Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 105

105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.

Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.

Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.

Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.

Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,

ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.

Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.

Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,

besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,

10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"

12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,

13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.

14 Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,

15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.

20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,

22 për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë.

23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.

24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.

25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.

26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.

27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.

28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.

30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.

31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.

32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;

33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.

34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,

35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.

36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;

37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.

38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.

39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.

40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.

41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.

42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;

43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,

44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,

45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.

2 i Samuelit 15:1-18

15 Mbas kësaj Absalomi gjeti një karrocë, disa kuaj dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij.

Absalomi ngrihej herët në mëngjes dhe rrinte anës rrugës që të çonte te porta e qytetit. Kështu, në qoftë se dikush kishte ndonjë gjyq dhe shkonte te mbreti për të siguruar drejtësi, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: "Nga cili qytet je?". Tjetri i përgjigjej: "Shërbëtori yt është nga filan fis i Izraelit".

Atëherë Absalomi i thoshte: "Shif, argumentat e tua janë të mira dhe të drejta, por nuk ka njeri nga ana mbretit që të të dëgjojë".

Pastaj Absalomi shtonte: "Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit, kushdo që të kishte një proçes apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t’i siguroja drejtësi".

Kur dikush afrohej për të rënë përmbys përpara tij, ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte.

Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi; në këtë mënyrë Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.

Ndodhi që, pas katër vjetve, Absalomi i tha mbretit: "Të lutem, lermë të shkoj në Hebron për të përmbushur një kusht që kam lidhur me Zotin.

Sepse gjatë qëndrimit të tij në Geshur të Sirisë, shërbëtori yt ka lidhur një kusht duke thënë: "Në rast se Zoti më kthen në Jeruzalem, unë do t’i shërbejë Zotit!".

Mbreti i tha: "Shko në paqe!". Atëherë ai u ngrit dhe vajti në Hebron.

10 Pastaj Absalomi dërgoi emisarë ndër të gjitha fiset e Izraelit për të thënë: "Kur të dëgjoni tingullin e borisë, do të thoni: "Absalomi u shpall mbret në Hebron".

11 Me Absalomin u nisën nga Jeruzalemi dyqind njerëz si të ftuar; ata shkuan pa të keq, pa ditur gjë.

12 Absalomi, ndërsa ofronte flijimet, dërgoi të thërrasë nga qyteti i tij Gjiloh Ahithofelin, Gilonitin, këshilltarin e Davidit. Kështu komloti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit.

13 Pastaj arriti te Davidi një lajmëtar për të thënë: "Zemra e njerëzve të Izraelit ndjek Absalomin".

14 Atëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve të tij që ishin me të në Jeruzalem: "Çohuni dhe t’ia mbathim; përndryshe asnjeri prej nesh nuk ka për të shpëtuar nga duart e Absalomit. Nxitoni të ikni, që të mos na kapë në befasi dhe të bjerë mbi ne shkatërrimi, dhe të mos godasë qytetin me majën e shpatës".

15 Shërbëtorët e mbretit i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë gati të bëjnë gjithçka që i pëlqen mbretit, zotërisë tonë".

16 Kështu mbreti u nis, i ndjekur nga tërë shtëpia e tij, por la dhjetë konkubina për të ruajtur pallatin.

17 Mbreti u nis, i ndjekur nga tërë populli, që u ndal te shtëpia e fundit.

18 Tërë shërbëtorët e mbretit kalonin përpara dhe pranë tij; tërë Kerethejtë, tërë Pelethejtë dhe tërë Gitejtë, gjithsej gjashtëqind veta që e kishin ndjekur nga Gathi, ecnin para mbretit.

Veprat e Apostujve 21:27-36

27 Por, kur po mbusheshin shtatë ditët, Judenjtë e Azisë, duke e parë në tempull, e nxitën turmën dhe vunë duart mbi të,

28 duke bërtitur: “O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai njeri që u mëson të gjithëve dhe kudo kundër popullit, kundër ligjit dhe kundër këtij vendi; përveç kësaj ai i ka sjellë Grekët në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë.”

29 Sepse ata kishin parë më përpara Trofimin nga Efesi bashkë me Palin në qytet, dhe mendonin se ai e kishte sjellë në tempull.

30 Dhe gjithë qyteti ziente, dhe u mblodhën njerëzit; dhe, si e kapën Palin, e nxorrën jashtë tempullit dhe dyert u mby-llën menjëherë.

31 Dhe, ndërsa kërkonin ta vrisnin, tribunit të kohortës i shkoi lajmi se gjithë Jeruzalemi ishte turbulluar.

32 Ai mori menjëherë ushtarë dhe centurionë dhe u sul kundër tyre. Dhe këta, kur panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.

33 Atëherë tribuni u afrua, e zuri dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy zinxhirë, pastaj pyeti cili ishte dhe ç’kishte bërë.

34 Në turmë disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër; dhe, mbasi nuk mori vesh dot të vërtetën për trazirën, urdhëroi që ta sillnin në fortesë.

35 Dhe kur arriti te shkallaret, ndodhi që, për shkak të dhunës së turmës, duhej të bartej nga ushtarët,

36 sepse masa e popullit vinte pas duke bërtitur: “Vdekje!.”

Marku 10:32-45

32 Ata ishin në udhëtim për t’u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t’u thotë çfarë do t’i ndodhte:

33 “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve,

34 të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet.”

35 Atëherë Jakobi dhe Gjoni, bij të Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: “Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë.”

36 Dhe ai u tha atyre: “Çfarë doni të bëj për ju?”

37 Ata i thanë: “Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde.”

38 Dhe Jezusi u tha atyre: “Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?.” Ata i thanë: “Po, mundemi.”

39 Dhe Jezusi u tha atyre: “Vërtetë ju do të pini kupën që unë po pij dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin jam pagëzuar,

40 por nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur.”

41 Kur i dëgjuan këto, të dhjetë të tjerët filluan të indinjohen kundër Jakobit dhe Gjonit.

42 Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: “Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre;

43 por kjo s’duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj;

44 dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve.

45 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave.”