Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 146-147

146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.

Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.

Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.

Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.

Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,

që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,

që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.

Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.

Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.

10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.

147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?

18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

Psalmet 111-113

111 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.

Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.

Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.

Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.

Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.

Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.

10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.

112 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij.

Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar.

Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë.

Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi,

sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë.

Ai nuk do t’u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti.

Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij.

Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi.

10 I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë.

113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.

Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.

Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.

Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.

Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,

kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?

Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,

për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.

Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.

2 i Samuelit 24:1-2

24 Zemërimi i Zotit u ndez përsëri dhe ai nxiti Davidin kundër popullit, duke i thënë: "Shko të bësh regjistrimin e Izraelit dhe të Judës".

Kështu mbreti i tha Joabit, komandantit të ushtrisë që ishte me të: Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani deri në Beer-Sheba, dhee bëni regjistrimin e popullsisë që unë të di numrin e saj".

2 i Samuelit 24:10-25

10 Por, mbasi bëri regjistrimin e popullsisë, zemra e Davidit e qortoi shumë rëndë atë dhe ai i tha Zotit: "Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; por tani, o Zot, shlyej paudhësinë e shërbëtorit tënd, sepse kam vepruar shumë pa mend".

11 Kur në mëngjes Davidi u ngrit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, shikuesit të Davidit, duke thënë:

12 "Shko e i thuaj Davidit: Kështu thotë i Zoti: "Unë të propozoj tri gjëra; zgjidh njerën prej tyre dhe unë do ta bëj atë për ty"".

13 Kështu Gadi shkoi te Davidi për t’i njoftuar ngjarjen dhe i tha: "A do që të vijnë për ty shtatë vjet zi buke në vendin tënd, apo tre vjet arratisje përpara armiqve që të ndjekin, apo tri ditë murtaje në vendin tënd? Tani mendohu dhe shiko pak se çfarë përgjigje duhet t’i jap atij që më ka dërguar".

14 Davidi i tha Gadit: "Gjendem në një situatë tërë ankth! Le të bie edhe në duart e Zotit, sepse dhembshuria e tij është e madhe, por mos rënça në duart e njerëzve!".

15 Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael, nga ai mëngjes deri në kohën e caktuar. Shtatëdhjetë mijë veta të popullit vdiqën nga Dani deri në Beer-Sheba.

16 Ndërsa engjëlli e shtrinte dorën mbi Jeruzalem për ta shkatërruar, Zotit i erdhi keq për këtë fatkeqësi dhe i tha engjëllit që shfaroste popullin: "Mjaft! Tani tërhiqe dorën!". Engjëlli i Zoti ndodhej afër lëmit të Araunahut, Gebuseitit.

17 Kur Davidi pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: "Ja, unë kam kryer një mëkat, kam vepruar në mënyrë të padrejtë, por këto dele ç’kanë bërë? Prandaj dora jote të drejtohet kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim!".

18 Atë ditë Gadi erdhi te Davidi dhe i tha: "Shko dhe ndërto një altar për Zotin në lëmin e Araunahut, Gebuseitit".

19 Kështu Davidi shkoi, simbas fjalës së Gadit, ashtu si kishte urdhëruar Zoti.

20 Araunahu shikoi dhe dalloi mbretin dhe shërbëtorët e tij që drejtoheshin nga ai; atëherë ai doli dhe u shtri para mbretit me fytyrën për tokë.

21 Pastaj Araunau tha: "Pse mbreti, zotëria im, ka ardhur te shërbëtori i tij?". Davidi u përgjigj: "Për të blerë nga ti këtë lëmë dhe për të ndërtuar mbi të një altar për Zotin, me qëllim që mjerimi të largohet nga populli".

22 Araunahu i tha Davidit: "Mbreti, zotëria im, le të marrë dhe të ofrojë atë që i pëlqen! Ja qetë e olokaustit; veglat e shirjes dhe zgjedha e qeve do të shërbejë si dru.

23 O mbret, të gjitha këto gjëra Araunahu ia fal mbretit". Pastaj Araunahu i tha mbretit: "Zoti, Perëndia yt, të qoftë i mbarë!".

24 Por mbreti iu përgjigj Araunahut: "Jo, unë do t’i blej këto gjëra nga ti me çmimin që kushtojnë, dhe nuk do t’i ofrojë Zotit, Perëndisë tim, olokauste që nuk më kushtojnë asgjë". Kështu Davidi bleu lëmin dhe qetë për pesëdhjetë sikla argjendi.

25 Pastaj Davidi ndërtoi në atë vend një altar për Zotin dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi. Kështu Zoti mori parasysh lutjen e bërë nga vendi dhe mjerimi u largua nga populli i Izraelit.

Galatasve 3:23-4:7

23 Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej.

24 Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.

25 Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,

26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.

27 Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.

28 Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.

29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.

Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,

por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.

Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,

por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,

që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.

Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!.”

Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.

Gjoni 8:12-20

12 Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”

13 Atëherë farisenjtë i thanë: “Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë.”

14 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.

15 Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri.

16 Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi.

17 Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë.

18 Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua.”

19 Atëherë i thanë: “Ku është Ati yt?.” Jezusi u përgjigj: “Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim.”

20 Jezusi i shprehu këto fjalë në vendin e thesarit, duke mësuar në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur akoma ora.