M’Cheyne Bible Reading Plan
33 Ky është bekimi me të cilin Moisiu, njeri i Perëndisë, bekoi bijtë e Izraelit, para se të vdiste.
2 Dhe u tha: "Zoti erdhi nga Sinai dhe u ngrit mbi ta në Seir; u paraqit në madhështinë e tij nga mali Paran, arriti nga mesi i një morie shenjtorësh; nga e djathta e tyre dilte për ta një ligj i zjarrtë.
3 Me siguri ai i do popujt; të gjithë shenjtorët e tij janë në duart e tua; ata janë ulur në këmbët e tua, secili i dëgjon fjalët e tua.
4 Moisiu na ka urdhëruar një ligj, një trashëgimi të asamblesë së Jakobit.
5 Ai ka qenë mbret në Jeshuruni, kur mblidheshin krerët e popullit, tërë fiset e Izraelit tok.
6 Rroftë Rubeni dhe mos vdektë; por njerëzit e tij mbetshin pak".
7 Judës përkundrazi i tha këto: "Dëgjo, o Zot, zërin e Judës dhe ktheje tek populli i tij; dora e tij lufton për çështjen e tij; bëhu ti një ndihmës i tij kundër armiqve të tij.
8 Pastaj për Levin tha: "Thumimët dhe Urimët e tu i përkasin njeriut tënd besimtar, që ti provove në Masa dhe me të cilin je grindur në ujërat e Meribës.
9 Ai thotë për të atin dhe për të ëmën: "Unë nuk i kam parë"; ai nuk i njohu vëllezërit e tij dhe nuk njohu bijtë; sepse Levitët kanë respektuar fjalën tënde dhe kanë ruajtur besëlidhjen tënde.
10 Ata u mësojnë dekretet e tua Jakobit dhe ligjin tënd Izraelit; vënë temjanin para teje dhe tërë olokaustin mbi altarin tënd.
11 O Zot, beko forcën e tij dhe prano veprën e duarve të tij. Shpo tej e përtej ata që ngrejnë krye kundër atij dhe që e urrejnë, me qëllim që të mos ngrihen më".
12 Përsa i përket Beniaminit, ai tha: "I dashuri i Zotit do të banojë me siguri pranë tij. Zoti do ta mbrojë vazhdimisht dhe do të banojë në krahët e tij".
13 Përsa i përket Jozefit, ai tha: "Vendi i tij qoftë i bekuar nga Zoti me dhurata të çmuara të qiellit, me vesën, me ujërat e humnerës që ndodhet poshtë,
14 me frytet e çmuara të diellit, me prodhimet e çmuara të çdo muaji,
15 me prodhimet më të mira të maleve të lashta, me dhuratat e çmuara të kodrave të përjetshme,
16 me dhuratat e çmuara të tokës dhe të të gjitha gjërave që ajo përmban. Favori i atij që ishte në ferrishte të bjerë mbi kryet e Jozefit, mbi majën e kokës së atij që është zgjedhur ndërmjet vëllezërve të tij!
17 Madhështia e tij është si ajo e demit të tij të parëlindur, brirët e tij janë si brirët e një bualli. Me to do të shpojë tërë popujt, deri në skajet e dheut. Këto janë moritë e Efraimit. Këto janë mijërat e Manasit".
18 Përsa i përket Zabulonit, ai tha: "Gëzoje, Zabulon, daljen tënde, dhe ti Isakar, ndejtjen në çadrat e tua!
19 Ata do të thërrasin popujt në mal dhe aty do të ofrojnë flijime drejtësie; sepse ata do të thithin bollëkun e detrave dhe thesaret e fshehura në rërë".
20 Përsa i përket Gadit, ai tha: "I bekuar qoftë ai që e shtrin Gadin. Ai rri shtrirë si një luaneshë dhe copëton krahë dhe kafkë.
21 Ai shtie në dorë pjesën e parë për veten e tij, sepse aty ishte pjesa e parë e rezervuar e udhëheqësit; ai erdhi me krerët e popullit dhe zbatoi drejtësinë e Zotit dhe dekretet e tij me Izraelin".
22 Përsa i përket Danit, ai tha: "Dani është një luan i vogël, që hidhet nga Bashani".
23 Përsa i përket Neftalit, ai tha: "O Neftali, i ngopur me favore dhe i mbushur me bekime të Zotit, pushto perëndimin dhe jugun".
24 Përsa i përket Asherit, ai tha: "Më i bekuari nga tërë bijtë qoftë Asheri! Le të jetë i preferuari i vëllezërve të tij dhe të zhysë këmbën e tij në vaj.
25 Sandalet e tij të jenë prej hekuri dhe prej bronzi, dhe forca jote të vazhdojë sa janë ditët e tua.
26 Askush nuk është barabar me Perëndinë e Jeshurunit, që shkon me kalë nëpër qiejtë në ndihmën tënde dhe shkon mbi retë me madhështinë e tij.
27 Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm. Ai do ta dëbojë armikun para teje dhe do të thotë: "Shkatërroje!".
28 Atëherë Izraeli do ta ndiejë veten të sigurtë, në një vend gruri dhe mushti; dhe qielli i tij di të japë vesë.
29 Ti je i lumtur, o Izrarel! Kush është barabar me ty, o popull i shpëtuar nga Zoti? Ai është mburoja që të ndihmon dhe shpata e lavdisë sate. Armiqtë e tu do të të nënshtrohen dhe ti do të shkelësh vendet e tyre të larta".
34 Pastaj Moisiu u ngjit nga fusha e Moabit në Malin Nebo, në majën e Pisgahut, që ndodhet në bregun e kundërt të Jerikos. Dhe Zoti i tregoi tërë vendin e Galaadit deri në Dan,
2 tërë Naftalin, vendin e Efraimit dhe të Manasit, tërë vendin e Judës deri në detin perëndimor,
3 Negevin dhe fushën e luginës të Jerikos, qytet i palmave, deri në Tsoar.
4 Zoti tha: "Ky është vendi që u premtova me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke u thënë: "Unë do t’ua jap pasardhësve tuaj". Ti e pe me sytë e tua, por nuk do të hysh në të!".
5 Kështu Moisiu, shërbëtori i Zoit, vdiq aty, në vendin e Moabit, simbas fjalës së Zotit.
6 Dhe Zoti e varrosi në luginën e vendit të Moabit, përballë Beth-Peorit; dhe askush nuk e ka mësuar deri më sot vendin e varrit të tij.
7 Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq; shikimi i tij nuk ishte dobësuar dhe fuqia e tij nuk i qe mpakur.
8 Bijtë e Izraelit e qanë në fushat e Moabit tridhjetë ditë; pastaj ditët e zisë dhe të vajtimit për Moisiun morën fund.
9 Atëherë Jozueu, bir i Nunit, u mbush me frymën e diturisë, sepse Moisiu kishte vënë duart mbi të; kështu bijtë e Izraelit iu bindën atij dhe vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Moisiun Zoti.
10 Nuk doli më në Izrael një profet i ngjashëm me Moisiun, me të cilin Zoti fliste sy për sy,
11 në të gjitha shenjat dhe mrekullitë që Zoti e dërgoi të bënte në vendin e Egjiptit para Faraonit, para tërë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit të tij,
12 në të gjithë madhështinë e fuqisë dhe në të gjitha gjërat e mëdha dhe të tmerrshme që Moisiu kreu përpara syve të të gjithë Izraelit.
145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.
146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.
147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.
148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.
149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.
150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.
151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.
153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.
154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.
155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.
156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.
157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.
158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.
159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.
160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.
161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.
162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.
163 Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.
164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.
165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.
166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.
167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.
168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.
169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.
170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.
171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.
172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.
173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.
174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.
175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.
176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.
60 "Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty.
2 Sepse ja, terri mbulon tokën dhe një errësirë e dëndur mbulon popujt; por mbi ty ngrihet Zoti dhe lavdia e tij duket mbi ty.
3 Kombet do të ecin në dritën tënde dhe mbretërit në shkëlqimin e daljes sate.
4 Ngrej sytë e tu rreth e qark dhe shiko; mblidhen të gjithë dhe vijnë te ti; bijtë e tu do të vijnë nga larg dhe bijat e tua do t’i sjellin në krahë.
5 Atëherë do të shikosh dhe do të jesh i kënaqur, zemra jote do të rrahë fort dhe do të hapet sepse bollëku i detit do të vijë te ti, pasuria e kombeve do të vije tek ti.
