Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 72

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

Psalmet 119:73-96

73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.

74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.

75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.

76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.

77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.

78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.

79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.

80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.

81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.

82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".

83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.

84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t’u vish hakut atyre që më ndjekin?

85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.

86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.

87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.

88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.

89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.

90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.

91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.

93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.

94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.

1 i Mbretërve 22:1-28

22 Kaluan tre vjet pa luftë midis Sirisë dhe Izraelit.

Por në vitin e tretë Jozafati, mbreti i Judës, zbriti të takohet me mbretin e Izraelit.

Mbreti i Izraelit u kishte thënë shërbëtorëve të tij: "Ju nuk e dini që Ramothi i Galaadit është yni dhe ne po rrimë të qetë pa e rimarrë nga duart e mbretit të Sirisë?".

Pastaj i tha Jozafatit: "A nuk do të vije të luftoje me mua në Ramoth të Galaadit?". Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit me këto fjalë: "Ki besim tek unë ashtu si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu, mbi kuajt e mi ashtu si ke besim te kuajt e tu".

Jozafati i tha gjithashtu mbretit të Izraelit: "Të lutem këshillohu po sot me Zotin".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët që ishin rreth katërqind, dhe iu tha: "A duhet të shkoj të luftoj kundër Ramothit të Galaadit, apo të heq dorë nga kjo?". Ata iu përgjigjën: "Shko, sepse Perëndia do ta japë në duart e mbretit".

Por Jozafati tha: "A nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?".

Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Ka akoma një njeri, Mikajahu, bir i Imlahut, me anë të të cilit mund të këshillohesh me Zotin; por unë e urrej sepse nuk profetizon kurrë asgjë të mirë lidhur me mua, por vetëm të keqen". Jozafati u përgjigj: "Mbreti nuk duhet të flasë kështu!".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sill menjëherë Mikajahun, birin e Imlahut".

10 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e tij, të veshur me rrobat e tyre mbretërore, në lëmin që ndodhet në hyrje të portës së Samarisë; dhe tërë profetët profetizonin para tyre.

11 Sedekia, bir i Kenaanahut, që i kishte bërë vetes brirë prej hekuri, tha: "Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t’i shkatërrosh plotësisht"".

12 Tërë profetët bënin profeci të njollojtë dhe thonin: "Shko kundër Ramothit të Galaadit dhe do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

13 Lajmëtari që kishte shkuar të thërriste Mikajahun i foli kështu dhe tha: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke shpallur gjëra të mira për mbretin; të lutem, fjala jote të jetë si ajo e secilit prej tyre, dhe shpall edhe ti gjëra të mira".

14 Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, unë do them ato që do të më thotë Zoti".

15 Si ariti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heqim dorë?". Ai u përgjigj: "Shko, ti do t’ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

16 Atëherë mbreti i tha: "Sa herë jam përgjëruar të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".

17 Mikajahu u përgjigj: "Pashë tërë Izraelin të shpërndarë nëpër male, sikur të ishin dhen pa bari; dhe Zoti ka thënë: "Ata nuk kanë më zot; secili të kthehet në paqe në shtëpinë e vet"".

18 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë unë që në lidhje me mua, ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqe?".

19 Atëherë Mikajahu tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zoti. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria e qiellit i rrinte përqark në të djathtë dhe në të majtë.

20 Zoti tha: "Kush do t’ia prishë mendjen Ashabit që të dalë dhe të vritet në Ramoth të Galaadit?". Tani dikush përgjigjet në një mënyrë dhe dikush në një tjetër.

21 Atëherë doli një frymë, që u paraqit përpara Zotit dhe tha: "Do t’ia prish mendjen unë".

22 Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?". Ai u përgjigj: "Do të dal dhe do të jem fryma e gënjeshtrës në gojën e tërë profetëve të tij". Zoit i tha: "Do t’ia dalësh me siguri ta mashtrosh; dil dhe vepro ashtu".

23 Prandaj Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e të gjithë profetëve të tu; por Zoti parashikon fatkeqësira kundër teje".

24 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe i ra me një shpullë Mikajahut, duke i thënë: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë për të folur me ty?".

25 Mikajahu u përgjigj: "Do ta shohësh ditën që do të shkosh, në një dhomë të brendshme për t’u fshehur".

26 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merre Mikajahun dhe çoje tek Amoni, guvernatori i qytetit dhe tek Joasi, bir i mbretit, dhe u thuaj atyre:

27 Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqeheni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa të kthehem shëndoshë e mirë".

28 Atëherë Mikajahu tha: "Në rasat se ti kthehesh shëndoshë e mirë, kjo do të thotë se Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o popuj të tërë!".

1 e Korintasve 2:1-13

Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju, nuk erdha me shkëlqim fjalësh a diturie, që t’ju shpall dëshminë e Perëndisë,

sepse e vendosa që të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jezu Krishtit edhe atë të kryqëzuar.

Edhe unë kam qenë te ju me dobësi, me frikë dhe drithërimë të madhe.

Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë,

që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, po mbi fuqinë e Perëndisë.

Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë,

por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,

të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.

Por, sikurse është shkruar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë.”

10 Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.

11 Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.

12 Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.

13 Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.

Mateu 4:18-25

18 Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;

19 dhe u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.”

20 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

21 Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri.

22 Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas.

23 Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.

24 Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.

25 Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.