Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 87

87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.

Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.

Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)

Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".

Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".

Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)

Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".

Psalmet 90

90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.

Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.

Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.

Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.

Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.

Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.

10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.

11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?

12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.

16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.

17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.

Psalmet 136

136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;

19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

2 i Mbretërve 11:1-20

11 Kur Athaliah, e ëma e Ashaziahut, pa që i biri kishte vdekur, u ngrit dhe zhduku tërë pasardhësit mbretërorë.

Por Jehosheba, bija e mbretit Joram dhe e motra e Ashaziahut, mori Joasin, birin e Ashaziahut, e nxorri fshehurazi nga mesi i bijve të mbretit që ishin vrarë dhe e vuri me tajën në dhomën e shtretërve; kështu ia fshehën Athaliahut dhe nuk u vra.

Mbeti, pra, i fshehur gjashtë vjet në shtëpinë e Zotit me të, ndërsa Athaliah mbretëronte mbi vendin.

Vitin e shtatë Jehojada dërgoi të thërrasë komandantët e qindsheve të rojeve personale dhe të rojeve dhe i solli pranë vetes në shtëpinë e Zotit; ai lidhi një besëlidhje me ta, i vuri të betohen në shtëpinë e Zotit dhe u tregoi birin e mbretit.

Pastaj i urdhëroi, duke thënë: "Kjo është ajo që ju do të bëni: një e treta e atyre prej jush që hyjnë në shërbim ditën e shtunë, ka për të ruajtur shtëpinë e mbretit;

një e treta portën e Surit dhe një e treta portën prapa rojeve. Ju do të ruani shtëpinë, duke ndaluar hyrjen në të.

Dy pjesët e tjera prej jush, domethënë tërë ata që e lënë shërbimin ditën e shtunë, kanë për të ruajtur shtëpinë e Zotit rreth mbretit.

Ju do të viheni rreth mbretit, secili me armët e tij në dorë; dhe kushdo që do të kërkojë të futet në radhët tuaja, do të vritet. Ju do të jeni me mbretin qoftë kur del, qoftë kur hyn".

Kështu komandantët e qindsheve vepruan pikërisht ashtu si kishte urdhëruar prifti Jehojada. Secili mori njerëzit e tij, ata që hynin në shërbim ditën e shtunë dhe ata që linin shërbimin ditën e shtunë, dhe shkuan te prifti Jehojada.

10 Prifti u dha komandantëve të qindshëve shtizat dhe mburojat që i kishte pasur mbreti David dhe që ishin në shtëpinë e Zotit.

11 Rojet, secili me armën e tij në dorë, u vendosën në krahun jugor të tempullit deri në krahun e tij verior, pranë altarit dhe tempullit, rreth mbretit.

12 Pastaj Jehojada e çoi jashtë birin e mbretit, i vuri mbi kokë diademën dhe i dorëzoi ligjin. E shpallën mbret dhe e vajosën; pastaj duartrokitën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!".

13 Kur Athaliahu dëgjoi zhurmën e rojeve dhe të popullit, shkoi në drejtim të popullit në shtëpinë e Zotit.

14 Vështroi dhe e pa mbretin në këmbë mbi podiumin, sipas zakonit; kapitenët dhe borizanët ishin afër mbretit, ndërsa tërë populli i vendit ishte në festë dhe u binte borive. Atëherë Athaliahu grisi rrobat e saj dhe bërtiti: "Tradhëti, tradhëti!".

15 Por prifti Jehojada urdhëroi komandantët e qindshëve, që komandonin ushtrinë, dhe u tha atyre: "Nxirreni jashtë nga rreshtat dhe kushdo që i shkon pas të vritet me shpatë!". Në fakt prifti kishte thënë: "Mos lejoni që ajo të vritet në shtëpinë e Zotit".

16 Kështu e kapën dhe, sa po arriti në shtëpinë e mbretit nëpër rrugën e portës së kuajve, aty e vranë.

17 Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje midis Zotit, mbretit dhe popullit, me qëllim që Izraeli të ishte populli i Zotit; lidhi gjithashtu një besëlidhje midis mbretit dhe popullit.

18 Atëherë tërë populli i vendit shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi; i bëri copë-copë tërë altarët dhe shëmbëlltyrat e tij, vrau para altarëve Matanin, priftin e Baalit. Pastaj prifti Jehojada vendosi roje rreth shtëpisë së Zotit.

19 Pastaj mori komandantët e qindsheve të rojeve personale të mbretit dhe të rojeve dhe tërë popullin e vendit; këta bënë që mbreti të zbresë nga shtëpia e Zotit dhe, duke ndjekur rrugën e portës së rojeve e çuan në shtëpinë e mbretit, ku ai u ul në fronin e mbretërve.

20 Kështu populli i vendit bëri festë dhe qyteti mbeti i qetë, sepse kishin vrarë me shpatë Athaliahun në shtëpinë e mbretit.

1 e Korintasve 7:10-24

10 Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri,

11 dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan.

12 Dhe të tjerëve u them unë, jo Zoti: në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë.

13 Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë,

14 sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.

15 Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe.

16 Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?

17 Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti; dhe kështu urdhëroj në të gjitha kishat.

18 A u thirr ndokush kur ishte i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. Dikush u thirr kur ishte i parrethprerë? Le të mos rrethpritet.

19 Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.

20 Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur.

21 A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.

22 Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.

23 Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve.

24 Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.

Mateu 6:19-24

19 Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,

20 përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.

21 Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.

22 Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar,

23 por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!

24 Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.