6 Një mori devesh do të të mbulojë, dromedarë të Madianit dhe të Efahut, ato të Shebas do të vijnë të gjitha, duke sjellë ar dhe temjan dhe do të shpallin lëvdimet e Zotit.
7 Të tëra kopetë e Kedarit do të mblidhen pranë teje, deshtë e Nebajothit do të jenë në shërbimin tënd, do të ngjiten mbi altarin tim si një ofertë e pëlqyer, dhe unë do ta bëj të lavdishëm tempullin e lavdisë sime.
8 Kush janë këta që fluturojnë si një re dhe si pëllumba në drejtim të foleve të tyre?
9 Po, ishujt do të kenë shpresa tek unë, me anijet e Tarshishit në radhë të parë, për të sjellë nga larg bijtë e tu me argjendin e tyre dhe arin e tyre, për emrin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, që do të të ketë bërë të bukur.
10 Bijtë e të huajit do të rindërtojnë muret e tua dhe mbretërit e tyre do të vihen në shërbimin tënd, sepse në zemërimin tim të godita, por në dashamirësinë time kisha dhembshuri për ty.
11 Portat e tua do të jenë gjithnjë të hapura, nuk do të mbyllen as ditën as natën, që të mund të futin te ti pasurinë e kombeve me mbretërit e tyre në krye.
12 Sepse kombi dhe mbretëria që nuk do të të shërbejnë do të zhduken, dhe ato kombe do të shkatërrohen plotësisht.
13 Lavdia e Libanit do të vijë te ti, bashkë me selvinë, larshin dhe bredhin, për të zbukuruar vendin e shenjtërores sime, dhe unë do të bëj të lavdishëm vendin ku shkelin këmbët e mia.
14 Edhe bijtë e shtypësve të tu do të vijnë duke u përkulur para teje, dhe të gjithë ata që të kanë përçmuar do të bien përmbys në këmbët e tua dhe do të thërrasin: "qyteti i Zotit," "Sioni i të Shenjtit të Izraelit".
15 Në vend që ty të të braktisin dhe të të urrejnë, aq sa askush nuk kalonte më nga ti, unë do të të bëj një shkëlqim të përjetshëm, gëzimin e shumë brezave.
16 Ti do të thithësh qumështin e kombeve, do të thithësh gjitë e mbretërve dhe do të pranosh që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt dhe Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit.
17 Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjukatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.
18 Nuk do të dëgjohet të flitet më për dhunë në vendin tënd, as për shkatërrime dhe rrënoja brenda kufijve të tu; por do t’i quash muret e tua Shpëtimm" dhe portat e tua "Lavdërim".
19 Dielli nuk do të jetë më drita jote gjatë ditës, as hëna nuk do të të ndriçojë më me vezullimin e saj; por Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe Perëndia yt lavdia jote.
20 Dielli yt nuk do të perëndojë më dhe hëna jote nuk do të tërhiqet më, sepse Zoti do të jetë drita jote e përjetshme dhe ditët e tua të zisë do të marrin fund.
21 Tërë ata të popullit tënd do të jenë të drejtë; ata do të zotërojnë vendin përjetë, farën që unë mbolla, veprën e duarve të mia, për të shfaqur lavdinë time.
22 Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.
8 Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.
2 Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh.”
3 Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Po, unë dua, shërohu.” Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.
4 Atëherë Jezusi i tha: “Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta.”
5 Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,
6 dhe duke thënë: “O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”
7 Dhe Jezusi i tha: “Do të vij dhe do ta shëroj.”
8 Centurioni duke u përgjigjur i tha: “Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9 Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t’i them dikujt: "Shko," ai shkon; dhe po t’i them një tjetri: Eja,," ai vjen; dhe po t’i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë," ai e bën.”
10 Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: “Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.
11 Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,
12 por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve.”
13 Dhe Jezusi i tha centurionit: “Shko dhe u bëftë ashtu si besove!.” Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.
14 Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.
15 Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t’u shërbejë.
16 Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,
17 që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona.”
18 Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.
19 Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: “Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh.”
20 Dhe Jezusi i tha: “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën.”
21 Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: “O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim.”
22 Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet.”
23 Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.
24 Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.
25 Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: “O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!”
26 Por ai u tha atyre: “Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?.” Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.
27 Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: “Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?.”
28 Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.
29 Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: “Ç’është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?.”
30 Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.
31 Dhe demonët iu lutën duke i thënë: “Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash.”
32 Dhe ai u tha atyre: “Shkoni!.” Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.
33 Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.
34 Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.