në flakë pa e vënë re ai; e shkriu atë, por ai nuk pati gajle.
12 Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje.
2 Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.
3 Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora.
4 Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur.
5 Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.
6 Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
7 Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan,
8 por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell.
9 Kështu dragoi i madh, gjarpëri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.
10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë.
11 Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.
12 Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.”
13 Dhe, kur dragoi pa se u hodh për tokë, përndoqi gruan që lindi birin mashkull.
14 Dhe iu dhanë gruas dy krahët e shqiponjës së madhe, që të fluturojë në shkretëtirë në vendin e saj, ku të ushqehet një kohë, disa kohë dhe gjysmën e një kohe, larg pranisë së gjarprit.
15 Atëherë gjarpri qiti nga goja e tij ujë si një lumë prapa gruas, që atë ta merrte lumi,
16 dhe toka e ndihmoi gruan, dhe toka hapi gojën e vet dhe përpiu lumin që dragoi kishte nxjerrë nga goja e vet.
17 Dhe dragoi u zemërua kundër gruas dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhjes së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit.