Book of Common Prayer
61 O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time.
2 Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë,
3 sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut.
4 Unë do të banoj në çadrën tënde për gjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela)
5 Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt.
6 Ti do t’i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza.
7 Ai do të qëndrojë për gjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë.
8 Kështu do t’i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.
62 Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga ai vjen shpëtimi im.
2 Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im, ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.
3 Deri kur do të vërtiteni kundër një njeriu, për të kërkuar të gjithë së bashku ta vrisni, ashtu si bëhet me një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet?
4 Ata mendojnë vetëm ta rrëzojnë nga lartësia e tij, gjejnë kënaqësi në gënjeshtër, bekojnë me gojën e tyre, por në zemrat e tyre mallkojnë. (Sela)
5 Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.
6 Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.
7 Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.
8 Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)
9 Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t’i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.
10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.
11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;
12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.
68 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.
2 Ti do t’i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.
3 Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.
4 Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.
5 Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.
6 Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.
7 O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)
8 toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.
9 Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.
10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.
11 Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur:
12 "Mbretërit e ushtrive ikin me ngut, ndërsa kush ka mbetur në shtëpi ndan plaçkën.
13 Edhe në se keni mbetur për të pushuar ndër vatha, ju jeni si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta që shkëlqejnë".
14 Kur i Plotfuqishmi i shpërndau mbretërit në vend, Tsalmoni u mbulua me borë.
15 Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit.
16 O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë.
17 Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij.
18 Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje.
19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)
20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.
21 Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij.
22 Zoti ka thënë: "Do t’i kthej nga Bashani, do t’i kthej nga humnerat e detit,
23 me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon".
24 Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore.
25 Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve.
26 Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit.
27 Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit.
28 Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.
29 Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.
30 Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.
31 Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t’i shtrijë Perëndisë duart e saj.
32 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela)
33 atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.
34 Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë.
35 O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!
6 Gjatë luftës midis shtëpisë së Davidit dhe shtëpisë së Saulit, Abneri qëndroi i lidhur fort me shtëpinë e Saulit.
7 Sauli kishte pasur një konkubinë të quajtur Ritspah, bijë e Ajahut; dhe Ish-Boshethi i tha Abnerit: "Pse ke hyrë te konkubina e atit tim?".
8 Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe iu përgjigj: "Mos vallë jam një kokë qeni i Judës? Deri më sot jam treguar besnik i shtëpisë së Saulit, atit tënd, i vëllezërve dhe i miqve të saj dhe nuk të kam dorëzuar në duart e Davidit, dhe pikërisht sot ti më qorton për fajin që kam kryer me këtë grua!
9 Perëndia t’i bëjë Abnerit këtë dhe më keq në rast se nuk i bëj Davidit atë që Zoti i është betuar:
10 ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit dhe të vendosë fronin e Davidit mbi Izrael dhe mbi Judën, nga Dani deri në Beer-Sheba".
11 Ish-Boshethi nuk iu përgjigj dot as edhe me një fjalë të vetme Abnerit, sepse ia kishte frikën.
12 Atëherë Abneri i dërgoi në emër të tij lajmëtarë Davidit për t’i thënë: Kujt i përket vendi? Bëj aleancë me mua dhe dora ime do të jetë me ty përr të ta sjellë tërë Izraelin".
13 Davidi iu përgjigj: "Kam diçka për të të kërkuar: Unë do të bëj aleancë me ty, por ti nuk do të ma shohësh fytyrën po nuk më solle më parë Mikalin, bijën e Saulit, kur të vish të më shikosh".
14 Kështu Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit, birit të Saulit, për t’i thënë: "Ma kthe bashkëshorten time Mikal, me të cilën u fejova për njëqind lafsha të Filistejve".
15 Ish-Boshethi dërgoi ta marrin te burri i saj Paltiel, bir i Laishit.
16 Burri i saj shkoi me të dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim. Pastaj Abneri i tha: "Shko, kthehu prapa!". Dhe ai u kthye.
17 Pastaj Abneri u drejtoi fjalën pleqve të Izraelit, duke thënë: "Prej shumë kohe kërkoni Davidin si mbretin tuaj.
18 Tani erdhi koha të veprojmë, sepse Zoti ka folur për Davidin, duke thënë: "Me anë të Davidit, shërbëtorit tim, unë do të shpëtoj popullin tim të Izraelit nga duart e Filistejve dhe nga tërë armiqtë e tij".
19 Abneri foli edhe me ata të Beniaminit. Pastaj Abneri shkoi te Davidi në Hebron për t’i njoftuar tërë ato që iu dukën të mira Izraelit dhe gjithë shtëpisë së Beniaminit.
20 Kështu Abneri arriti te Davidi në Hebron me njëzet njerëz, dhe Davidi shtroi një banket për Abnerin dhe për njerëzit që ishin me të.
21 Pastaj Abneri i tha Davidit: "Unë do të ngrihem dhe do të shkoj të mbledh tërë Izraelin rreth mbretit, zotërisë tim, me qëllim që të lidhin aleancë me ty dhe ti të mund të mbretërosh mbi gjithçka dëshëron zemra jote". Pastaj Davidi u nda me Abnerin, që u largua në paqe.
6 Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi.
7 Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi.
8 Kështu, pasi e përshkuan Misinë, zbritën në Troas.
9 Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.”
10 Mbasi e pa vegimin, kërkuam menjëherë të shkojmë në Maqedoni, të bindur se Zoti na kishte thirrur që t’ua shpallim atyre ungjillin.
11 Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis,
12 dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet.
13 Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje.
14 Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.
15 Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: “Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini.” Dhe na detyroi të pranojmë.
30 Tani apostujt u mblodhën tek Jezusi dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe i kishin mësuar.
31 Dhe ai u tha atyre: “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.” Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s’u dilte koha as për të ngrënë.
32 U nisën, pra, me një barkë drejt një vend të vetmuar e të mënjanuar.
33 Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij.
34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t’u mësojë shumë gjëra.
35 Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë.
36 Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s’kanë gjë për të ngrënë.”
37 Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: “U jepni ju të hanë!” Ata i thanë: “A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t’u japim të hanë?.”
38 Dhe ai u tha atyre: “Sa bukë keni? Shkoni e shikoni.” Ata, mbasi shikuan, thanë: “Pesë bukë e dy peshq.”
39 Atëherë ai i urdhëroi ata që t’i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.
40 Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.
41 Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t’ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve.
42 Të gjithë hëngrën sa u ngopën.
43 Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku.
44 Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra.
45 Menjëherë Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër drejt Betsaidas, derisa ai ta lejonte turmën.
46 Sapo e lejoi, ai iu ngjit malit për t’u lutur.