Book of Common Prayer
26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.
2 Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.
3 Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.
4 Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.
5 Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.
6 Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,
7 për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.
8 O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.
9 Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,
10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.
11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.
12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.
28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.
3 Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.
4 Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.
5 Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.
6 I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.
7 Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.
8 Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.
9 Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.
36 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.
2 Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.
3 Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.
4 Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".
5 O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.
6 Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.
7 O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;
8 ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.
9 Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.
10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.
11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.
12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.
39 Unë thoja: "Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje".
2 Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.
3 Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:
4 "O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.
5 Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)
6 Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!
7 Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.
8 Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.
9 Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.
10 Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.
11 Ti e korrigjon njeriun duke dënuar mëkatin e tij dhe konsumon si një krimb atë që për të është e çmuar. Po, çdo njeri nuk është veçse kotësi. (Sela)
12 O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi, sepse para teje unë jam një i huaj dhe një shtegtar si të gjithë etërit e mi.
13 Hiqe shikimin tënd nga unë, me qëllim që unë të marr përsëri fuqi para se të iki dhe të mos jem më".
65 Në atë kohë Salomoni kremtoi një festë përpara Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë Izraeli qe bashkë me të. Me të u bashkua një kuvend i madh njerëzish, të ardhur nga rrethet e Hamathit deri në përruan e Egjiptit, për shtatë ditë dhe për shtatë ditë të tjera, gjithsej për katërmbëdhjetë ditë.
66 Ditën e tetë ai e shpërndau popullin, dhe ata që ishin mbledhur e bekuan mbretin dhe u kthyen në çadrat e tyre të gëzuar dhe me zemër të kënaqur për tëtë të mirat që Zoti u kishte bërë shërbëtorit të tij David dhe Izraelit, popullit të tij.
9 Mbas përfundimit nga ana e Salomonit të ndërtimit të shtëpisë të Zotit, të pallatit mbretëror dhe të gjitha gjërave që Salomoni dëshironte dhe kishte ndërmend të bënte,
2 Zoti iu shfaq një herë të dytë Salomonit, ashtu siç i qe shfaqur në Gabaon,
3 dhe Zoti i tha: "Unë e përmbusha lutjen tënde dhe kërkesën që bëre para meje; kam shenjtëruar këtë tempull që ti ke ndërtuar për t’i vënë emrin tim për gjithnjë; aty do të jenë për gjithnjë sytë dhe zemra ime.
4 Sa për ty, në qoftë se do të ecësh para meje ashtu si ka ecur Davidi, ati yt, me ndershmëri zemre dhe me drejtësi, duke bërë tërë gjërat që të kam urdhëruar, dhe në rast se do të respektosh statutet dhe dekretet e mia,
5 unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate mbi Izrael për gjithnjë, ashtu siç ia kisha premtuar Davidit, atit tënd, duke thënë: "Nuk të ka për të munguar kurrë një njeri për t’u ulur mbi fronin e Izraelit".
6 Por në rast se ju ose bijtë tuaj do të largohen nga unë dhe nuk do të zbatoni urdhërimet dhe statutet e mia që kam vënë para jush dhe do të shkoni t’u shërbeni perëndive të tjera dhe të bini përmbys para tyre,
7 unë do ta zhduk Izraelin nga faqja e vendit që i kam dhënë dhe nuk do të jem i pranishëm në tempullin që kam shenjtëruar në emrin tim; kështu Izraeli do të bëhet gazi dhe tallja e tërë popujve.
8 Dhe ky tempull, megjithëse kaq i madhërishëm, do të jetë një vend i shkretë; kushdo që do t’i kalojë afër do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë, dhe ka për të thënë: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë vend dhe këtë tempull?".
9 Atëherë do t’i përgjigjen: "Sepse kanë braktisur Zotin, Perëndinë e tyre, që i nxori etërit e tyre nga vendi i Egjiptit dhe janë dhënë pas perëndive të tjera, janë përkulur para tyre dhe u kanë shërbyer; për këtë arsye Zoti ka sjellë mbi ta tërë këtë fatkeqësi"".
14 Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi?
15 Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm,
16 dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni,” dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka?
17 Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete.
18 Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat”; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia.
19 Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.
20 Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur?
21 Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar?
22 Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos.
23 Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë.
24 Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.
25 Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër?
26 Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.
66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit.
67 Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: “Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas.”
68 Por ai e mohoi duke thënë: “Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua.” Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi.
69 Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është një nga ata.”
70 Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: “Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je Galileas dhe e folura jote e zbulon.”
71 Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: “Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.”
72 Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: “Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.” Dhe, duke e menduar këtë, qau.